Ndërlidhjet

Ende pa sigurime shëndetësore?


Ligji për sigurime shëndetësore ende nuk është miratuar në Kuvendin e Kosovës, çka ka bërë që të bllokojë edhe krijimin e fondit të sigurimeve shëndetësore. Sipas autoriteteve vendore, kjo deri më tani ka ndodhur në mungesë të çmimoreve për shërbimet shëndetësore dhe numrit të vogël të të punësuarve. Në anën tjetër, përfaqësues që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mosmiratimin e këtij ligji e konsiderojnë si të pakuptimtë.


Mungesa e ligjit për sigurime shëndetësore dhe e mjeteve materiale për krijimin e një ligji të tillë, vazhdon të bllokojë krijimin e fondit të sigurimeve shëndetësore në Kosovë.

Zyrtari për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Skënder Berisha, pohon se pas miratimit te ligjit nga legjislativi kosovar, ai do të zbatohet në përputhje me rrethanat ekzistuese në Kosovë.

"Ligji gjendet për momentin në Kuvendin e Kosovës; është në shqyrtim e sipër. Presim që të bëhet rishqyrtimi i tij. Komisioni parlamentar dhe instancat e tjera ligjore po merren me shqyrtimin. Presim rekomandimet që do të dalin rreth ligjit dhe si i tillë besojmë që do të jetë në pajtim me mundësitë dhe rrethanat në të cilat është Kosova aktualisht", tha Berisha.

Nga ana tjetër, Mimoza Ahmetaj, anëtare e komisionit parlamentar për shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, konsideron se ekzistojnë disa faktorë, të cilët vështirësojnë sigurimet shëndetësore.

"Ne kemi pasur një ligj për të cilin është debatuar dhe është punuar mjaft brenda komisionit, mirëpo, për arsye të ndryshme, e ndër to do të përmendja mungesën e çmimoreve të shërbimeve shëndetësore, pastaj numri i vogël i të punësuarve në Kosovë në raport me numrin e popullatës, si dhe ekzistenca e ekonomisë gri ose joformale, bëjnë të pamundur ekzistencën e sigurimeve shëndetësore", tha Ahmetaj.

Ndërsa, përfaqësuesi i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Bexhet Shala, mungesën e sigurimeve shëndetësore e konsideron si një gjë të pakuptimtë. Sipas tij, sigurimet shëndetësore në Kosovë janë shumë të nevojshme.

"Shteti ende nuk ka ndërmarrë këtë veprim, ngase pak është i kushtueshëm, dhe për këtë arsye deri tash nuk ka bërë asgjë. Kjo është ‘nonsens’ për një vend normal që të mos ketë sigurime shëndetësore", tha Shala.

Sidoqoftë, anëtarja e komisionit parlamentar për shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, zonja Ahmetaj, shpreson që shumë shpejt do të arrihet që të fillohet me sigurimet shëndetësore.

"E para, çështja e ekzistencës së ligjit dhe çështja e ekzistencës së fondit të sigurimeve shëndetësore janë dy gjëra, të cilat e plotësojnë njëra tjetrën. Ne mund ta kemi ligjin mbi sigurimet shëndetësore, mirëpo është e kotë një gjë e tillë po qe se nuk e kemi fondin”.


“Dhe, ideja ka qenë që njëherë të ekzistojë fondi për sigurime shëndetësore, i cili do të mbushej dhe pas një kohe do të vihej në shfrytëzim, siç është edhe fondi pensional. Mirëpo, një gjë e tillë është e pamundur, por prapë po them, ne shpresojmë se sa më shpejt që të jetë e mundur, një gjë e tillë do të bëhet", tha Ahmetaj.

Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, sigurimet shëndetësore realizohen në formë sigurimi shëndetësor themelor dhe privat, si dhe zbatohet varësisht nga vendi i punës.
XS
SM
MD
LG