Ndërlidhjet

EULEX-i neutral më i pranueshëm për serbët


Mitrovicë - Ura qendrore

Mitrovicë - Ura qendrore

Përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës vlerësojnë se pozicioni neutral i EULEX-it ndaj statusit mund të ndikojë që ky mision të shtrihet në gjithë territorin e Kosovës.

Kërkesat që misioni i EULEX-it të mbajë pozicion neutral ndaj statusit të Kosovës do të kenë një peshë të caktuar politike, thonë përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë.

Nënkryetarja e Këshillit Nacional Serb nga Graçanica, Rada Trajkoviq, thotë se qëllimi i shprehur i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, që EULEX-i të jetë neutral ndaj statusit dhe të funksionojë mbi bazën e Rezolutës 1244, është përpjekje që ky mision definitivisht të jetë i pranueshëm për të gjitha palët.

Sipas saj, me shtrirjen e EULEX-it, bashkësia ndërkombëtare mes tjerash po përpiqet që të parandalojë krijimin e vakumit, marrë parasysh se aktualisht UNMIK-u i është nënshtruar procesit të rikonfigurimit.

“Me faktin që vetë Bashkimi Evropian dhe të gjitha vendet anëtare nuk e kanë njohur Kosovën dhe fakti që BE-ja do të mbante pozicion neutral, mendoj se me këtë nismë synohet që nën Rezolutën 1244 dhe në kuadër të UNMIK-ut të instalohet edhe një mision ndërkombëtar”, thotë Rada Trajkoviq.

Që misioni i EULEX-it të jetë më i pranueshëm për serbët, Trajkoviq kërkon që ky mision të ndahet nga Zyra Civile Ndërkombëtare e përfaqësuesit ndërkombëtar, Pieter Feith, e cila ka për mandat të mbikëqyrë zbatimin e planit të Ahtisaarit.

Bazuar në planin e Ahtisaarit, EULEX-i do të duhet të funksiononte në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Por, për planin e Ahtisaarit nuk është arritur të sigurohet miratimi i Këshillit të Sigurimit.

Ky fakt tash përdoret nga Beogradi dhe një pjesë e konsiderueshme e serbëve të Kosovës që EUKLEX-in ta trajtojnë si mision të paligjshëm. Por, sipas Nenad Radosavleviqit, nga Këshilli Nacional Serb nga Leposaviqi, ky qëndrim mund të ndryshohet nëse EULEX-i me të vërtetë do të merrte rolin neutral ndaj statusit të Kosovës.

“Mendoj se letra e Ban Ki Moon-it është më tepër një veprim politik që ka për qëllim t’i zbutë ndjenjat dhe të fillojë me shtrirjen e këtij misioni, që si duket u përgjigjet interesave të të gjithëve”, thotë Radosavleviq.

Sipas tij, me një formulim të tillë edhe Beogradi do ta kishte më lehtë që të arsyetojë miratimin e vet për shtrirjen e EULEX-it, që të mos vijë deri te përplasja me BE-në.

Ndërkaq, Rada Trajkoviq thotë se Rusia është vendi që në fakt e kundërshton EULEX-in, pasi që Serbia, sipas saj, do të pajtohej që ky mision të instalohej në Kosovë, vetëm që të mos ketë kundërshtime me BE-në.

“Në këtë rrëfim unë shoh diçka që Beogradi frikësohet se Rusia do ta kundërshtojë instalimin e EULEX-it në Kosovë, dhe nëse e pranon EULEX-in, mund ta humbë përkrahjen e Rusisë në Këshillin e Sigurimit kur është në pyetje statusi i Kosovës”, thekson Trajkoviq.

Misioni i Bashkimit Evropian, EULEX, ka filluar të shtrihet në Kosovë, por ai thuhet se do të jetë funksional deri në fund të vitit. Ky mision ka për synim angazhimin në fushën e policisë, gjykatave dhe doganave në Kosovë.

Duke i pasur parasysh kundërshtimet e Rusisë, Serbisë dhe të vetë serbëve të Kosovës, të cilët thonë se nuk do ta lejojnë shtrirjen e këtij misioni në vendbanimet me popullatë serbe, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, i ka drejtuar një letër shefit të diplomacisë evropiane, Javier Solana, me të cilën kërkohet që ky mision të ketë pozicion neutral ndaj statusit të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG