Ndërlidhjet

Neutraliteti i EULEX-it, frazeologji e OKB-së


Analistët e konsiderojnë si opsion jo të mundshëm funksionimin e EULEX-it si mision neutral karshi statusit të Kosovës. Ata nuk besojnë se kërkesat serbe për shtrirjen e këtij misioni do realizohen.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit dhe polici, EULEX, nuk mund të jetë neutral karshi statusit të Kosovës. Kështu vlerësojnë analistët në Prishtinë, të cilët shprehin bindjen se vendosja e këtij misioni në tërë territorin e Kosovës duhet të pasojë nga një vendim i Brukselit, e jo të rrjedhë nga kompromiset e bëra me Beogradin zyrtar.

Analisti Ilir Deda thotë se neutraliteti karshi statusit të Kosovës është vetëm një frazë e zbuluar nga Kombet e Bashkuara mbi bazën e së cilës ka vepruar UNMIK-u në Kosovë përgjatë 9 vjetëve të kaluar.

"Nuk ma merr mendja se kjo është e mundshme, sepse EULEX-i si i tillë nuk mund të jetë status-neutral, sepse edhe fraza satus-neutral është diçka të cilën e ka zbuluar UNMIK-u. Nuk ekziston mision në terren, i cili është status neutral. EULEX-i duhet t'i zbatojë ligjet e Kosovës dhe nuk ka ligje neutrale në Kosovë", thotë Deda.

Qeveria serbe kishte kërkuar që shtrirja e EULEX-it nëpër vendet e banuara me serbë në Kosovë të bëhet përmes një rezolute të Këshillit të Sigurimit, që ky mision të jetë neutral sa i përket statusit të Kosovës dhe që të mos zbatojë planin e presidentit Ahtisaari.

Mirëpo, sipas analistit Muhamet Kelmendi plotësimi i këtyre kushteve do të shndërronte shtetin e Kosovës në një shtet jofunksional, duke e çuar atë drejtë ndarjes.

"Serbia do të futej së bashku me mekanizmat e vet në Kosovën veriore, në radhë të parë në dogana, pastaj në polici, pastaj kemi çështjen e gjyqësisë, çështjen e administratës, çështjen e pushtetit lokal. Në qoftë se Serbisë i jepet e drejta që të futet brenda dhe të organizojë pushtetin, çdokush mund të dijë se do të ndërtohet një pushtet, i cili do të jetë paralel", konsideron Kelmendi.

Lidhur me kushtet e vëna nga Beogradi zyrtar për dislokimin e EULEX-it nëpër zonat e banuara me serbë në Kosovë, me theks të veçantë në veri të vendit, Sekretari Gjeneral i OKB-së, Ban Ki Moon, i ishte drejtuar me një letër shefit për siguri dhe politikë të jashtme të BE-së, Javier Solana, duke i kërkuar këtij të fundi një pozicionim neutral të EULEX-it karshi statusit të Kosovës.

Analisti Ilir Deda shprehet pesimist për realizmin e kërkesave serbe në kuadër të modaliteteve eventuale të Bashkimit Evropian, që do të mundësonin funksionimin e EULEX-it në Republikë.

"Kjo është vetëm një floskulë apo një kërkesë politike e Beogradit, e cila, sipas informatave më të fundit, nuk do të realizohet. Le të shpresojmë që deri në fund të dhjetorit do të ketë shtrirje të EULEX-it në të gjithë territorin e Kosovës pa kompromise fare me Beogradin", mendon Deda.

Misioni EULEX vazhdon të hasë në kundërshtimin e ashpër të banorëve serbë, por edhe të vetë Beogradit, të cilët kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës të bazuar në planin e Ahtisaarit -dokument ky i cili përcakton vendosjen e EULEX-it si mekanizëm asistues në polici dhe drejtësi.

EULEX-i, i cili parashihet që të funksionojë mbi bazën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si pasojë e mungesës së mbështetjes për pakon e Ahtisaarit në Këshillin e Sigurimit, është futur nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe të institucioneve të Kosovës vazhdojnë të pohojnë se shtrirja e këtij misioni do të bëhet deri në fund të dhjetorit të këtij viti, ndërkaq metodat dhe mënyrat e funksionimit të tij sidomos në pjesën veriore, mbesin akoma të paqarta.
XS
SM
MD
LG