Ndërlidhjet

logo-print

Të dënohen krimet në ish-Jugosllavi


Fotografitë e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë 1998-1999, të vendosura në rrethojat e Kuvendit.

Fotografitë e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë 1998-1999, të vendosura në rrethojat e Kuvendit.

Pjesëmarrës të Forumit të katërt rajonal për vendosjen e drejtësisë në shoqëritë e vendeve të ish-Jugosllavisë theksojnë se pa ndihmën institucionale nuk mund të bëhet shumë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve si dhe në vënien para drejtësisë të njerëzve përgjegjës për krime të luftës.


Njerëzit që kanë kryer krime gjatë luftërave të fundit në ish-Jugosllavi, duhet të dalin para drejtësisë. Ky vlerësim doli nga Forumi IV rajonal për vendosjen e drejtësisë në shoqëritë e vendeve të ish-Jugosllavisë, i cili vlerësohet të jetë një ndihmesë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve, por edhe vënies para drejtësisë të njerëzve që kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në vendet e tjera të ish-Jugosllavisë.

Drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, Natasha Kandiq, thotë se shoqëria civile duhet të vazhdojë të ngrejë zërin dhe të vetëdijesojë popullin për padrejtësitë dhe krimet që janë bërë në ish-Jugosllavi.

"Para gjyqeve në Hagë dhe atyre nacionale, më shumë se 250 persona janë dënuar për krime lufte. Kjo është një pjesëz, por, megjithatë, diçka po lëviz dhe mendoj se tubimet si ky, kjo nxjerrje publike e fakteve për krimet e luftës, dëshmitë publike të viktimave, ka një jehonë, fillon të brengosë, të shqetësojë njerëzit”.

“Ajo që nevojitet, është që ne si shoqëri civile, me tubime të tilla në mënyrë të mjaftueshme t'i shqetësojmë ata, të cilët kanë përgjegjësi dhe kompetenca të burgosin dhe dënojnë kryesit e veprave", vlerëson Kandiq, e cila shprehet e bindur se drejtësia do të fitojë në çdo rast.

Forumi kishte për qëllim edhe organizimin dhe krijimin e një komiteti rajonal për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Mirin Ramoviq, nga qyteza Prijedor në Bosnjë e Hercegovinë, në të cilën edhe 13 vjet pas përfundimit të luftës nuk dihet fati i rreth 1700 personave, prej te cilëve 1.500 janë boshnjakë, e vlerëson si të rëndësishëm mbajtjen e forumit dhe shprehet optimist për sukseset e këtij organizimi.

Ai konsideron se zbardhja e fakteve për krimet e luftës dhe te pagjeturit, do të ndikojë ne procesin e pajtimit dhe zgjidhjen e probleme të shumta, me të cilat ballafaqohen shtetet e dala nga ish-Jugosllavia.

"Ne në Prijedor presim shumë nga ky forum dhe në komisionin e ardhshëm që duhet të zbardhë argumentet për krimet e luftës, pasi që judikatura ka kapacitete të kufizuara. Kështu që ato që duhet të bëjë drejtësia, për fat të keq duhet t’i bëjë ky forum", thotë Ramoviq.

Në Kosovë, edhe 9 vjet pas luftës, vazhdojnë të mbesin të pagjetur rreth 1900 persona. Qeveria e Kosovës, kohë më parë, kishte krijuar grupin e veçantë punues për fillimin e dialogut me Beogradin për çështjen e të pagjeturve, mirëpo, me kalimin e kohës, duket se jenë zbehur kontaktet Prishtinë-Beograd lidhur me këtë çështje.

Kryetari i Këshillit koordinues për personat e pagjetur në Kosovë, Haki Kosumi, vlerëson se Beogradi është vendi ku mund të gjenden shumë përgjigje rreth të pagjeturve në Kosovë.

"Adresë e vetme dhe vend ku mund të sigurohen informacionet dhe ku ruhen të dhënat për të gjitha krimet e bëra në Kosovë, është Beogradi", mendon Kosumi.

Përfaqësuesja e grave të fshatit Krushë e Madhe, Fahrie Hoti, thotë se bashkëpunimi me institucionet serbe është i nevojshëm për të arritur rezultate në këtë drejtim.

"Mendoj se kryesit e krimit që është bërë në Kosovë, do të dalin para drejtësisë, nëse ne jemi korrektë dhe e tregojmë të vërtetën. Një bashkëpunim ndërmjet institucioneve tona dhe atyre të Serbisë do të krijojë një kompromis, i cili do t'i identifikojë njerëzit që kanë bërë krime", shprehet Hoti.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, administrata e Kombeve të Bashkuara ka trajtuar dosjet e krimeve të luftës si dhe çështjen e personave të pagjetur. Pritet që UNMIK-u t'ia dorëzojë EULEX-it 1 mijë e 200 lëndë që kanë të bëjnë me krime të luftës dhe 300 mijë dokumente për procese të pazgjidhura.
XS
SM
MD
LG