Ndërlidhjet

Kryesia e LDK-së ka konstatuar dorëheqjen e shefit të saj ekzekutiv, Blerim Kuçi, duke synuar vazhdimin e reformave në parti. Mirëpo, te disa anëtarë të Kryesisë kishte konfuzion nëse LDK mund t’i vazhdojë këto reforma dhe është kërkuar që të shpallen zgjedhjet e reja partiake.

Lidhja Demokratike e Kosovës zotohet se do t’i vazhdojë reformat edhe pas dorëheqjes së parevokueshme të shefit të saj ekzekutiv, Blerim Kuçi, i ngarkuar pikërisht për këto reforma.

Por, njëherësh, disa zyrtarë të Kryesisë së kësaj partie shprehen skeptikë se LDK-ja mund t’i përballojë këto reforma dhe kërkojnë zgjedhje të reja partiake. Sidoqoftë, nënkryetari i parë i LDK-së, Eqrem Kryeziu, tha se reformat në LDK nuk mund të lidhen me një emër dhe se ato do të vazhdojnë.

“Reformat nuk lidhen me emrat e një njeriu, qoftë edhe Blerim Kuçi që ka qenë një njeri shumë energjik në këtë kohë. Reformat janë përgatitur në mënyrën më të kujdesshme, madje edhe me asistencën e asociacioneve shumë të fuqishme që i njohin partitë moderne në Evropë dhe në Amerikë”, tha Kryeziu.

Ndryshe nga Kryeziu, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Ali Lajçi, thotë se presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili mban të ngrirë postin e kryetarit të LDK-së, bashkë me nënkryetarët e partisë, po e çojnë LDK-në kah përçarjet dhe ndarjet.

Lajçi tha se kjo elitë politike që është në krye të partisë i ka humbur zgjedhjet dhe me politika të tilla do ta çojë LDK-në në dështime të reja.

“Këta janë të pesë nënkryetarët, edhe vetë Fatmir Sejdiu, Eqrem Kryeziu, edhe Daci ua pati ndihmuar atëherë, kuptohet edhe ai i pati bërë një të rënë të mirë LDK-së. Asnjë mbledhje e Kryesisë nuk është dashur që të mbahet më, por që sa më shpejt të thirret Këshilli i Përgjithshëm dhe t’i shpallë zgjedhjet e përgjithshme. Zgjedhjet krijojnë strukturë të re dhe njëkohësisht ato janë edhe reformë në një masë”,
theksoi Lajçi.

Mendim tjetër nga Lajçi shpreh nënkryetari i LDK-së, Fadil Ferati, i cili tha se Kryesia e kësaj partie i ka dhënë mbështetje të plotë vazhdimit të reformave.

“Në parim dorëheqja e parevokueshme nuk votohet apo diskutohet deri në fund, mirëpo ne do të vazhdojmë dhe me rëndësi është që Kryesia e LDK-së do të vazhdojë me thellësinë e reformave dhe me dinamikën e paraparë edhe në kohën e zotit Kuçi”, u shpreh Ferati.

Një problem që vazhdon të jetë aktual në LDK është çështja e shumë posteve të zyrtarëve të saj më të lartë. Ditë më parë, anëtari i kryesisë së LDK-së, Astrit Haraqija, i kërkoi presidentit Sejdiu që të merr nën drejtim reformat në parti dhe të japë dorëheqje nga posti i presidentit.

Haraqija tha se nuk ka hequr dorë nga një kërkesë e tillë, e cila vlen edhe për anëtarët tjerë që mbajnë poste të dyfishta.

“Nuk tërhiqem nga ajo që postet e dyfishta, dashur e pa dashur, të vijnë në rend dite në bazë të reformave, 21 vendimeve që i kemi marrë, ato duhet të zbatohen. Të shohim për një javë dy. Pres, edhe unë pres, kam durim, më ka mësuar Ibrahim Rugova që të kem durim”, theksoi Haraqija.

Kriza e re në LDK është vlerësuar se erdhi si pasojë e një vendimi të presidentit Sejdiu, i cili i kërkoi shefit ekzekutiv të kësaj partie, Blerim Kuçi, të japë dorëheqje, për shkak se ishte vlerësuar që Kuçi ka avancuar reformat më thellë sesa që atij i kishte kërkuar Kryesia.

Blerim Kuçi sot nuk ishte i pranishëm në mbledhjen e Kryesisë, por, sidoqoftë, dorëheqja e tij është konstatuar dhe se nënkryetarët e partisë e kanë marrë përsipër vazhdimin e reformave.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG