Ndërlidhjet

Kosova - faktor stabiliteti rajonal


Pamje në Prishtinë

Pamje në Prishtinë

Udhëheqësit e Republikës së Kosovës e vlerësojnë si të rëndësishëm bashkëpunimin me vendet e Ballkanit Perëndimor, për të krijuar paqe të qëndrueshme rajonale. Në këtë drejtim, Kosova shihet si faktor i stabilitetit rajonal.

Autoritetet qendrore të Kosovës zotohen se janë të angazhuar në fuqizimin e rolit të Republikës së Kosovës si faktor stabiliteti dhe paqeje në rajon. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, theksoi se pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ka hyrë në një fazë të rëndësishme, ku një ndër prioritetet e vendit është sforcimi i stabilitetit rajonal.

Këto komente, presidenti Sejdiu i bëri gjatë një konference të organizuar nga Lobi Rajonal i Grave, në bashkëpunim me Fondin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Gratë (UNIFEM), ku u diskutua për situatën aktuale politike, të drejtësisë dhe atë të sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

"Për ne është shumë me rëndësi që Kosova ka hyrë në një fazë të rëndësishme të zhvillimeve, në një fazë e cila në të gjitha parimet e saj të ndërtimit konstitucional dhe ligjor mbështetet fuqishëm në ndjenjën për paqe, në ndjenjën për siguri, në ndjenjën për stabilitet, në ndjenjën për bashkëpunim të thellë me vendet e rajonit dhe me ndjenjën që të gjithë njerëzit, të gjithë qytetarët e saj të kenë barazi të plotë para ligjit dhe para kushtetutës",
tha Sejdiu.

Ndonëse Kosova që nga shpallja e pavarësisë së saj më 17 shkurt të këtij viti është njohur nga 51 shtete nga arena ndërkombëtare, ku hyjnë dhe vendet fqinje Maqedonia, Mali i zi dhe Shqipëria, marrëdhëniet e shtetit të Kosovës me Serbinë vazhdojnë të mbesin të acaruara.

Serbia, e cila akoma vazhdon të këmbëngulë në jovlefshmërinë e pavarësisë së Kosovës, i ka kërkuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të japë mendimin për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Sipas kryetares së Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, Natasha Kandiq, Beogradi, me gjithë veprimet kundërshtuese në raport me Kosovën, është i vetëdijshëm për realitetin e ri të krijuar në Kosovë, edhe pse nga ana e zyrtarëve politikë serbë mohohet një gjë e tillë.

"Të gjithë në Serbi e kanë të qartë se Kosova është e pavarur, jo vetëm në raport me Serbinë, por edhe për faktin se ky është një shtet i pranuar ndërkombëtarisht, përfshirë edhe fqinjët. Po ashtu, askush në Serbi nuk pret që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të sjellë vendim që do të ishte në kundërshtim me shpalljen dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës
", mendon Kandiq.

Përpjekje e të gjitha vendeve të rajonit, duke përfshirë Kosovën dhe Serbinë, është integrimi në strukturat euro-atlantike, në Bashkimin Evropian, në Aleancën Veri-atlantike NATO dhe të tjera. Për të arritur këtë, sipas Kandiqit, Beogradi zyrtar duhet të ndryshojë rrënjësisht politikën e vet karshi pavarësisë së Kosovës.

"Askush nuk mund të jetë kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, asnjë vend që vazhdon armiqësitë ndaj fqinjëve dhe kjo është letra në të cilën duhet të luajnë të gjithë, edhe Kosova edhe Maqedonia, edhe mali i Zi. Serbia duhet t'i japë fund armiqësisë dhe kremtimeve sa herë që arrin të pengojë Kosovën që të marrë pjesë në organizata dhe takime të rëndësishme ndërkombëtare", vlerëson Kandiq.

Pjesëmarrësit e konferencës u pajtuan që paqja dhe siguria janë elementet më të rëndësishme, të cilat mundësojnë bashkëpunimin ndërfqinjësor ndërmjet shteteve të rajonit. Deputetja e Kuvendit të Kosovës dhe njëkohësisht anëtare e organizatës "Lobi Rajonal i Grave", Edita Tahiri, sqaron mendimin e saj:

"Ne synojmë një liri dhe mirëqenie, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe një status të dinjitetshëm të vendeve tona në familjen demokratike", thotë Tahiri.

Mohimi i banorëve serbë të Kosovës ndaj institucioneve shtetërore të Republikës vazhdon të sfidojë mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë të sektorit politik, të sigurisë dhe të drejtësisë në kryerjen e punëve të tyre si dhe në shtrirjen e autoritetit nëpër tërë territorin e vendit.
XS
SM
MD
LG