Ndërlidhjet

Situatë e tensionuar në Suhodoll


Qyteti i Mitrovicës
Qyteti i Mitrovicës

Në Suhodoll të Mitrovicës, situata ishte e tensionuar pasi që Policia e UNMIK-ut nuk lejoi pronarët e shtëpive të fillojnë rindërtimin e tyre. Përfaqësuesit e administratës së OKB-së kërkojnë që për një gjë të tillë, qytetarët të marrin leje nga UNMIK-u.

Situata në Suhodoll të Mitrovicës është e tensionuar. Qytetarët e këtij fshati, bashkë me punëkryesit e rindërtimit të shtëpive, kanë tentuar të nisin punët, por njësitë speciale të Policisë së UNMIK-ut nuk kanë lejuar një gjë të tillë.

Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, tensionet kanë qenë të mëdha.

“Kemi një ndryshim të situatës që nga orët e mëngjesit, vërehej një tensionim i shtuar pikërisht në lagjen ‘Kroi i Vitakut’, në vendin ku do duhej të fillonte procesi i rindërtimit të shtëpisë. Tash, situata ka ndryshuar krejtësisht. Ndërsa, të dy grupet që ishin mbledhur, janë shpërndarë dhe situata është e qetë”, tha Hoti.

Sipas policisë, kjo situatë konsiderohet të ketë karakter të mostolerancës ndëretnike.

Nga ana tjetër, Ali Kadriu, pronar i shtëpisë, pohon se pavarësisht kërkesave të policisë së UNMIK-ut dhe KFOR-it, për të mos bërë rindërtimin e shtëpisë, ai thotë se nuk do largohet nga toka e tij.

“Këta nuk po më lënë, unë me punëtorë jam. Edhe do tentoj të hy, se shteg që e lëshoj shtëpinë time, pronën time, nuk kam. Unë nuk di që ka ndonjë ligj në botë që mund të më ndalë për të mos hyrë në pronën time. Dokumentacionin e kam në rregull”, thotë Kadriu.

Sipas zoti Kadriu, shtëpia eshtë e ndërtuar në tokën e tij me dokumente të rregullta. Por, së fundi, policia e UNMIK-ut ka kërkuar dokumente shtesë, thotë ai.

"Po, dokumentacionin e kam, krejt përkrahjen prej komunës, mirëpo këta ( UNMIK-u) nuk duan të dëgjojnë për atë. Po thonë se në UNMIK duhet të shkoj, e unë nuk shkoj", thotë ai.

Edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, konsideron se banorët e asaj ane duhet të lejohen që të punojnë dhe të jetojnë në shtëpitë e tyre. Ai, veprimet dhe kërkesat e policisë se UNMIK-ut që pronarët shqiptarë të marrin leje shtesë për renovimin e shtëpive të tyre, i quan të pajustifikueshme.

"Ata duhet t’i lejojnë aty. Është një pengesë e pajustifikueshme edhe e administratorëve të UNMIK-ut, të cilët kanë kërkuar leje për renovim të shtëpisë ekzistuese para 15 vjetëve, që është ‘non sens’. Ato gjëra nuk kanë nevojë për leje as nga UNMIK-u, as nga komuna; është e drejtë e tij t’i riparojë dhe të kthehet në pronën e vet", tha zoti Bajrami.

Ndryshe, para pak ditësh, në Suhodoll ishin tubuar grupe të njerëzve nga të dyja etnitetet, shqiptarë dhe serbë, dhe kanë filluar një përleshje fizike me përdorim të shufrave të drurit dhe të metalit, ku si pasojë qenë lënduar disa veta.
XS
SM
MD
LG