Ndërlidhjet

Dimiq: Serbia t’i kërkojë falje dhe pajtim Kosovës


“Elita në Beograd nuk mund të thotë se nuk është fajtore dhe se fajtor është Millosheviqi”, thotë për radion Evropa e Lirë, Radomir Dimiq, kryetar i Nismës për Kosovën Evropiane, Demokratike dhe Shumetnike.


RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Dimiq, një pjesë e përfaqësuesve të serbëve të Kosovës e ka kundërshtuar vendosjen e EULEX-it, ndërkaq, së fundi, është propozuar që ky mision të ketë rol neutral ndaj statusit. Sa mund të ndryshojë kjo pozicionin e serbëve ndaj EULEX-it?

RADOMIR DIMIQ
Unë në disa raste e kam shprehur publikisht mendimin tim sa i përket EULEX-it. Misioni i EULEX-it do të sjellë stabilitet në Kosovë dhe mendoj se ky mision sjell stabilitet edhe për tërë rajonin.

Sipas mendimit tim, EULEX-i është një domosdoshmëri, sepse UNMIK-u është i tejkaluar. Unë prej të parëve e kam përkrahur EULEX-in dhe shtrirjen e tij në gjithë territorin e Kosovës.

Unë më nuk jam i vetmuar në këtë çështje, sepse kështu mendojnë edhe shumë zyrtarë nga koalicioni qeverisës në Beograd. Dëmi do të ishte i madh nëse Serbia nuk do ta përkrahte EULEX-in. Mendoj se Serbia këtu nuk ka zgjidhje tjetër.

EULEX-i është garanci e mirë për të gjithë qytetarët dhe për të drejtat e bashkësive etnike. Mendoj se Serbia nuk guxon të mbetet peng i nacionalistëve serbë dhe për shkak të tyre të humbë perspektivën evropiane.

Unë mund të vë bast se Beogradi vetë do të kërkojë që EULEX-i të shtrihet në gjithë Kosovën, ngase EULEX-i në fakt është Bashkimi Evropian. Evropa është rruga e vetme e pajtimit të të gjithë popujve të Ballkanit, sepse ne i përkasim të ardhmes evropiane të Ballkanit, por ne duhet të ndryshojmë që të hyjmë në familjen evropiane.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, një pjesë e serbëve në veri të Kosovës po nënshkruan peticion kundër pranisë së EULEX-it...

RADOMIR DIMIQ
Kur është fjala për peticionin që këto ditë në veri të Kosovës po e organizojnë Jakshiqi, Ivanoviqi, Joviqi e të tjerë, Serbia duhet të lirohet nga këta njerëz të vijës së fortë, që do të donin dhunë në Kosovë.

Serbia nuk do të duhej të kishte kurrfarë lidhjeje me këta njerëz, sepse nuk duhet mbështetur dhunën dhe elementët radikalë që duan dhunë dhe trazira.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa i dëmton interesat e komunitetit serb mosuniteti i tyre? Vërehet se serbët e pjesës veriore kanë një pozicion tjetër ndaj zhvillimeve politike në Kosovë, krahasuar me ata të pjesëve tjera...

RADOMIR DIMIQ
E kam përsëritur disa herë se e ardhmja e serbëve në Kosovë do të jetë e qartë për aq sa ata do të integrohen në institucionet e Kosovës, si në kuptimin vertikal, ashtu edhe atë horizontal.

Në kuadër të EULEX-it, serbët fitojnë atë që është parashikuar edhe me planin e Martti Ahtisaarit dhe me të vërtetë ajo që Ahtisaari e ka ofruar për bashkësitë etnike, sidomos për atë serbë, është një garanci e mirë se ata do të mund të jetojnë së bashku me fqinjët e tyre shqiptarë.

Megjithatë, që e gjithë kjo të realizohet dhe të zbatohet plani i Ahtisaarit, serbët duhet të kenë pozicion tjetër ndaj EULEX-it.

RADIO EVROPA E LIRË
Çka duhet të bëjë Qeveria e Kosovës dhe faktori ndërkombëtar që serbët të kthehen dhe të integrohen në shoqërinë kosovare?

RADOMIR DIMIQ
Kthimi i serbëve duhet të jetë obligim parësor i Qeverisë së Kosovës dhe presidentit. Integrimi i serbëve, integrimi shoqëror, nuk mund të jetë deklarativ dhe në duart e individëve apo një ministri. Për serbët nuk duhet të brengoset vetëm Ministria e Kthimit, por e tërë Qeveria dhe institucionet e Kosovës.

Mendoj se është momenti i duhur që në Kosovë të vendoset një institucion i vërtetë që do t’i drejtojë serbët në një pikë kryesore, e ky është sistemi i pavarur i sundimit të ligjit, përmirësimi i të drejtave të njeriut dhe pakicave dhe i së ardhmes së përbashkët evropiane të shqiptarëve dhe serbëve.

Kjo është Kosova. Kosova ‘de fakto’ që moti e pavarur, kurse edhe ‘de jure’. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka ftuar Kosovën që të deklarohet në lidhje me nismën e Serbisë në Kombet e Bashkuara, çka flet se ‘de fakto’ dhe ‘de jure’ Kosova është e pavarur.

Këtë duhet ta kuptojnë serbët e Kosovës. Këtë, atyre duhet sqaruar dhe sa më shpejt, që ta kuptojnë se e ardhmja e tyre do të jetë më e mirë, kurse gjithçka tjetër do të krijonte mjegull.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë roli po luan Beogradi tek serbët e Kosovës kur janë në pyetje zhvillimet aktuale politike?

RADOMIR DIMIQ
Serbia duhet të japë kontributin e vet në pajtimin e shqiptarëve dhe serbëve, në vendosjen e dialogut mes shqiptarëve e serbëve. Nuk mundet elita në Beograd të thotë se ne nuk jemi fajtorë, fajtor është Milosheviqi. Jo.

Në Kosovë kanë ndodhur gjëra të çuditshme. Pra, edhe populli serb që ka jetuar në Kosovë, ka përgjegjësi dhe një pjesë të fajit për atë që u ka ndodhur shqiptarëve në Kosovë.

Pra, kjo është e domosdoshme dhe nuk është vetëm një pajtim formal. Beogradi duhet t’i ofrojë Prishtinës pajtimin që të vazhdohet tutje. Këtë duhet ta bëjë presidenti i shtetit. Sa më shpejt që të ndodhë kjo, do t’i hapet rruga Serbisë për në Evropë, por edhe serbëve të Kosovës për në Evropë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju, edhe në Kosovë jeni duke e përgatitur një deklaratë për pajtim - çka përmban ajo dhe kujt do t’ia drejtoni?

RADOMIR DIMIQ
Nisma për Kosovën Evropiane, Demokratike dhe Shumetnike po punon intensivisht në propozimin e deklaratës, e cila ka për qëllim pajtimin e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Së shpejti, ne, deklaratën tonë do t’ua propozojmë dhe dorëzojmë të gjitha grupeve parlamentare në Kosovë, Qeverisë, EULEX-it, si edhe ambasadave më të rëndësishme.

Qëllimi ynë është që me të vërtetë dhe pa improvizime, të provojmë të realizojmë pajtimin e qytetarëve të Kosovës. Vetëm kështu Kosova mund të ecë përpara dhe të ndërtojë të ardhmen integruese evropiane dhe të ndërtojë të ardhmen e vet shumetnike evropiane.
XS
SM
MD
LG