Ndërlidhjet

“Solana: EULEX-i do kompletohet në dhjetor”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
EPOKA E RE
Kryeministri Sali Berisha ka theksuar të hënën se qëndresa 100-vjeçare e Kosovës është shembull i asaj që i del mbanë zgjidhjes së çështjes themelore të paqes e stabilitetit rajonal. Berisha i ka bërë këto komente në Konferencën Vjetore të Ambasadorëve, e cila po mbahet në Tiranë, në të cilën po marrin pjesë 48 ambasadorë dhe kryetarë të misioneve diplomatike të Shqipërisë në botë. “Pavarësia e Kosovës ka qenë kush themelor për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Pavarësia e Kosovës shënon kalimin përfundimtar të shqiptarëve nga shtypja në liri. Kombi shqiptar kudo që jeton, është një komb i lirë. Rezistenca, qëndresa njëshekullore e qytetarëve të Kosovës është legjendë e qëndresës njerëzore për liri e dinjitet”, ka thënë kryeministri Berisha...

BOTA SOT
Spektri politik në Kosovë i vlerëson të papranueshme të gjitha propozimet dhe idetë për reduktimin e Kushtetutës së Kosovës në disa pjesë të Kosovës... Ismet Beqiri, anëtar i Kryesisë së LDK-së, propozimin e të dërguarit të OKB-së për ndarje administrative, e quan të papranueshëm duke e konsideruar këtë si një plotësim të apetiteve momentale të Serbisë. “Propozimi për ndarje administrative është propozim i papranueshëm dhe unë konsideroj që hyn ën vazhdën e kënaqjes së apetiteve momentale të vetë Serbisë dhe udhëheqjes së saj...”. Edhe anëtari i Kryesisë së PDK-së, kryetari i Mitrovicës, Bajram Rexhepi, i ka kundërshtuar propozimet e Andrew Ladelyt. Rexhepi tha se propozimi është në kundërshtim me pakon e Ahtisaarit dhe si i tillë nuk mund të pranohet e as të zbatohet në Kosovë...

KOHA DITORE
Kosova ka qenë të hënën, pas një kohë të gjatë, në agjendën e takimit të Këshillit të përhershëm të NATO-s dhe Komitetit për politikë dhe siguri të BE-së. Në takimin e rregullt të këtyre dy organizatave në këtë nivel është diskutuar edhe për Bosnjë-Hercegovinën dhe për temat e tjera të interesit të përbashkët dhe është thënë se do të vazhdohet bashkëpunimi. Edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Javier Solana, kanë thënë se është diskutuar edhe për ndarjen e punëve në misionet në Bosnjë dhe Kosovë dhe kjo është e qartë sa u përket mandateve. I pyetur nga Koha Ditore se kur mund të pritet që më në fund EULEX-i të vendoset në tërë territorin e Kosovës, Javier Solana është përgjigjur shkurt se kjo do të ndodhë në muajin dhjetor...

INFOPRESS
Normalizimi i gjendjes në veriun e Kosovës mund të bëhet vetëm me nja plan, “Plani Ahtisaari Plus”. Të paktën ky është mendimi i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave – KIPRED. “Ahtisaari Plus” thotë se vendosja e sundimit të ligjit në veri, zbatimi i decentralizimit, jetësimi i “zonës së veçantë të investimeve”, “zona e lirë nga doganat” dhe “studimi i veçantë ekonomik” janë parakushte për të penguar ndarjen e Kosovës. “Kosova e ka një plan, që është i dakorduar në nivel ndërkombëtar, i mbështetur nga të gjithë partnerët dhe shtetet mike të Kosovës. Ky është plani Ahtisaari, që ofron zgjidhje adekuate dhe këtij plani nuk ka nevojë t’i shtohet asnjë presje më shumë”, tha Memli Krasniqi, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës...

