Ndërlidhjet

“OKB propozon kompromise të reja”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
ZËRI
Qarqet diplomatike perëndimore në Prishtinë, siç edhe ka mundur të pritet, me interesim të madh janë duke përcjellë zhvillimet e fundit në LDK, të cilat duket që mund të marrin një kahje të re, të përshpejtimit të sipërfaqësimit të krizës, me ngjarjet që njohin Blerim Kuçin, shefin ekzekutiv të LDK-së, si kryeprotagonist, pas kërkesës për dorëheqjen e tij, të bërë nga Fatmir Sejdiu, kryetari i Kosovës. Një diplomat perëndimor që shërben në Prishtinë tash e sa kohë dhe që është njohës i mirë i skenës politike të Kosovës, i tha gazetës “Zëri”, me kushte anonimitetit, që realist, LDK është në krizë të thellë të kërkimit të identitetit të vet që nga zgjedhjet e nëntorit të vitit të kaluar, kur LDK humbi një përqindje të madhe votuesish... Që prej atëherë, u pa që LDK në Kosovës do të përballet me një kërkim të identitetit të ri, njëlloj si HDZ në Kroaci, pas vdekjes së liderit të saj, Franjo Tugjmanit...

EXPRESS
Autoritetet kosovare i konsiderojnë si të panevojshme paralajmërimet për bisedime të sërishme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se dilema e kohëve të fundit për ndonjë bisedim me Serbinë është diçka e panevojshme, por ka lënë të hapur mundësinë për bisedime të barabarta si dy shtete sovrane. “17 shkurti i këtij viti ka vulosur fatin për Kosovën”, ka thënë të enjten kryeministri Thaçi, në mbledhjen e rregullt të Qeverisë. “Prandaj, Kosova dhe Serbia mund të kenë takime të nivelit të barabartë për interesat e dy shteteve dhe dy popujve tanë”...

KOHA DITORE
Propozime për kompromise të reja të Kosovës dhe Serbisë do të vihen sërish në tavolinë, këtë herë nëpërmjet një dokumenti të OKB-së. Më saktësisht, Kombet e Bashkuara kanë nxjerrë një dokument ku përmenden kompromiset e mundshme në gjashtë fusha të propozuara për negociata ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, ndërsa burime diplomatike pohojnë se, të paktën dy prej tyre, policia dhe doganat, mund të mos u pëlqejnë zyrtarëve në Kosovë. Ky propozim tashmë u është dorëzuar vendeve anëtare të Quintit, të cilat janë duke e shqyrtuar, por ende nuk kanë dhënë ndonjë koment zyrtar...

INFOPRESS
Posta e Telekomi i Kosovës dhe operatori mobil “Vala”janë hedhur në shitje nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ky vendim është marrë të enjten në mbledhjen e rregull të qeverisë. Ndërsa, për mbarëvajtjen e këtij procesi është formuar një komision ndërministror që do të drejtohet nga Ahmet Shala, ministër i Ekonomisë dhe Financave. Sipas qeveritarëve, arsyeja pse duhet të shitet PTK-ja është rreziku se si ndërmarrje publike mund të mbetet prapa në sektorin e telekomunikimeve. Ministri Shala i ka përmendur rreziqet, që, sipas tij, po i shkakton status quo-ja aktuale e PTK-së. “Erozioni i theksuar i vlerës së aksionarëve pasi që pjesëmarrësit e rinj po e marrin një pjesë të tregut, erozioni i vlerës së aksionarëve si rezultat i vazhdimit të joefikasitetit operues, mbulimi joadekuat i shërbimeve dhe cilësia e mangët e standardeve që rezultojnë si pasojë e joefikasiteteve të vazhdueshme operative”...

KOSOVA SOT
Ministria e Shëndetësisë, si duket, e ka gjetur rrugën për të dalë nga kriza. Zyrtarët e këtij dikasteri kanë hartuar një listë çmimesh, e cila nuk dallon prej çmimeve që i gjen edhe në klinikat private. Si duket, funksionarët qeveritarë e kanë keqkuptuar rolin e tyre. Ministria e Shëndetësisë nuk mund të jetë një kompani private, që vepron në bazë të rregullave të ekonomisë së tregut. Mijëra kosovarë paguajnë taksa të ndryshme, qindra biznese paguajnë tatimet dhe nga fondet e grumbulluara në arkën e shtetit investohet në përmirësimin e sektorëve të ndryshëm, siç është edhe shëndetësia. Pra, për ta bërë më të thjeshtë jo vetëm për lexuesin, por edhe hartuesit e asaj liste çmimesh të papërballueshme për standardin kosovar, prej janarit, nëse zbatohet kjo zgjidhje e Ministrisë së Alush Gashit, nuk ka rëndësi nëse je tatimpagues i rregullt apo jo...

BOTA SOT
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Enver Hasani, flet për të gjitha mundësitë, rrugët juridike, me të cilat do të ballafaqohet Kosova pas kërkesës së Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që Gjykata e Drejtësisë të japë opinion për legalitetin e pavarësisë së Kosovës. Ai argumenton pse ky proces është thellësisht politik dhe nëse nuk e shpall veten kjo gjykatë inkompetente, me vetiniciativë ose me kërkesë, para së gjithash të ndonjë fuqie të madhe botërore, ajo do të vijë në përfundim sërish se kjo çështje është thellësisht politike. Në këtë përfundim do të arrijë edhe për faktin se nuk ekziston asnjë dispozitë në të drejtën ndërkombëtare që e ndalon shpalljen e sovranitetit me marrëveshje apo deklarim në çdo mision të OKB-së...

LAJM
Dhjetori është afati i fundit kur të gjitha kazermat, që aktualisht janë duke u shfrytëzuar nga Trupat Mbrojtëse të Kosovës, duhet të lirohen. Këto kazerma, që kryesisht kanë qenë të ish-armatës jugosllave, do t’i lihen në dispozicion qeverisë. Ndonëse nuk e dinë se sa është numri i objekteve që për nëntë vjet janë shfrytëzuar nga TMK-ja, në Zyrën për informim të kësaj trupe bëjnë të ditur se ato duhet të lirohen deri në dhjetor të këtij viti, kur edhe do të pushojë së ekzistuari TMK-ja. “Sipas planit, disa do të lirohen në dhjetor e disa të tjera edhe më vonë”, tha për “Lajm” Enver Dugolli, zyrtar për informim të Shtabin e Përgjithshëm të TMK-së...
XS
SM
MD
LG