Ndërlidhjet

logo-print

Të rinjtë në Kosovë të painformuar për HIV/AIDS-in


Të rinjtë në Kosovë nuk kanë njohuri të mjaftueshme për AIDS-in - nxjerr në pah studimi "Njohuritë, Qëndrimet, Përvojat dhe Sjellja e të Rinjve në Kosovë mbi HIV/AIDS", i cili u publikua sot, në një konferencë të organizuar nga Ekipi i Përbashkët i Agjencive të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Këtë e konfirmoi edhe kryesuesja e grupit tematik të Kombeve te Bashkuara për AIDS, Doina Bologa, e cila pohoi se popullata në Kosovë është pak e informuar me këtë sëmundje vdekjeprurëse.

"Kosova ka popullsinë më të re në Evropë, me 50 për qind më të rinj se 25 vjeç dhe 40 për qind nën moshën 18 vjeçare. Studimet tregojnë se popullsia është pak e informuar lidhur me të drejtat dhe aftësitë jetësore, përfshirë edhe rrezikun nga seksi i pambrojtur, duhani, droga dhe alkooli", ka thënë zonja Bologa.

Ajo tha se hulumtimi i fundit i misionit të OKB-së ka pasur në shënjestër të rinjtë e moshës 15 deri në 25 vjeç. Të dhënat nga ky raport, sipas saj, ofrojnë informata të nevojshme për zhvillimin e strategjive të përshtatshme për parandalimin e HIV-it në mesin e të rinjve në Kosovë, duke pasur konsideratë të plotë për barrierat politike dhe kulturore, të cilat parandalojnë që informatat dhe shërbimet të arrijnë deri te meshkujt dhe femrat e reja.

Në raport thuhet se më tepër se gjysma e të anketuarve nuk kanë qenë në dijeni për dallimet në mes të shprehjeve HIV dhe AIDS. Niveli i njohurive për parandalimin e HIV-it pasqyrohet të jetë i ulët.

Vetëm 18% e meshkujve dhe 17% e femrave kanë identifikuar në mënyrë të saktë të gjitha mënyrat e parandalimit të bartjes së HIV-it nëpërmjet marrëdhënieve seksuale dhe kanë përjashtuar keqkuptimet më të shpeshta rreth bartjes së HIV-it nëpërmes formave të tjera.

Nga ana tjetër, ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi, e vlerësoi si çështje evidente mungesën e njohurive të të rinjve, për mënyrat e shmangies së kësaj sëmundjeje. Pavarësisht prezencës së sjelljeve të rrezikut të lartë që çojnë në përhapjen e infektimit, ministri Gashi shtoi se Kosova ka nivelin më të ulët të të infektuarve me këtë virus.

Të rinjtë në Kosovë janë duke ndryshuar në mënyrë të vrullshme sa i përket sjelljeve seksuale. Si dëshmi është edhe ky hulumtim i kryer këto ditë . Mosha e hyrjes në marrëdhënie seksuale është duke rënë dukshëm. Kur kësaj i shtohen edhe njohuritë e pamjaftueshme për infeksionet që barten me anë të kontaktit seksual, duke përfshirë edhe HIV-in... ", tha ministri Gashi.

Ekzistimi i rreziqeve për infektimin me virusin HIV në Kosovë theksohet edhe nga ana e psikologëve në vend. Sipas psikologut Safet Blakaj, kjo nuk do të thotë se Kosova nuk është pranë rreziqeve të një sëmundjeje të tillë.

"Rreziqet janë sigurisht dukshëm të shtuara, më shumë te grupacionet e ndryshme të të rinjve - përdorues të drogave intra-venoze, pastaj meshkujt që bëjnë seks me meshkuj, po ashtu edhe femrat që i përkasin grupit të seksit komercial. Normalisht, të gjitha këto janë me rrezikshmëri shumë të lartë. Kjo nuk na jep ndonjë arsye që edhe të rinjtë tjerë nuk kanë rrezik", tha Blakaj.

Sipas zotit Blakaj, numri i personave të cilët kanë qenë të prekur me HIV/AIDS është 68, ndërsa, tash për tash, në Kosovë janë 8 persona të infektuar.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG