Ndërlidhjet

Privatizimi i ndërmarrjeve publike në Kosovë nuk duhet të ndodhë në këtë kohë, për shkak të krizës globale financiare. Kështu vlerësojnë zyrtarë të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe njohës të çështjeve ekonomike. Ndryshe, ditë më parë, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të privatizojë Post Telekomin e Kosovës.

Zyrtarë të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe ekspertë për çështje ekonomike e konsiderojnë si hap të ngutshëm vendimin e Qeverisë për privatizimin e ndërmarrjeve publike.

Ditë më parë, ekzekutivi kosovar ka marrë vendim që të nxjerrë në shitje ndërmarrjen më fitimprurëse në Kosovë, Post Telekomin e Kosovës.

Xhafer Xhaferi, nënkryetar i BSPK-së, thotë se duke u nisur nga fakti se procesi i deritashëm i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore është vlerësuar si i dështuar, privatizimi i ndërmarrjeve të reja, thotë ai, do të prodhonte dështime dhe çrregullime të reja.

“Kryesia ekzekutive e BSPK-së, këtë vendim të Qeverisë e konsideron si një hap të ngutshëm dhe të pamatur mirë dhe nuk i ka llogaritur edhe konsekuencat e tij. Çështja e privatizimit është një çështje të cilën që sa kohë e ka trajtuar edhe BSPK-ja; ajo që është konstatim i përgjithshëm, është se privatizimi në pjesën më të madhe ka pasur dështime”, tha Xhaferi.

Ndërkaq, Shpend Ahmeti, ekspert për çështje ekonomike, vlerëson se privatizimi i PTK-së duhet të ndodhë, për shkak se, siç thotë ai, do të menaxhohet më mirë sesa tani.

“Përveç se do të përfitohen shërbime më të mira, Qeveria e heq nga vetja menaxhimin e një kompanie të tillë si PTK-ja. Mirëpo, në të njëjtën kohë, sigurohen edhe fonde shtesë për ofrimin e shërbimeve më të mira, në këtë kohë kur ne na nevojiten investime. Do të thotë, të hyrat që bëhen nga privatizimi i PTK-së, do të përdoren për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe për zhvillim ekonomik
”, tha Ahmeti.

Megjithatë, Shpend Ahmeti thotë se nuk është koha e përshtatshme për privatizimin e kësaj ndërmarrjeje, për shkak të krizës globale financiare. Ai thotë se çmimi të cilin do të mund ta fitojë Post Telekomi i Kosovës, mund të jetë më i vogël për shkak të kësaj krize, sepse në këtë krizë, Ahmeti thotë se edhe investitorët ndihen të pasigurt për të zgjeruar bizneset e tyre.

“Momenti nuk është i duhur aktualisht, për shkak të krizës financiare dhe mungesës së kapitalit në tregjet botërore, sepse nuk do ta marrim çmimin që kishim marrë para gjashtë muajsh”, vlerëson Ahmeti.

Edhe Xhafer Xhaferi thotë se nuk është momenti i duhur për privatizimin e ndërmarrjeve publike.

“Nuk është urgjente që të bëhet privatizimi, pa analiza dhe pa kaluar kjo situatë, situata e krizës në botë përgjithësisht”, tha ai.

Xhafer Xhaferi, ndërkaq, thotë se Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, vazhdimin e privatizimit e sheh vetëm pasi t’i bëhen analiza procesit të deritashëm të privatizimit dhe pas eliminimit të dobësive që janë shfaqur në këtë proces në të kaluarën.

“Pasi të bëhen këto, të ndryshohen edhe politikat operacionale, duhet të merret edhe pëlqimi i sindikatës për kushtet në të cilat duhet të bëhet privatizimi”, thotë Xhaferi.

Ndryshe, anëtarët e Komitetit për privatizimin e PTK-së tashmë kanë deklaruar se opsionet dhe strukturat e formës së privatizimit të Post Telekomit të Kosovës janë të hapura dhe Komiteti do të shqyrtojë se cila formë e privatizimit do të jetë më e leverdishme.

Ndërkaq, sa i përket krizës globale financiare dhe ndikimit të saj në privatizimin e kësaj kompanie, anëtarët e këtij Komiteti kanë thënë se kjo nuk do të ndikojë, përkundrazi, sipas tyre, kjo do të ngre edhe çmimin e PTK-së, për shkak se, siç kanë thënë, vendet e varfra, siç është Kosova, nuk janë prekur nga kjo krizë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG