Ndërlidhjet

"Parlamenti Evropian përgatit rezolutë të re për Kosovën"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
LAJM
Ajo që para dy javësh u plasua si një proces në përmbyllje rreth emërimeve të drejtuesve për njërin nga segmentet më sensitive në linjën e agjencive të pavarura, asaj për Inteligjencë, është stopuar sërish. Disa nga emrat që janë lakuar si kandidatura të mundshme për ta marrë fronin e dikasterit të spiunazhit, ende nuk e kanë kaluar rubikonin e pazareve politike. Sipas zyrtarëve të Qeverisë dhe Presidencës, procesi është ende në vazhdën e konsultimeve dhe nuk ka kurrfarë stagnimi, por jozyrtarisht mësohet se ende nuk ka ndonjë kandidaturë që ka arritur të mbledhë rreth vetes pajtimin e të gjitha palëve, duke përfshirë edhe ndërkombëtarët. Memli Krasniqi, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, thotë se nuk bëhet fjalë për ndonjë stopim procesi e as për presion, por fjala është për një studim të kujdesshëm që është duke iu bërë kësaj çështjeje...

INFOPRESS
Në kohën kur strukturat paralele serbe në veri të Kosovës bëjnë përpjekje që të organizojnë individë dhe grupe që të shantazhojnë serbët e tjerë që duan të pranojnë realitetin në Kosovë, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme po punojnë që atje të kthehet normaliteti dhe të pranohen e respektohen institucionet vendore. Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, zotohet për luftë ndaj të gjitha grupeve kriminale që synojnë shndërrimin e Kosovës në një oazë për kontrabandim dhe krim të organizuar. Në intervistën për “Infopress”, ministri Pajaziti rrëfen për planet dhe veprimet konkrete. I bën thirrje publike sistemit të drejtësisë dhe atij prokurorial në Kosovë, që të jenë më efektivë në rastet e përndjekjeve dhe në politikën e ndëshkimeve dhe është optimist për efikasitetin e punës...

ZËRI
Kreu i Parlamentit belg, Herman Van Rompui, është lutur dje që Republika e pavarur e Kosovës të jetë e përjetshme, të jetë shumetnike dhe demokratike. Gjatë një seance solemne të Kuvendit të Kosovës, të thirrur enkas për kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Belgjikës, Rompui tha se shteti belg i mbështet shtetet e vogla si Kosova, duke i përkrahur ato në rrugën e zhvillimit ekonomik dhe integrimeve evropiane me një shoqëri demokratike e shumetnike. Njëherësh, ai u bëri thirrje kosovarëve që të nxitojnë për të zënë hapin e integrimeve. Kurse, me një rast, Rompui u lut në tri gjuhët zyrtare të shtetit të tij, që shteti i Kosovës të rrojë gjatë dhe përgjithmonë... “Belgjika është dashur të presë për nëntë vjet për ta njohur Republikën e Kosovës dhe ne këtë e kemi bërë vetëm një ditë pas shpalljes”, tha Rompui...

KOSOVA SOT
Projektligji për Presidentin, i cili ende nuk ka marrë vulën e Parlamentit, ka filluar të amendamentohet në Komisionin për Legjislacion dhe Gjyqësi. Ndonëse ende nuk ka ndonjë vendim, ky projektligj, sipas të gjitha gjasave, do të pësojë ndryshime, veçmas kur është fjala për postin e presidentit, çështjen e stemës dhe pajisjes me pasaportë diplomatike, çështje këto për të cilat është diskutuar. Vetë kryetari i Komisionit për Legjislacion, Bahri Hyseni, në një prononcim për gazetën tha se projektligji ende është në diskutim. “Komisioni për Legjislacion ka filluar amendamentimin e këtij projektligji”, konfirmoi ai duke nënvizuar se Komisioni do t’i përmbahet Kushtetutës së Republikës së Kosovës...

