Ndërlidhjet

Sa të besueshme janë anketat?


Barack Obama dhe John Mccain
Barack Obama dhe John Mccain

Anketat më të fundit të opinionit tregojnë se kandidati presidencial demokrat, Barack Obama, kryeson ndaj rivalit të tij republikan, John McCain. Pyetja që po shtrohet gjithnjë e më dendur është se sa mirë i pasqyrojnë anketat sjelljet e votuesve. Kjo pyetje merr rëndësi të veçantë këtë vit, kur kemi një zgjedhje të paprecedentë në historinë politike amerikane.


Qendra kërkimore Pew, një organizatë shumë e respektuar që merret me hulumtimin e opinionit, në anketën më të fundit i jepte Barack Obamës një kryesim prej 16 pikësh karshi rivalit të tij, kandidatit presidencial republikan, John McCain.

Anketat e tjera të opinionit, organizuar nga të tjera qendra hulumtuese, i japin Obamës një avantazh prej 5-9%.

Kandidati demokrat prej javësh është favorit i qartë për fitoren e zgjedhjeve presidenciale amerikane. Kjo ka bërë që shumë media të përdorin togfjalësha të tillë si "zgjedhje historike" apo "furtunë e Partisë Demokratike".

Madje, nuk kanë munguar as ata që thuajse e kanë pranuar hapur se zgjedhjet e javës së ardhshme tashmë janë një çështje e mbyllur.

Por, a është e drejtë të besohen kaq shumë anketat e opinionit? A janë anketat një parashikim i qartë i asaj që do të ndodhë ditën e zgjedhjeve presidenciale të 2008-ës në Shtetet e Bashkuara?

McCain krijoi kryetituj fundjavën e shkuar, duke deklaruar se anketat e opinionit nuk janë të besueshme.

"Nuk jam dakord me konkluzionet e tyre, sipas të cilave unë jam 11, 12 apo 14% pas. Ne kemi anketat tona, por edhe anketa të tjera, si ato të bëra nga Zogby, që tregojnë se ne jemi vetëm 3-4% pas", tha McCain gjatë programit "Meet the Press" të NBC-së.

McCain mund të ketë të drejtë. Anketat e opinionit bënë mjaft parashikime të gabuara gjatë kësaj fushate, e cila ka qenë plot me të papritura dhe kthesa të paparashikuara.

Dhjetorin e kaluar, gazeta Washington Post i jepte Hillay Clintonit një përparësi prej 30 pikësh krahasuar me rivalin Barack Obama në garën brenda demokratëve.

Ditën e zgjedhjeve më 4 nëntor, një numër faktorësh mund të ndikojnë që t'i nxjerrin të gabuara anketat e opinionit.

Kandidatura e Barack Obamës është e paprecedentë, pasi asnjëherë më parë nuk ka pasur kandidat presidencial me ngjyrë nga dy partitë më të mëdha.

Analistët politikë, gazetarët, sociologët kanë debatuar me të madhe gjatë kësaj fushate rreth rolit që do luajë raca në votimin e 4 nëntorit 2008.

Flitet shpesh për efektin Bradley, që lidhet me ish- bashkiakun e Los Anxhelosit, i cili në vitin 1982 humbi zgjedhjet për guvernator të Kalifornisë. Anketat i jepnin Bradleyt përparësi të dukshme ndaj kandidatit republikan.

Por Bradley, që ishte afro-amerikan, i humbi zgjedhjet dhe u pa se votuesit e bardhë i kishin dhënë shumë më pak vota se ç'kishin parashikuar anketat.

Pyetja shtrohet: A mund të përsëritet i ashtuquajturi fenomeni Bradley në zgjedhjet e javës së ardhshme?

Ka tregues që thonë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Obama, i biri i një afrikani dhe i një gruaje të bardhë, mund të jetë kandidati i parë që i tejkalon dallimet e shkaktuara nga ngjyra e lëkurës.

Një tjetër çështje është edhe i ashtuquajturi "problemi mysliman".

Obama është i krishterë, po një nga emrat e tij është Husein, që vjen nga arabishtja e që është i njëjtë me atë të diktatorit irakian, Sadam Husein.

Emri i tij i parë Obama, i vënë nga i ati, rimon me Osama, terroristi më i kërkuar nga SHBA-të, Osama Bin Laden.

Ka pasur një fushatë insinuatash që përpiqeshin të lidhnin Obamën me grupe terroriste. Vetë Obama ka bërë humor me përpjekje të tilla.

"Në frymën e zbulimeve do të ketë disa befasi në tetor. Së pari, emri im i dytë nuk është ai që mendoni ju, por është Steve. Emri im i plotë është Barack Steve Obama", tha senatori demokrat, duke bërë humor me akuzat.

Me gjithë përpjekjet e Obamës për të bërë humor me këtë çështje, në tubimet e McCainit ka pasur nga ata që e kanë quajtur Obamën "tradhtar", madje duke shkuar dhe më larg e duke thënë "Vriteni".

Një tjetër problem që po i shoqëron edhe këto zgjedhje amerikane janë parregullsitë e makinave të votimit.

McCain dhe Obama kanë punësuar një ushtri prej mijëra avokatësh që do të jenë të gatshëm ditën e votimit, nëse çështje ligjore apo parregullsi dalin në shesh.

Dhe, siç tha një anketues opinioni, është tepër optimiste të mendosh se 130 milionë njerëz do të votojnë pa shkuar asgjë gabim.
XS
SM
MD
LG