Ndërlidhjet

logo-print

Krimi i organizuar vazhdon të jetë i pranishëm Kosovë, thonë autoritetet vendore dhe ekspertë për çështje të sigurisë. Por, përderisa zyrtarë të ekzekutivit kosovar deklarojnë se po luftojnë këtë fenomen, ekspertët thonë se nuk është efikase lufta kundër krimit të organizuar.

Mungesa e infrastrukturës ligjore, mungesa e shërbimeve të zbulimit dhe e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kanë bërë që krimi i organizuar në forma të ndryshme të jetë i pranishëm në Kosovë. Kështu thonë ekspertë për çështje të sigurisë, sipas të cilëve, Kosova, si vend transit për trafikimin e narkotikëve, armëve, kontrabandës dhe qenieve njerëzore, tashmë po përballet edhe me rrezikun e pastrimit të parave.

Fadil Kajtazi, ekspert i sigurisë, thotë se në mungesë të institucioneve adekuate, masat për luftimin e krimit të organizuar nuk janë efikase.

"Mendoj se nuk e kemi të rrumbullakuar sistemin e sigurisë në Kosovë. Sistemi i sigurisë në Kosovë është sistem i hapur. Do të thotë, është SHPK-ja, mungon Forca e Sigurisë, mungon edhe Shërbimi i Zbulimit. Derisa nuk bëhet rrumbullakimi i tërësishëm i sistemit të sigurisë në Kosovë, ne do të kemi praninë e krimit të organizuar në Kosovë dhe masat për luftimin e tij nuk do të jenë efikase", tha Kajtazi.

Ndryshe, Veton Elshani, zëdhënës në Policinë e Kosovës, thotë se krimi i organizuar po luftohet nga ky shërbim, por ai thotë se vetëm njësiti për luftimin e krimit të organizuar në kuadër të SHPK-së nuk është i mjaftueshëm për ta luftuar këtë fenomen.

"Deri më tani kemi pasur mjaft raste kur ne kemi shkatërruar linja të tëra të zhvillimit të kontrabandimit me njerëz, vjedhjeve të veturave... Të gjitha këto hyjnë në kuadër të krimit të organizuar”.

“Dihet që krimi i organizuar nuk luftohet vetëm brendapërbrenda Kosovës, nuk luftohet vetëm nga një institucion, por nga i gjithë spektri i institucioneve në përgjithësi në mbarë territorin e Kosovës, duke përfshirë edhe partnerët tanë jashtë vendit
", pohon Elshani.

Në anën tjetër, edhe zyrtarë të institucioneve të Kosovës pranojnë se në Kosovë ka korrupsion dhe krim të organizuar. Memli Krasniqi, zëdhënës në Qeverinë e Kosovës, thotë se ekzekutivi i vendit është zotuar të luftojë këtë dukuri në çdo formë dhe me çdo mekanizëm.

“Qeveria e Kosovës që nga fillimi ka shprehur përkushtimin e saj të plotë, për të luftuar dukuritë negative - ato që janë ekzistente në Kosovë - dhe ka deklaruar zero tolerancë korrupsionit dhe krimit të organizuar që mund të funksionojë në Kosovë”, tha Krasniqi.

Por, Fadil Kajtazi thotë se institucionet e Kosovës janë ato, të cilat më tepër po e pengojnë parandalimin e këtij fenomeni, sesa që po e luftojnë atë.

"Gjithë kohën pengojnë konstituimin e organeve efikase, të cilat do të merren me këtë punë. Shikoni vetëm sa është duke u zvarritur formimi i agjencisë së inteligjencies së Kosovës”.


“Unë nuk jam i pajtimit që kjo të zvarritet për shkak se partitë politike nuk bien në ujdi. Unë konsideroj se kjo është një influencë e grupeve mafioze, që nuk janë të interesuar që në Kosovë të instalohet një rend i sigurt dhe një rend i vërtetë demokratik", shprehet Kajtazi.

Ai madje thotë se luftën kundër krimit të organizuar po e pengon niveli i lartë i korrupsionit.

"Në momentin kur nuk ke strukturë të organizuar të shtetit, e cila merret në mënyrë profesionale me këtë punë, shfaqet edhe korrupsioni dhe format tjera të pengimit të luftës kundër krimit të organizuar. Njerëzit, të cilët janë të instaluar në pozita ku kanë influencë, janë të papenguar që të zhvillojnë këtë aktivitet", thotë Kajtazi.

Sidoqoftë, dukuria e krimit të organizuar në Kosovë është njëra prej sfidave më të mëdha për institucionet vendore dhe ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë. Për shkak të mungesave në rrafshe të shumta, lufta për çrrënjosjen e këtij fenomeni vazhdon të jetë e kufizuar.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG