Ndërlidhjet

Prishtina kundërshton kushtëzimet e Beogradit


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës kundërshtoi kushtëzimet e Beogradit për vendosjen e EULEX-it, me theks të veçantë në veri. Ndërkohë që lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, vlerëson se pikat e dialogut të paraparë Prishtinë – Beograd cenojnë sovranitetin e Kosovës.


Qeveria e Kosovës shprehet kundër kushtëzimeve politike për vendosjen e misionit të EULEX-it në Kosovë, me theks të veçantë në pjesën veriore. Kryeministri Hashim Thaçi tha se qeveria e tij i kundërshton kushtëzimet që po përpiqet t’i imponojë Beogradi për shtrirjen e EULEX-it.

Ndërkohë që njëri nga liderët e opozitës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar që për bisedimet e fundit ndërmjet OKB-së dhe Beogradit, fjalën e vet ta thotë edhe Kuvendi i Kosovës, pasi që, sipas tij, me pikat e dialogut Prishtinë – Beograd cenohet sovraniteti i Kosovës.

Sidoqoftë, kreu i qeverisë, Hashim Thaçi, në anën tjetër, beson se EULEX-i do të shtrihet ashtu si parashihet me pakon e Ahtisaarit dhe pa kushtëzimet e Beogradit.

“EULEX-i duhet të shtrihet në gjithë territorin e Kosovës. Kjo shtrirje dhe ky autoritet nuk do të tolerohet të jetë i kushtëzuar, por ne do të respektojmë dhe kultivojmë fqinjësinë me të gjitha vendet e rajonit, e në kuadër të kësaj edhe çështjet konkrete që lidhen me Serbinë”, tha Thaçi.
Gjashtë pikat e dialogut Prishtinë – Beograd, të definuara në planin e Ban ki Moonit për rikonfigurimin e UNMIK-ut, sipas kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, prekin drejtpërdrejt në sovranitetin e Kosovës.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për doganat, policinë apo gjykatat, sipas Haradinajt, është cenim i sovranitetit, kështu që ai kërkoi nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës që propozimet e reja në lidhje me këtë dialog, t’i shpalosin edhe në Parlament.

“Informacionet që posedoj unë, tregojnë se është avancuar propozimi i letrës nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, më 12 qershor. Andaj, në përputhje me ato propozime ka ndodhur një avancim. Për ato gjashtë pika është paraparë një zgjidhje. Të gjitha janë sulm direkt në sovranitetin e Kosovës. Nuk ka asnjë pikë prej tyre që nuk e prek sovranitetin e Kosovës në veri”, vlerësoi Haradinaj.

Dialogu intensiv i këtyre ditëve ndërmjet OKB-së dhe BE-së në planin e jashtëm dhe ai i diplomacisë fluturuese ndërmjet Prishtinës e Beogradit që po ndërmjetësohet nga shefi i UNMIK-ut dhe i dërguari i OKB-së për bisedimet teknike, Andrew Ladley, mes tjerash, thuhet se ka për qëllim gjetjen e mundësive politike që UNMIK-u të vazhdojë rikonfigurimin dhe reduktimin dhe t’i lëshojë vendin EULEX-it, përfshirë edhe në vendbanimet serbe.

Por, deri më tash, serbët e kanë kundërshtuar misionin e BE-së, duke e kushtëzuar shtrirjen e tij me miratimin paraprak nga Këshilli i Sigurimit. Bazuar në njoftimet në Prishtinë, thuhet se bisedimet për EULEX-in dhe reduktimin e theksuar të UNMIK-ut mund të sjellin rezultatet e para deri më 7 nëntor.
XS
SM
MD
LG