Ndërlidhjet

Kriza globale mund të prekë në të ardhmen Kosovën


Kosova nuk është prekur në mënyrë direkte nga kriza globale financiare, por, megjithatë, institucionet kosovare duhet të jenë të përgatitura në rast të kërcënimit nga kjo situatë. Kështu është konstatuar gjatë një tryeze me temën “Ndikimi i krizës globale në Kosovë”, të organizuar nga Instituti për Studime të Avancuara GAP.

Shpend Ahmeti, udhëheqës i këtij instituti, pohon se tregu kosovar aktualisht nuk është prekur nga kriza globale, por nëse kjo situatë vazhdon, kriza mund të prekë diasporën, çka, sipas tij, në një mënyrë do të ketë efekte edhe në Kosovë.

“Në Kosovë kjo nuk na ka prekur në nivelin që i ka prekur tregjet tjera, të cilat kanë pasur lidhje direkte me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një që është përmendur shumë, është remitanca - Kosova merr më shumë se 400 milionë euro në remitanca dhe nëse kjo krizë i ka kapur tregjet evropiane, atëherë mund të ndodhë që diaspora jonë të preket nga kjo krizë dhe të ketë një efekt në atë se çfarë është vlera e parave që dërgohen në Kosovë”, pohon Ahmeti

Hajdar Korbi, këshilltar i lartë i Ministrit të Ekonomisë dhe Financave, thotë se kriza globale nuk ka pasur ndonjë efekt në zhvillimin e përgjithshëm të ekonomisë kosovare, por, megjithatë, ai shprehet se në vitet e ardhshme mund të ketë ndikime negative në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.

“Arsyeja është se nëse shtetet botërore do të ballafaqohen me një recesion, me një rritje më të vogël, në mënyrë indirekte ajo mund të reflektohet edhe në ekonominë e Kosovës”, thotë Korbi.

Ndryshe, zyrtarë të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës pohojnë se kriza globale ka lëkundur aksionet e Trustit, por nuk përmendet se sa është shuma e humbjeve. Agron Krasniqi, zëvendësdrejtor i këtij Trusti, thotë se 55 për qind e mjeteve janë të investuara në aksione në bankat jashtë Kosovës, ndërkaq pjesa tjetër është e investuar në instrumente tjera financiare.

“Kjo, njëherësh, do të ishte edhe qëllimi që çfarëdo krize qoftë, krizë e kredive apo likuiditetit në një sektor të caktuar të ekonomisë, të mos ketë ndikim të madh në komplet të kontributeve pensionale të kontribuuesve”,
tha Krasniqi.

Lidhur me sigurinë e mjeteve të Trustit, eksperti i ekonomisë, Shpend Ahmeti, thotë se tregu global pritet të stabilizohet dhe nëse Trusti nuk ndërmerr ndonjë vendim të shpejtë, sipas tij, aksionet e Trustit prapë mund të rriten.

“Po përdoret një term që ndoshta është i gabuar në këtë rast, që po thonë humbje. Dhe, pas kësaj krize financiare, të gjithë presim që do të ketë një rimëkëmbje. Personat që nuk do të pensionohen tani, që janë shumica e kontribuuesve të Trustit, nuk do të preken nga kjo krizë nëse Trusti nuk merr vendime të shpejta. Po krijohet një presion që ndoshta të merren vendime të shpejta, që ndoshta do t’i kthenin ato humbje në rënie faktikisht”, tha Ahmeti.

Gjatë kësaj tryeze është vlerësuar se sistemi bankar në Kosovë është i sigurt dhe se nuk është prekur nga kriza globale financiare.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG