Ndërlidhjet

Kushtetuta nuk lejon poste të dyfishta


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Ekspertë të së drejtës kushtetuese thonë se mbajtja e dy posteve nga ana e liderëve kosovarë përbën shkelje të Kushtetutës. Kjo, sipas tyre, bën të qartë se presidentit të Kosovës s'i lejohet të mbajë dy poste.

Temë diskutimesh në raport me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ditët e fundit, është ngritur çështja e posteve të dyfishta të udhëheqësve institucionalë. Në këtë kuadër, disa kanë tërhequr vërejtjen se presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka shkelur Kushtetutën e Kosovës, duke mbajtur dy poste, atë të kryetarit të partisë dhe postin e presidentit të vendit.

Ekspertë të çështjeve kushtetuese thonë se Kushtetuta e Kosovës nuk lejon poste të dyfishta për udhëheqësit e lartë të Kosovës. Fatmir Fehmiu pohon se kjo çështje është e saktësuar qartë në Kushtetutë.

“Në Kushtetutën e Republikës është e mbarështruar edhe çështja e inkompatibilitetit të funksioneve për organet dhe institucionet e caktuara. Neni 88 është për presidentin, 96 pika 7 është për anëtarët e qeverisë, neni 106 për funksionet e gjyqësisë".

"Mirëpo, për funksionin e presidentit është thënë në mënyrë shumë precize - po citoj: pika 1 thotë se presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion tjetër publik; pika 2, pas zgjedhjes, presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion në parti politike. Kështu që e gjithë kjo shumë qartë thekson se nuk mund të ketë funksion në parti politike dhe funksionin e presidentit
”, tha zoti Fehmiu.

Por, profesori i së drejtës ndërkombëtare dhe publike në Universitetin Amerikan në Kosovë, Robert Muharremi, thotë se në Kushtetutë nuk thuhet në mënyrë të precizuar se një udhëheqës i vendit duhet të japë dorëheqje edhe nga posti i një partie, nëse ai udhëheq atë.

“Dispozita e Kushtetutës duhet interpretuar në mënyrë të ngushtë, në kuptimin që të mbajë postin, duhet të japë dorëheqje. Në anën tjetër, meqenëse Kushtetuta nuk thotë shprehimisht që duhet të japë dorëheqje nga pozita partiake, atëherë mund ta mbajë postin, por nuk guxon ta ushtrojë".

"Kështu që Kushtetuta, sa është munduar të gjejë zgjidhje, aq edhe ka krijuar probleme, sepse nuk e ka përdorur një terminologji, një gjuhë të prerë për të qartësuar këtë problem
“, tha zoti Muharremi.

Eksperti Fehmiu thotë se Kushtetuta e Kosovës nuk përcakton nëse veprimet e tilla janë të dënueshme.

“Nga kjo nënkuptohet se nenin 91 e kemi për shkarkimin e presidentit. Nuk është e përfshirë edhe kjo çështje, pasi aty janë gjërat e lidhura me veprat e rënda penale dhe procedurat e shkarkimit të tij, ku përshihet një e treta e deputetëve që duhet të iniciojnë e kështu me radhë", tha zoti Fehmiu.

Por, zoti Muharremi mendon se kjo çështje është e ndjeshme dhe nuk mund të jetë e dënueshme. Sipas tij, një gjë të tillë më së miri do ta rregullonte gjykata kushtetuese.

“Kjo mund të jetë politikisht çështje e ndjeshme, por jo e dënueshme, sepse në fakt gjykata kushtetuese do të ishte ai organ, i cili do ta vërtetonte një shkelje të Kushtetutës nga presidenti. Kjo nuk është një dënim, por atëherë do të kërkohej prej presidentit që ta korrigjojë veprimin e vet".

"Kështu që shpresoj që së shpejti ta kemi gjykatën kushtetuese dhe në fakt ky është testi më i mirë për gjykatën kushtetuese që ta zgjidhë këtë çështje”,
tha zoti Muharremi.

Kurse, sa i përket termit për ngrirje të postit në një parti ose funksion tjetër, eksperti Fatmir Fehmiu pohon:

“Si terminologji, fare nuk ekziston në drejtësi. Por, kjo është një, ta quaj shpikje e politikanëve. Kështu që posti mund të jetë aktiv ose mund të jetë jashtë postit”, tha ai.

Edhe pse presidenti i Kosovës thuhet se ka ngrirë postin e kryetarit të partisë në Lidhjen Demokratike të Kosovës, analistë të ndryshëm dhe disa nga anëtarët e LDK-së kanë kritikuar presidentin Sejdiu se po ndikon në parti. Madje, vetë shefi ekzekutiv i kësaj partie, Blerim Kuçi, i cili ka dhënë dorëheqje nga posti i tij, pati deklaruar se dorëheqja ka pasuar kërkesën e zotit Sejdiu. Nga ana e tij, ndërkaq, presidenti i Kosovës nuk i ka konfirmuar apo mohuar këto pohime.
XS
SM
MD
LG