Ndërlidhjet

Courtney: Banka Botërore jep 40 milionë dollarë


"Në mbledhjen e fundit vjetore, bordi i Bankës Botërore ka miratuar një fond prej 40 milionë dollarësh për Kosovën", thotë Bruce Courtney, koordinator i Programit të Bankës Botërore për Kosovën.


RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Courtney, çfarë shume parash ka dhënë Banka Botërore në Kosovë që nga përfundimi i luftës më 1999?

BRUCE COURTNEY
Banka Botërore ka qenë e përfshirë në sektorë të ndryshëm që nga viti 1999. Ne kemi investuar diku rreth 150 milionë dollarë. Në fillim të punës sonë, angazhimet tona u përqendruan më shumë në rindërtimin e ambientit që kishte lënë pas konflikti i fundit në Kosovë, mirëpo me kalimin e kohës ne zhvilluam një agjendë për zhvillim në aspektin afatgjatë.

Në mbledhjen e fundit vjetore, bordi i Bankës Botërore ka miratuar një fond prej 40 milionë dollarësh, të cilave do t'u bashkëngjiten edhe donacionet që do të vijnë nga vendet e ndryshme, kryesisht të Bashkimit Evropian, por edhe nga vendet si Zvicra dhe të tjera, dhe kjo ndihmë besoj se do të dyfishojë paratë tona dhe do të përbëjë një platformë të mirë për punët tona të ardhshme në vend.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat do të jenë planet e Bankës Botërore për të ardhmen në Kosovë? Në cilët sektorë do të fokusoheni më shumë?

BRUCE COURTNEY
Ne jemi duke e diskutuar këtë çështje me Qeverinë e Kosovës dhe vendimmarrës të tjerë. Këto 40 milionë dollarë që i kemi fituar, do të futen në zhvillimin e sektorit njerëzor, që nënkupton arsimin, pensionet, mbrojtjen sociale, shëndetësinë, por ideja qendrore është rritja e mundësive për krijimin e vendeve të lira të punës, me theks të veçantë të zhvillimit të sektorit privat.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë mendoni se ka arritur Kosova në zhvillimin ekonomik që nga shpallja e pavarësisë?

BRUCE COURTNEY
Kosova ka vazhduar të këtë një rritje ekonomike, gjë që është impresionuese. Ka pasur rritje për 6% dhe është vërejtur një stabilitet gjatë periudhës së vitit të kaluar. Ka pasur zhvillime të tjera po ashtu pozitive: është miratuar kushtetuta, ka përfunduar me sukses konferenca e donatorëve për vendin dhe të tjera.

Tani, natyrisht se ka akoma shumë sfida; zhvillimi ekonomik në aspektin global ka shënuar një rënie dhe Kosova duhet të shikojë të pozicionojë veten, sikurse vendet e tjera në rajon. Në këtë periudhë të rënies ekonomike, Kosova duhet të përqendrohet në politikat fiskale dhe të mendojë, sikurse të gjitha vendet e rajonit, për buxhetin e shtetit për vitin 2009.

RADIO EVROPA E LIRË
A i përket tani Qeverisë së Kosovës të formojë një strategji për alokimin e të hollave apo do të jeni edhe ju pjesë këshilluese në këtë proces?

BRUCE COURTNEY
Ne gjithmonë i kemi bërë strategjitë në bashkëpunim me Qeverinë; është në fakt një partnership i mirë në këtë drejtim. Ne jemi duke i shikuar fushat në të cilat tanimë kemi qenë të përfshirë dhe ne do të donim të mbështesnim programin e Qeverisë për zhvillimin e sektorit human. Pra, jemi të interesuar të ofrojmë mbështetjen tonë në dizajnimin dhe implementimin e reformave në këtë drejtim.

Në anën tjetër, ka akoma fusha potenciale për progres dhe krijimin e vendeve të punës - fusha këto që deri më tani nuk janë prekur aq shumë. Një nga këto fusha është agro-kultura; ne shpresojmë se Qeveria e Kosovës do të mendojë se si mund të ndikojë në përmirësimin e kësaj fushe.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e vlerësoni zhvillimin ekonomik në Kosovë në krahasim me vendet e rajonit?

BRUCE COURTNEY

Kosova ka shënuar një ngritje prej 6 % që është më shumë sesa disa vende të rajonit, por edhe më pak se disa të tjera. Por, siç theksova, sikurse vendet e rajonit, ashtu edhe Kosova, duhet të përballet me një ambient të ri të ekonomisë globale.

Kriza financiare që ka prekur shtetet perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ka pasur ndikim në Evropën Juglindore, por rënia ekonomike në Evropën Perëndimore do të ndikojë në ngadalësimin e zhvillimit ekonomik në këtë pjesë të vendit, do të ndikojë në eksportet, në transferet private ndërmjet shumë shteteve, duke përfshirë Kosovën dhe vendet në të cilat ajo mbështetet.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova ka aplikuar për anëtarësimin në Fondin monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore. Kur mund të jetë Kosova anëtare e këtyre institucioneve?

BRUCE COURTNEY
Ne shpresojmë që çështja e anëtarësimit në këto institucione të mund të zgjidhet në fillim të vitit 2009 dhe sigurisht që kjo do të ndodhë në pranverën e vitit të ardhshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë ka mbetur akoma për t’u bërë në fusha të caktuara?

BRUCE COURTNEY
Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe Qeveria e Kosovës kanë disa punë teknike. Këto janë procedura normale. Procesi i anëtarësimit në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore zgjat nga 6 deri në 9 muaj dhe dihet që Kosova ka aplikuar në qershor të këtij viti.

Tani presim që të vazhdojnë procedurat normale, të cilat përfshijnë kalkulimin e kuotave që Kosova duhet t'i paguajë FMN-së dhe abonimin që duhet t'i paguajë Bankës Botërore. Institucionet e Kosovës duhet të miratojnë legjislatura të veçanta që do të mundësonin anëtarësimin në këto institucione, të caktojnë zyrtarë që do ët udhëhiqnin këto institucione, pra këto janë procese që po zhvillohen aktualisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka pasur kritika, sipas të cilave Kosova është vonuar në aplikimin për anëtarësim në FMN dhe në Bankën Botërore. Cili është komenti juaj?

BRUCE COURTNEY
Jo, mendoj se kjo nuk qëndron aspak. Anëtarësimi në këto institucione kërkon mazhorancën e votave të anëtarëve të tyre dhe për të qenë anëtare e këtyre institucioneve, aplikanti duhet të jetë shtet. Pra, institucionet e Kosovës kanë pritur derisa kanë siguruar mbështetjen e shumicës së shteteve anëtare të Fondacionit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.

XS
SM
MD
LG