Ndërlidhjet

Haraqija fton Sejdiun ta lë postin e presidentit


Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Astrit Haraqija, e fton presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, që ta shqyrtojë opsionin e dorëheqjes. "Nëse presidenti Sejdiu e do aq shumë LDK-në, mund të japë dorëheqje nga posti i presidentit dhe t'i udhëheqë reformat e partisë”, ka thënë ai.

Lidhja Demokratike e Kosovës zotohet se do t’i vazhdojë reformat pavarësisht vështirësive të paraqitura pas dorëheqjes së parevokueshme të shefit ekzekutiv të partisë, Blerim Kuçi, i ngarkuar pikërisht për zhvillimin e reformave.

Zyrtarët e kësaj partie presin rimëkëmbjen e saj pas rezultatit jo të mirë të treguar në zgjedhjet e fundit në Kosovë. Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ramë Manaj, thotë se pret që reformat të vazhdojnë edhe pas dorëheqjes së Kuçit, duke i mbështetur reformat në këtë parti, sipas dy dokumenteve të miratuara nga Kryesia e LDK-së.

“Aktualisht po punohet në ridizajnimin e programit të partisë dhe është puna në një ngritje eventuale të cilësisë së organizimit politik e struktural të partisë, para së gjithash për të ofruar edhe hapje të partisë për përtëritje, për forca të reja”, thotë Manaj.

Ndërkohë, Astrit Haraqija, anëtar i Kryesisë, thotë se partia duhet ta shqyrtojë edhe dorëheqjen e Blerim Kuçit, pavarësisht se ajo është e parevokueshme. Sipas tij, duhet të sqarohen arsyet e dorëheqjes së Kuçit, nëse ai e ka dhënë me vullnetin e tij apo ishte i shtrënguar nga jashtë që të tërhiqet.

Sipas deklaratave të Kuçit, dorëheqja atij i është kërkuar nga kryetari me postin e ngrirë të LDK-së dhe presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Andaj, Haraqija kërkon që të ketë sqarime, pasi që në LDK ka zyrtarë që mendojnë se Sejdiu nuk ka kompetenca kushtetuese që nga posti i presidentit të Kosovës, të interferojë në çështjet partiake.

“Reforma nënkupton edhe ndryshim të emrave të njerëzve që mund të shkojnë, kështu që askush nga Kryesia nuk e ka të garantuar që do të mbetet anëtar i saj. Por, ne jemi të interesuar që t’i mbajmë reformat dhe të shkojmë në zgjedhjet partiake, për arsye se elektorati, dashur e padashur, në njëfarë forme, na ka dënuar me votën e 17 nëntorit".

"Kështu që edhe këtë dorëheqjen e Kuçit, qoftë e parevokueshme apo një dorëheqje e thjeshtë, ne duhet ta diskutojmë në parti dhe në Kryesi të LDK-së”, thotë Haraqija.

Astrit Haraqija nuk pret që në LDK të ketë thyerje të reja të ngjashme me Kuvendin e fundit, kur kjo parti ishte ndarë në dy subjekte politike. Ai thotë se LDK-ja ka hyrë në një koalicion jo krejt të natyrshëm me PDK-në, vetëm për shkak të statusit.

Andaj, ai i sheh këto zhvillime edhe si çmim që LDK-ja paguan. Haraqija i bën thirrje presidentit Fatmir Sejdiu, i cili e mban të ngrirë postin e kryetarit të LDK-së, që në harmoni me Kushtetutën, të vendosë dhe nëse dëshiron të udhëheqë partinë, të japë dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës.

“Kryetarit Sejdiu, në qoftë se aq shumë i ka mbetur ta udhëheqë dhe e do LDK-në, për hir të Kushtetutës, e cila nuk ia lejon edhe kryetar i LDK-së, edhe i shtetit, mund të japë dorëheqje nga presidenti i Kosovës dhe të vijë e të udhëheqë reformat e partisë, për arsye se shumë më mirë do të ishte të jetë një parti e qëndrueshme, sesa një funksion dekorativ, thënë më qartë”, thekson Haraqija.

Në anën tjetër, Ramë Manaj, i cili është edhe zëvendëskryeministër, beson se reformat në LDK nuk do të reflektohen në koalicionin qeverisës.

“Asnjë indikacion nuk ka që këto zhvillime të kenë refleksione negative në koalicionin aktual mes PDK-së dhe LDK-së, pra në qeverinë aktuale”, thotë Manaj.

Ndryshe nga Manaj, zyrtari tjetër i partisë, Astrit Haraqija, nuk e përjashton edhe mundësinë që reformat të kenë efekte në koalicionin e LDK-së me PDK-në, marrë parasysh se reformat mund të sjellin edhe njerëz të rinj në LDK.

“Vetë fjala reformë është fjalë e dhimbshme, për arsye se njerëzit mund të lëvizin nga ato pozicione që i mbajnë, kështu që mund të reflektojnë edhe në të gjitha segmentet. Por, prapëseprapë, një reformë e mirëfilltë, në qoftë se mbahet, nuk besoj se do të sjellë reagime të mëdha”, thotë Haraqija.

Që nga vdekja e presidentit Ibrahim Rugova, i cili pati formuar dhe drejtuar këtë parti, LDK-ja më pas iu nënshtrua në vazhdimësi një procesi të ndërlikuar të reformave, të cilat as sot nuk janë të definuara, pasi që ato mbeten në zhvillim e sipër.

Kuvendi i fundit zgjedhor i partisë pati rezultuar me ndarje, kurse në zgjedhjet e fundit, LDK-ja nuk arriti të jetë e para, por subjekti i dytë politik. Këto zhvillime janë marrë si arsye e mjaftueshme te një pjesë e kësaj partie që kërkon nxitjen e reformave në tentim për të rikthyer LDK-në - kreun e spektrit politik kosovar.
XS
SM
MD
LG