Ndërlidhjet

Misioni i BE-së, EULEX, thekson se si mision teknik nuk do të marrë qëndrim sa i përket statusit të Kosovës. Ndërkohë që Zyra Civile Ndërkombëtare zotohet se do të mbikëqyrë zbatimin e planit të Ahtisaarit.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit dhe drejtësi, EULEX, mohon mundësinë e pozicionimit të këtij misioni si neutral karshi statusit të Kosovës. Zyrtarë të EULEX-it në Kosovë shprehen të bindur se kërkesa e Beogradit zyrtar për t'i caktuar këtij misioni një pozicionim neutral karshi statusit të Kosovës, nuk do të ndikojë në punën e tij në vend.

Zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal, thotë se misioni i BE-së për polici dhe drejtësi në Kosovë do të veprojë në përputhje me mandatin e krijuar nga mbështetja e të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe në kuadër të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

"Ne jemi një mision teknik për sundimin e ligjit i dërguar në Kosovë nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Ne nuk marrim qëndrim për pavarësinë e Kosovës. Ne jemi këtu për të ndihmuar në zbatimin e ligjit, gjë të cilën do të bëjmë. Sa i përket kërkesave të Beogradit zyrtar, duhet të drejtoheni atje, mirëpo mandati jonë është i qartë - është pikërisht veprimi në përputhje me Rezolutën 1244
", tha Limdal.

Bazuar në planin e presidentit Martti Ahtisaari për pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën, EULEX-i duhet t'i asistojë Qeverisë së Kosovës në fushën e policisë, të doganave dhe në gjyqësi. Rrjedhimisht, EULEX-i do të duhej të vepronte në përputhje me ligjet e Kushtetutës së Kosovës, mirëpo, për shkak të kundërshtimit të Beogradit zyrtar ndaj këtij misioni si dhe ndaj vetë dokumentit të Ahtisaarit, EULEX-i ishte futur nën ombrellën e OKB-së.

Të gjitha këto veprime që janë të përcaktuara me propozimin gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës mbikëqyren nga Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë. Por, zyrtarë të ICO-së thonë se kjo zyre do të monitorojë implementimin e pakos së Ahtisaarit, pavarësisht mandateve, në bazë të të cilave veprojnë misionet e tjera ndërkombëtare në vend.

Zëdhënësi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Andy McGuffy, sqaron:

"Zyra Civile Ndërkombëtare, së bashku me Qeverinë e Kosovës, është përgjegjëse për implementimin e planit të Ahtisaarit. Në propozimin gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës përmenden dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë, por është me rëndësi të kujtojmë se këta aktorë kanë mandatet e tyre nga autoritetet përgjegjëse. Pra, EULEX-i do të veprojë në bazë të Rezolutës 1244 si dhe në përputhje me mandatin e marrë nga 27 shtetet anëtare të BE-së si mision teknik i sundimit të ligjit", theksoi McGuffy.

Në Kosovë aktualisht funksionojnë disa pushtete, ku përfshihet dhe ai i strukturave ilegale serbe, koordinimi i të cilëve në praktikë akoma duket të jetë i paqartë. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe me hyrjen në fuqi të Kushtetutës, Qeveria kosovare ka marrë përsipër një pjesë të madhe të përgjegjësive, të cilat deri atë kohë hynin nën autoritetin e administratës së Kombeve të Bashkuara në vend, mekanizëm i cili aktualisht është duke kaluar nëpër një proces të rikonfigurimit.

Me hyrjen në fuqi të Kushtetutës u aktivizua edhe Zyra Civile Ndërkombëtare, ndërkohë që misioni i dytë i BE-së në vend, EULEX, akoma nuk është operacional. Sipas ICO-së, punët e këtyre misioneve do të koordinohen në mënyrë që të shmangen përplasjet ndërmjet tyre.

"Çdo organizatë ndërkombëtare është në Kosovë për të punuar në të mirë të të gjithë qytetarëve të vendit. Jam i bindur se të gjitha misionet në Kosovë do të punojnë për të pasur një koordinim të mirë sa i përket veprimeve të ndryshme që ne ndërmarrim", shton zëdhënësi McGuffy.

Kërkesa e Beogradit zyrtar për shtrirjen e EULEX-it nëpër vendet e banuara me serbë përmes një rezolute të Këshillit të Sigurimit, për neutralitetin e këtij misioni sa i përket statusit të Kosovës si dhe për moszbatimin e planit të presidentit Ahtisaari, ka futur qarqet vendimmarrëse brenda BE-së dhe OKB-së në një raund të ri të konsultimeve ndërmjet vete, për gjetjen e modaliteteve adekuate për funksionalizimin e EULEX-it në mbarë Kosovën.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG