Ndërlidhjet

Disa republikanë do ta votojnë Obamën


Barack Obama
Barack Obama

Kur amerikanët do të dalin në zgjedhje më 4 nëntor, mijëra votues do të bëjnë atë që kurrë s'e kanë bërë: do të votojnë për kandidatin presidencial demokrat. Nëse u besohet sondazheve, një numër i konsiderueshëm i republikanëve të regjistruar, do të votojnë për Obamën, në vend të të nominuarit të partisë së tyre, John McCain. Disa syresh thonë se janë të zhgënjyer me fushatën e McCain, ndërsa të tjerët pohojnë se janë të nxitur nga shanset që mund t'i ketë presidenca e senatorit Obama.


Kredencialet e Partisë Republikane nuk çojnë shumë peshë te disa njerëz, si Carlos Campbell. Ky 71-vjeçar ka qenë këshilltar i kandidatëve republikanë në mbarë vendin dhe ishte ndihmës-sekretar i Tregtisë gjatë administratës Reagan.

Ai ishte pilot i ushtrisë në vitet e njëjta me John McCain. Teksa McCain fluturonte në misionet në Vietnam, Campbell fluturonte në misione të fshehta zbulimi përgjatë perimetrit të Bashkimit Sovjetik në vitet e 1960-ta.

Por, javën e ardhshme, Campbell nuk do të votojë për McCain, dhe e mbështet Obamën. Ai është njëri nga republikanët e shumtë, të cilët e mbështesin Obamën.

"Është e vështirë të mos e pëlqesh dikë kur keni qenë një aviator i Marinës, që është një grup shumë i vogël. Më duhet të them se shumë nga miqtë e mi, të cilët e njohin senatorin McCain më mirë se unë, janë zhgënjyer shumë prej tij".

"Mua vërtetë më vjen keq për të. Mendoj se fushata e tij nuk u prezantua mirë, mendoj se ai bëri disa gabime të tmerrshme në gjykimet e veta
", thotë Campbell.

Fenomeni i republikanëve që mbështesin Obamën është forcuar dukshëm gjatë tërë vitit.

Campbell thotë se është zhgënjyer sepse McCain ka rënë në një vijë me fraksionet më konservatore të partisë së tij. Ai druan se Partia Republikane është zaptuar nga evangjelistët e krishterë, pozicionet politike të të cilëve shpesh herë bazohen në Biblën.

Disa vjet më parë, vetë McCain i quajti këta konservatorë ekstremistë "agjentë të jotolerancës".

Kur vitin e kaluar McCain filloi t'u afrohet këtyre grupeve, Campbell thotë se ndjeu se ishte i tradhtuar. Pastaj, ai thotë se fushata e McCain duket si e paorganizuar në kërkim të një mesazhi qendror.

Për dallim nga ai, Campbell e sheh Obamën të përqendruar dhe frymëzues.

"Fushata e senatorit Obama ka jehuar në mesin e rinisë së këtij kombi të madh, sepse pasioni i tij i bën bashkë të gjithë njerëzit. Fushata e tij është sintezë që transformon, lartëson, është pozitive dhe kuptimplote", thotë republikani Campbell.

Gabrielle Rhoades është 24 vjeçare dhe ka një djalë. Burri i saj ndodhet në Bagdad me Marinën dhe pritet të kthehet në shtëpi kah fundi i nëntorit për Ditën e Falënderimeve.

Ajo është një republikane e regjistruar, e cila thotë se në pranverën e kaluar vendosi të mbështeste Obamën, pasi mësoi se burri i saj ishte dërguar në Irak. Zonja Rhoades nuk e pëlqen ato që McCain i thotë për luftën.

"Unë ndjej se McCain sikur është jashtë asaj që ndjejnë amerikanët. Mendoj se në këtë pikë, amerikanët mendojnë se lufta në Irak ishte një gabim, ku shumë burra dhe gra i sakrifikuan jetët e tyre për vendin tonë. Tash është koha t'i sjellim trupat tona në shtëpi".

"Por, McCain nuk e sheh këtë. Ai nuk dëshiron t'i sjellë trupat dhe ka thënë se do të mbesim në atë vend për 100 vjet. Nga kjo nuk fiton askush, as ne dhe as irakianët. Mendoj se ai nuk është në rrjedhë", thotë Rhoades.

Që kur vendosi të mbështesë Obamën, Rhoades thotë se ajo ka takuar shumë republikanë, të cilët gjithashtu planifikojnë të hedhin votën për senatorin nga Illinois. Në mesin e tyre, ajo thotë se ka shumë veta që u befasuan kur McCain zgjodhi guvernatoren pa përvojë politike nga Alaska, Sarah Palin.

"Kjo është e tmerrshme; unë jam shtangur kur ai e zgjodhi guvernatoren Palin si bashkëgaruese të tij. Mendoj se është jetike që të kesh rreth vetes njerëz me përvojë, të cilët kanë njohuri në shumë fusha, por këtë përvojë nuk e shoh tek ajo".

"Pastaj, senatori McCain është në moshë dhe kjo më shqetëson. Thjesht shqetësohem nga fakti se ajo mund të bëhet presidente. Mendoj se ajo nuk ka mjaft përvojë dhe dituri për ta udhëhequr vendin tonë", thotë republikania Rhoades.

Republikanët e tjerë pohojnë se janë të impresionuar nga aftësia e Barack Obamës për të bashkuar vendin dhe për të kapërcyer ndarjet partiake dhe racore. Shumica thonë se janë të zhgënjyer nga kursi i ashpër konservator që ka marrë partia e tyre republikane.

Por, megjithëse thonë se do të votojnë për demokratin Obama, ata ende e konsiderojnë veten republikanë dhe thonë se do të mbeten në parti edhe pas zgjedhjeve.
XS
SM
MD
LG