Ndërlidhjet

Lajçi: EULEX-i të koordinohet me Kosovën, jo me Serbinë


Driton Lajçi
Driton Lajçi

“Bashkimi Evropian nuk do të duhej të pyesë Serbinë për shtrirjen e EULEX-it në Kosovë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Driton Lajçi, analist për çështje politike.




RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Lajçi, Organizata e Kombeve të Bashkuara vazhdon të kërkojë kompromise në dialogun direkt Prishtinë – Beograd, të moderuar nga UNMIK-u. Si e vlerësoni ju këtë dialog dhe cili është limiti i palës kosovare?

DRITON LAJÇI
Përmes të deleguarit të Kombeve të Bashkuara dalin në pah dallimet konceptuale në mes të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës, sa i përket pavarësisë së Kosovës dhe realitet të ri të krijuar në Kosovë.

Iniciativa e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së është çështje serioze, e cila duhet të shkojë para. Është kjo pjesë e rikonfigurimit të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

OKB-ja po përpiqet që ta vendosë veten në Kosovë me mision tjetër, me mision të ri, i cili po bie ndesh me interesat dhe me zhvillimet aktuale që po ndodhin në Kosovë dhe proceset nëpër të cilat po kalon në Kosova.

Qeveria e Kosovës do të duhej që këtyre iniciativave t’u përgjigjet me strategji të daljes nga kjo situatë. Unë në horizont nuk po shoh mekanizma të implementimit të pakos së Ahtisaarit. Ka mbetur vetëm Kushtetuta në letër.

Pala kosovare e ka vijën e kuqe. Vija e kuqe është se nuk guxon ta anashkalojë pakon e Ahtisaarit, e cila është e shkrirë në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kjo vijë është mandati, të cilin populli i Kosovës, Parlamenti i Kosovës i ka dhënë Qeverisë së Kosovës dhe ajo nuk ka alternativë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, një pjesë e komunitetit ndërkombëtar ka tendenca që EULEX-i të marrë një rol neutral ndaj statusit. Si e shihni ju këtë qasje?

DRITON LAJÇI
Ky është gabim strategjik i Bashkimit Evropian, i cili i ka dhënë rol aktiv Serbisë, me rastin e kërkimit të lejes që të shtrihet misioni i EULEX-it në territorin e Kosovës.

Prandaj, kjo edhe më tepër e ka komplikuar situatën e Kosovës në terren, sepse, dita-ditës, po dalin në sipërfaqe ndeshje të sovraniteteve, ndeshje të pushteteve, ndeshje të legaliteteve – BE, OKB, EULEX, Qeveri e Kosovës.

Bashkimi Evropian nuk do të duhej të pyesë Serbinë për shtrirjen e EULEX-it në territorin e Kosovës. BE-ja do të duhej që këtë ta bëjë në partneritet me Qeverinë e Kosovës dhe në të njëjtën kohë duke bërë presion mbi Qeverinë e Beogradit që t’i integrojë serbët e Kosovës.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës do të duhej të vijë me pako atraktive, joshëse, për serbët e Kosovës, në mënyrë që atyre t’u ofrohet ajo ombrella e sigurisë, e zhvillimit ekonomik, e mirëqenies si qytetarë të Kosovës.

Prandaj, kërkohet nga Qeveria e Kosovës të tregojë seriozitet, përkushtim, vendosmëri, të gjejë formën që të jetë kreative, të gjejë formën e integrimit të serbëve lokalë në Kosovë, që do të thotë integrim institucional dhe shtrirje e sovranitetit të Kosovës në gjithë territor e vet.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat mendoni se mund të jenë sfidat më të mëdha përballë institucioneve të Kosovës në këtë kohë?

DRITON LAJÇI
Janë një numër sfidash. Të gjitha janë të rëndësishme; nuk do të dija se cilën ta vë si prioritet, mirëpo sfida kryesore është shtrirja e sovranitetit në gjithë territorin e vendit, zhvillimi i ekonomisë, shtimi i numrit të vendeve për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe çështje të tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
Ditëve të fundit, në Lidhjen Demokratike të Kosovës kanë ndodhur disa lëvizje. Sipas disa përfaqësuesve të partive opozitare, ato mund të ndikojë në koalicionin qeverisës PDK-LDK. Ju, si mendoni?

DRITON LAJÇI
Qeverinë e Kosovës - këtë koalicion e ka zgjedhur Parlamenti i Kosovës, përmes votës së deputetëve. Në momentin kur ka deputetë nga Lidhja Demokratike, të cilët largohen nga LDK-ja, shkojnë në LDD apo në ndonjë forcë tjetër politike, atëherë mund të flasim për krizë të koalicionit qeveritar.

Natyrisht se kjo çfarë po e shohim ne në shtyp, këto dallime, këto anashkalime, e dobësojnë pozicionin e LDK-së brenda koalicionit qeveritar dhe brenda spektrit politik kosovar.

LDK-ja, tash për tash, është duke vepruar konform fuqisë që e ka në institucionet e Kosovës, konform votave që i ka , konform numrave dhe deputetëve që ka në Parlamentin e Kosovës. LDK-ja nuk mund të udhëheqë proceset në Kosovë dhe nuk mund të përcaktojë formulën e koalicionit qeveritar, sepse nuk e ka fuqinë e vet që e ka pasur dikur.

Por, këto zhurmat e fundit që po ndodhin këtyre ditëve, e dobësojnë vetëm LDK-në, sepse Partia Demokratike e Kosovës mund ta ndryshojë partnerin e koalicionit, qoftë me ndonjë formë tjetër politike. Janë fitues të zgjedhjeve; për ta është me rëndësi që të kenë numrin e mjaftueshëm që të votojnë qeverinë.
XS
SM
MD
LG