LAJM
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Franz Josef Jung, ka përsëritur qëndrimin e kancelares Angela Merkel se Gjermania është kundër ndarjes së Kosovës. Gjatë një vizite që të hënën i bëri Prishtinës, ai tha se Gjermania e mbështet shtetin e ri në të gjitha fushat, përfshirë këtu edhe ngritjen e Forcës së Sigurisë, me shtatë milionë euro. Ministri Jung, pas takimeve të ndara që ka zhvilluar me presidentin kosovar, Fatmir Sejdiu, dhe kryeministrin Hashim Thaçi, tha se Gjermania e mbështet një Kosovë unike, paqësore dhe demokratike, në të cilën do të respektohen të drejtat e pakicave në përgjithësi, e në veçanti ato të pakicës serbe... Edhe liderët e institucioneve kosovare janë shprehur kundër çdo mundësie të ndonjë kompromisi sa i përket shtrirjes së EULEX-it dhe neutralitetit të tij karshi statusit...

ZËRI
Qeveria e Kosovës ia ka ndërruar emrin termocentralit të ri nga “Kosova C” në “Kosova e Re”. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë takimit të Komitetit Drejtues, të hënën, disa herë i ka premtuar përkrahje të fuqishme projektit më të madh energjetik në vend me emrin “Kosova e Re”, duke mos e përmendur asnjëherë “Kosovën C”, me të cilin emër është shpallur tenderi nga qeveria e kaluar. Komiteti Drejtues i këtij termocentrali ka diskutuar dje dokumentin e punës që përcakton kahet e zhvillimit dhe vendosmërinë për finalizimin sa më të shpejtë të këtij projekti, por nuk është dhënë asnjë detaj për publikun se çka në të vërtetë përmban dokumenti...

KOSOVA SOT
Mbledhja e shumëpritur e Kryesisë së LDK-së, pas dorëheqjes së shefit ekzekutiv, Blerim Kuçi, që nuk është mbajtur javën e kaluar, pritet të mbahet gjatë dy ditëve në vijim. Në këtë mbledhje, sipas interpretimit të sekretarit të përgjithshëm të LDK-së, Ramë Manaj, Kryesia e partisë nuk ka mandat të diskutojë për dorëheqjen Kuçit, por vetëm mund të njoftohet me vendimin e ish-shefit të deritashëm të partisë... “Kryesia nuk mund të diskutojë dhe të marrë ndonjë qëndrim rreth kësaj dorëheqjeje, por vetëm mund ta konstatojë atë, sepse dorëheqja është dhënë nga z.Kuçi është dorëheqje e parevokueshme dhe ndaj dorëheqjeve të tilla nuk ka se çfarë të diskutohet, por ato vetëm konstatohen. Kështu do të ndodhë me dorëheqjen e Kuçit”, tha në një prononcim për gazetën sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ramë Manaj...

EXPRESS
Procesi i bisedimeve rreth funksionimit të pushtetit në veri të Kosovës dhe enklavat tjera serbe, i ndërmjetësuar nga OKB-ja, është komplikuar edhe më shumë për shkak të kushteve të reja që ka vënë Beogradi në këtë proces. Qeveria e Serbisë ka kushtëzuar shtrirjen e EULEX-it në enklavat serbe në përpjekje që të imponojë formulat e veta për zgjidhjen e gjashtë çështjeve të caktuara nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, kanë thënë burime të Express-it. Edhe pa këtë kusht, përpjekja e ekspertit të OKB-së, Andrew Ladely, që të gjejë zgjidhje të pranueshme për Prishtinën dhe Beogradin rreth funksionimit të gjyqësisë, policisë dhe doganave në enklavat serbe, nuk ka qenë shumë premtuese... Liderët kosovarë kanë kundërshtuar propozim-zgjidhjet e ndërmjetësit ndërkombëtar për shkak se disa nga to, siç është mënyra e funksionimit të policisë dhe doganave, nuk janë në përputhje me planin e Martti Ahtisaarit...
XS
SM
MD
LG