Ndërlidhjet

Qeveria pret dinamikë të njohjeve


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Autoritetet qeveritare në Prishtinë presin që njohja e shtetit të Kosovës të vazhdojë, duke mos e ndërlidhur këtë me procesin e GJND-së, ndërkohë që analistët shprehen skeptikë.


Njohja e shtetit të Kosovës do të vazhdojë, pavarësisht propozimeve apo ideve që dikush mund t’i paraqesë, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.

Ndërsa kreu i qeverisë pret që njohja e Kosovës të shënojë një dinamikë javët dhe muajt e ardhshëm, analistët mendojnë se ka implikime në këtë proces, sidomos tani kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pritet që të japë një mendim apo interpretim të aspektit legal të shpalljes së pavarësisë.

Sidoqoftë, kryeministri Thaçi thotë se njohjet nuk do të ndalen, kurse kërkesat për bisedime me Serbinë, sipas tij, kanë vetëm karakterin e çështjeve teknike.

“ 17 shkurti i këtij viti ka vulosur fatin për Kosovën. Kosova është shtet i pavarur, sovran, demokratik, i njohur nga 51 shtete të fuqishme ndërkombëtare. Njohjet e reja do të ndodhin në të ardhmen e afërt, prandaj Kosova dhe Serbia mund të kenë takime të niveleve të barabarta për interesat e dy shteteve dhe dy popujve tanë”,
deklaroi Thaçi.

Kryeministri Thaçi tha se e sheh si të panevojshme dilemën se bisedimet me Serbinë mund të ndryshojnë diçka në statusin apo procesin e njohjes së Kosovës.

Ndërkaq, analisti Belul Beqaj thotë se mund të ketë implikime në procesin e njohjes, sidomos tani, pasi që shumë vende, sipas tij, mund të presin me muaj mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë para se të marrin vendimin për njohje.

“Mendoj se duhet të ketë ngadalësim nga fakti se shtetet, të cilat deri më tash nuk kanë pasur arsye për ta njohur shtetin e Kosovës, nuk kanë asnjë arsye tjetër që nesër ta bëjnë këtë".

"Përkundrazi, kanë arsye që ta përcjellin procesin e vlerësimit nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe në këtë kuptim të përcaktohen se a është më mirë që procesin e njohjes ta bëjnë në kohën kur deklarohet Gjykata apo këtë ta bëjnë para gjykatës. Me faktin se këtë nuk e kanë bërë deri më tash, mendoj se nuk është logjike që të presim që ta bëjnë më tutje
”, tha Beqaj.

Analisti Belul Beqaj thotë se jo të gjitha vendet do ta ndërlidhin njohjen me procesin e interpretimit të pavarësisë nga Gjykata e OKB-së në Hagë. Një pjesë të fajit pse nuk ka një numër më të madh të njohjeve, sipas tij, e mban edhe diplomacia dhe institucionet kosovare që nuk kanë arritur t’i informojnë vendet e caktuara lidhur me realitetin e ri në Kosovë.

Ndryshe nga Belul Beqaj mendon zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi. Sipas tij, në kontaktet e shumta që Kosova i ka me vende të ndryshme, ato shprehin respekt dhe mirëkuptim për Kosovën dhe nuk e ndërlidhin njohjen e saj me mendimin këshillëdhënës nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

“Kosova ka marrëdhënie shumë të mira bilaterale dhe multilaterale edhe me shtetet që e kanë njohur Kosovën dhe jemi në biseda e takime intensive edhe me shtetet tjera - natyrisht edhe në kontakte direkte, por edhe përmes miqve tanë ndërkombëtarë".

"Procesi i njohjeve është proces që nuk do të ndalet dhe mendoj se ditët në vijim do të kemi njohje të reja dhe shtete që do ta mbështesin Kosovën, zhvillimin në Kosovë dhe në rajon”,
thotë Kuçi.

Numri prej 51 njohjeve, megjithatë, nga autoritetet qeveritare në Prishtinë konsiderohet si e arritur e madhe, pasi që aty bëjnë pjesë edhe vendet më të rëndësishme botërore, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian.
XS
SM
MD
LG