KOHA DITORE
Misioni i BE-së në fushën e rendit dhe të ligjit, si dhe funksionimi i institucioneve të Kosovës, janë kësaj radhe temat kryesore, të cilat pritet të adresohen në Rezolutën e ardhshme të Parlamentit Evropian. Tekstin e propozimit të kësaj rezolute e ka përpiluar tashmë raportuesi për Kosovës në Parlamentin Evropian, deputeti i të Gjelbërve nga Holanda, Joost Lagedijk, dhe ajo pritet të diskutohet së pari, javën që vjen, në Komitetin e Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian. Deri në mesin e nëntorit do të mund të paraqiten amendamentet në këtë Rezolutë, ndërsa për të do të votohej në fillim të dhjetorit, së pari në Komitetin e Politikës së Jashtme, e më pas eventualisht edhe në seancë plenare. “Koha Ditore” ka siguruar tekstin e draftit të Rezolutës së re të Parlamentit Evropian për Kosovën...

EXPRESS
Ndërmjetësi i OKB-së, Andrew Ladley, ia ka mësyrë edhe një herë Beogradit, në kuadër të përpjekjeve për të gjetur zgjidhje për funksionimin e pushtetit në enklavat serbe në Kosovë. Në raundin e katërt të bisedimeve në kryeqytetin serb, të martën pasdite, me Ladleyn ka udhëtuar edhe shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, i cili që disa javë nuk ka qenë i përfshirë drejtpërsëdrejti në këtë proces. Burime të gazetës kanë thënë se dy zyrtarët e OKB-së kanë nxituar për në Beograd, me ftesë të autoriteteve serbe. Ladley dhe Zannier janë pritur nga numri dy i Ministrisë së Punëve të Jashtme serbe, sekretari shtetëror, Radojko Bogojeviq, i cili është udhëheqës i delegacionit serb në bisedimet për gjashtë çështjet e caktuara nga Ban Ki Moon...

BOTA SOT
Kryesia e Kuvendit të Kosovës është pajtuar që në seancën e radhës, më 6 nëntor, të diskutohet çështja e emërimit të anëtarëve të Bordit të Trustit Pensional të Kosovës. Kryesia ka kërkuar që kjo çështje të debatohet për të gjetur një zgjidhje për humbjet e kursimeve të Trustit Pensional, pas krizës financiare që e ka përfshirë tregun financiar botëror. Kryekuvendari Jakup Krasniqi konfirmoi se kjo do të jetë pikë e rendit të ditës më 6 nëntor, por nuk dha detaje të tjera se di do të zhvillohen diskutimet lidhur me këtë çështje. Naim Maloku, anëtar i Kryesisë së Kuvendit (AAK), e konfirmon pohimin e Krasniqit, duke plotësuar se Kryesia e Kuvendit është pajtuar, që përveç se do të diskutohet për çështjen e Bordit të Trustit Pensional të Kosovës, deputetët duhet të merren seriozisht për të gjetur një zgjidhje të duhur për këtë institucion të pavarur, që po kalon një krizë nga e cila po pësojnë qytetarët...

EPOKA E RE

Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, është njëri ndër njerëzit më legjitimë në udhëheqje të vendit, por edhe të partisë. Sejdiu është zgjedhur kryetar i LDK-së me vota demokratike dhe të fshehta, me kundërkandidatë në Kuvendin e Gjashtë të Partisë dhe, po ashtu, është zgjedhur kryetar i Kosovës nga votat e deputetëve të Kuvendit, ka thënë të martën për “Epokën e Re”, sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ramë Manaj. Duke e komentuar deklaratën e Astrit Haraqisë, në të cilën ka deklaruar se “kryetari Sejdiu, nëse aq shuam e do LDK-në, për hir të Kushtetutës, e cila nuk ia lejon të jetë edhe kryetar i partisë edhe i shtetit, mund të japë dorëheqje nga presidenti i Kosovës dhe të vijë e t’i udhëheqë reformat e partisë”, Manaj ka kundërshtuar Haraqijën, duke thënë se Sejdiu duhet të mbetet edhe më tutje kryetar i LDK-së, edhe pse në këto rrethana e ka postin e ngrirë...
XS
SM
MD
LG