Ndërlidhjet

McCain kritikon Obamën


Barack Obama dhe John McCain
Barack Obama dhe John McCain

Senatori demokrat, Barack Obama, ditë më parë, u tha votuesve se ai beson në rivendosjen e nivelit më të lartë të taksave për amerikanët e pasur, si mënyrë për të "shpërndarë pasurinë". Rivali i tij, senatori republikan, John McCain, vazhdimisht e ka kritikuar Obamën për përkrahjen e kësaj ideje, duke thënë se ajo i mashtron amerikanët, të cilët kanë punuar shumë për të ardhurat e tyre. Tash, disa ditë para zgjedhjeve të 4 nëntorit, McCain thotë se ka zbuluar se Obama e ka mbrojtur këtë teori 7 vjet më parë.

Dy javë më parë, në një fushatë në Ohio, një banor lokal e pyeti senatorin Obama përse dëshiron t'i rritë taksat e njerëzve, që fitojnë më shumë se 250 mijë dollarë në vit.

Obama u përgjigj se ai dëshironte "ta shpërndajë pasurinë gjithandej" për të mirën e të gjithëve.

Rivalët e tij, John McCain dhe bashkëgaruesja për nënpresidente, Sarah Palin, e panë këtë si provë se planet e demokratëve anojnë kah socializmi.

Gjatë kësaj fundjave, kundërshtarët e Obamës e bënë publik regjistrimin e një interviste në radion publike në Chicago, të vitit 2001, ku Obama shpreh zhgënjimin e tij se lëvizjet për të drejtat civile të viteve të '50 dhe '60 nuk i përfshinë përpjekjet për rishpërndarjen e pasurisë.

"Njëra nga tragjeditë e lëvizjes civile ishte se ajo u fokusua në gjykatë. Mendoj se ka pasur tendenca për të humbur gjurmët e organizimit politik dhe të komunitetit nga ndryshimet që sjell rishpërndarja", ka thënë Obama.

Të martën, MCain tha se ky regjistrim është një dëshmi më tepër se Obama dëshiron ta përdorë pasurinë e disa njerëzve për t'i ndihmuar ata që kanë më pak.

"Pas disa muajsh të elokuencës në fushata, më në fund mësuam se çfarë është qëllimi ekonomik i Barack Obamës: të shpërndajë pasurinë. Në një intervistë radiofonike që u zbulua këtë javë, ai ka thënë se tragjedia e lëvizjeve për të drejtat civile është se ato nuk arritën të rishpërndajnë pasurinë".

"A mund të imagjinoni?! Senatori Obama beson në rishpërndarjen e pasurisë, e jo në politikat që krijojnë vende pune dhe rritje ekonomike",
tha McCain.

Duke folur në Hershey të Pensilvanisë, McCain i tha të pranishmëve entuziastë se do të ishte katastrofike çdo përpjekje për të rritur taksat në kohën kur ekonomia shënon rënie.

Nga ana tjetër, McCain tha se mbajtja e nivelit të ulët të taksave e forcon ekonominë, duke u dhënë bizneseve më shumë para për të marrë punëtorë, ndërsa punëtorëve u jep më shumë para për të blerë të mira materiale.

Këtyre fjalëve u bëri jehonë Sarah Palin, e cila tha se nëse Obama zgjidhet president, ai do t'i ndëshkojë njerëzit që kontribuojnë më së shumti në produktivitetin e Amerikës.

"Nuk duket sikur shumë e njerëz mbështesin shpërndarjen e pasurisë që e proklamon Obama. Kjo për shkakun se, sipas meje, një shpërndarje e këtillë e pasurisë përfundimisht do ta ndëshkojë punën tuaj të vështirë dhe do ta shkurajojë produktivitetin", tha guvernatorja nga Alaska.

Komentet e Obamës për "shpërndarjen e pasurisë", Palin vazhdimisht i ka ndërlidhur me socializmin.

Kritikave të republikanëve iu përgjigj bashkëgaruesi i Barack Obamës, senatori Joseph Biden.

Në Florida, ai i përkujtoi njerëzit për një pyetje të shpeshtë që ish-presidenti Ronald Reagan e bënte gjatë fushatës kundër demokratit, Jimmy Carter.

"Pyetja në këto zgjedhje nuk është: A jeni më mirë sot se katër vjet më parë? Republikanët, demokratët dhe të tjerët e dinë përgjigjen. Por, pyetja e vërtetë është: Kush do të na bëjë të jemi më mirë katër vjet më pas? Në këtë pyetje duhet të përqendrohemi".

"Ju të gjithë e dini përgjigjen. Zgjidhja e qartë është Barack Obama
", tha Biden.

Ai i tha turmës se Obama do të punojë shumë për klasën e mesme të Amerikës, do t'i ndalë humbjet e jetëve në Irak, dhe resurset do t'i shfrytëzojë për riparimin e infrastrukturës së ndryshkur amerikane.
XS
SM
MD
LG