Ndërlidhjet

Prishtina kundërshton idetë për ndarje


Mitrovicë - Ura qendrore
Mitrovicë - Ura qendrore

Prishtina zyrtare i kundërshton idetë për ndarjen administrative të pjesës veriore. Këto opsione konsiderohen të dëmshme dhe në kundërshtim edhe me pakon e Ahtisaarit, si bazë e zgjidhjes së statusit të Kosovës.

Përfaqësues politikë kosovarë i kundërshtojnë idetë për ndarjen administrative të shqiptarëve dhe serbëve në veri të Kosovës. Këto ide janë paraqitur në media si propozim i të dërguarit të Kombeve të Bashkuara për bisedimet Prishtinë - Beograd, Andreq Ladley.

Ndërsa udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës, deri më tash nuk kanë komentuar planet shtesë të OKB-së për Mitrovicën dhe veriun e Kosovës, në anën tjetër kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, i quan të papranueshme idetë që çojnë kah ndarja administrative e veriut dhe institucioneve të Kosovës.

“Është prezantuar, është plotësisht i papranueshëm. Nuk mund të ketë dy dogana, dy administrata. Kjo bie ndesh edhe me pakon e Ahtisaarit”, thotë Rexhepi.

Çdo ide që çon kah ndarja konsiderohet e papranueshme edhe për opozitën. Nënkryetari i AAK-së, Bajram Kosumi, thotë se nuk është në dijeni nëse ka një plan zyrtar për ndarje administrative në veri të Kosovës, por, në çdo rast, ai thotë se planet e tilla, Prishtina duhet t’i kundërshtojë.

Kosumi thotë se bisedimet e paralajmëruara Prishtinë – Beograd, të ndërmjetësuara nga Kombet e Bashkuara, duhet të bëhen transparente dhe nëse dikush flet për plane vetëm për veriun e Kosovës, atëherë, sipas tij, edhe Prishtina duhet të ngre për diskutim çështjen e Luginës së Preshevës.

“Unë parimisht nuk mendoj se Kosova duhet të pranojë të bisedojë me Serbinë për pjesën veriore të Kosovës, sepse nëse Kosova pranon të bisedojë si Kosovë me Serbinë për veriun, atëherë Kosova duhet ta shtrojë për bisedë edhe çështjen e Kosovës Lindore, pra Preshevën, Bujanocin e Medvegjen. Nëse qenka kjo bisedë mes dy shteteve për territore, atëherë duhet të bisedohet në tërësi problemi”, thotë Kosumi.

Ndërkohë, Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED) ka paraqitur sot një propozim, me të cilin prezantohen ide për normalizimin e gjendjes në veriun e Kosovës, duke prezantuar planin, siç u tha “Ahtisaari Plus”.

Drejtori i Institutit KIPRED, Lulëzim Peci, tha se ky është një plan që duhet të gjejë shtrirje përtej urës së Ibrit në Mitrovicë dhe një pako-propozim ‘Ahtisaari plus’. Ai ka fajësuar një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare si përgjegjëse për gjendjen në veri.

“Unë mendoj që në Kosovë, disa elemente të bashkësisë ndërkombëtare që udhëheqin këtu me UN-in (UNMIK-un), në përgjithësi kanë për qëllim që Kosovën ta shndërrojnë një vend me dy sisteme legale, që në fund do ta çojë Kosovën kah ndarja”, deklaron Lulëzim Peci.

Gjendja në pjesën veriore të Kosovës konsiderohet si jonormale edhe nga kryetari i Mitrovicës, Bajram Rexhepi. Por, ai parasheh masa në kuadër të angazhimeve të përbashkëta të institucioneve të Kosovës dhe mekanizmave ndërkombëtarë për normalizimin e gjendjes atje.

“Realisht, edhe tani ekziston një vakum në pjesën veriore, nuk funksionon rendi dhe ligji dhe sa më shpejt që të vendosen, është më mirë. Duhet te jetë këmbëngulës edhe Unioni Evropian që EULEX-i të vendoset në pjesën veriore, sepse këtu është nevoja më e madhe e vendosjes së EULEX-it
”, thekson Rexhepi.

Sidoqoftë, i dërguari i Kombeve të Bashkuara për dialogun Prishtinë – Beograd, Andrew Ladely, thuhet se ka propozuar që doganat në veri të Kosovës të funksionojnë të pavarura nga sistemi doganor i Kosovës, që policia në veri të ketë komandë të ndarë nga vija komanduese e Policisë së Kosovës, si dhe që gjykatat në veri të mos punojnë me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Këto propozime, deri më tani, janë kundërshtuar nga liderët kosovarë, ndërkaq mbetet të shihet se me çfarë propozimesh do të dilte Prishtina në lidhje me veriun para negociatorit të OKB-së, Ladely.
XS
SM
MD
LG