Ndërlidhjet

Kush vendos për presidentin?


Barack Obama dhe John McCain
Barack Obama dhe John McCain

Amerikanët i drejtohen kutive të votimit më 4 Nëntor për zgjedhjet presidenciale. Fituesi mes Obamës e McCainit nuk do të vendoset nga vota popullore, por nga ajo që në Shtetet e Bashkuara njihet si Kolegji elektoral.

Në Shtetet e Bashkuara mund të votohet dhe disa ditë para ditës së zgjedhjeve. Pjesëmarrja e deritanishme e votuesve të hershëm është shumë e madhe krahasuar me zgjedhjet e mëparshme. Pritet që një e treta e zgjedhësve të votojnë para 4 Nëntorit.

Presidenti aktual amerikan, republikani George Bush, nuk ka të drejtë të kandidojë për një mandat të tretë, pasi kjo nuk lejohet nga Kushtetuta amerikane. Nga ana tjetër, zëvendësi i tij, Dick Cheney, vendosi të mos kandidionte, çfarë i bën këto zgjedhje të parat që nga viti 1928 ku as presidenti, as nënpresidenti aktual nuk garojnë.

Në mesin e kandidatëve në garë, demokrati Barack Obama nëse fiton, do të jetë presidenti i parë me ngjyrë në historinë amerikane. Rivali i Obamës është senatori veteran nga shteti i Arizonës, 72 vjeçari John McCain.

Por, fituesi mes Obamës e McCainit nuk do të vendoset nga vota popullore, por nga ajo që në Shtetet e Bashkuara njihet si Kolegji elektoral.

"Kolegji elektoral përbëhet nga 538 përfaqësues, të dërguar nga 50 shtete. Numri i votave të çdo shteti në kolegjin elektoral është i barabartë me numrin e përfaqësuesve që ky shtet ka në Uashington. Numri i përfaqësuesve në Kongres varet kryesisht nga popullsia e çdo shteti. Kështu Kalifornia, që ka numrin më të madh të popullsisë, ka 55 anëtarë në Kongres, që do të thotë edhe 55 vota në kolegjin zgjedhor", sqaron korrespondentja e REL në Uashington, Heather Maher.

Në mesin e shteteve me numër të madh votash në kolegjin elektoral janë Teksasi me 34, Nju Jorku me 31, Florida me 27 dhe Pensilavania me 21 vota.

Alaska, shtet me popullsi të vogël, ka tre përfaqësues në Kongres e për pasojë dhe tre vota në kolegjin elektoral.

Kandidati që fiton shumicën në një shtet fiton dhe gjithë votat e shtetit në fjalë në kolegjin elektoral.

"Për shembull, nëse Obama fiton 51% të votës popullore në Kaliforni, atëherë ai i fiton të 55 votat e Kalifornisë në Kolegjin zgjedhor. Për të fituar presidencën amerikane kandidati duhet të fitojë 270 vota elektorale. Gara reale qëndron në fitoren e shumicës në shtetet kyçe më shumë sesa të fitosh shumicën e votave të zgjedhësve amerikanë", sqaron Maher.

Por, ka një numër shtetesh ku kandidatët duket se janë në barazim dhe këto kthehen në të ashtëquajturat shtetet –fushëbetejë.

"Këtë vit shtete kyçe janë Florida, Ohajo, Virxhinia, Karolina e Veriut dhe Misuri. Nëse këto shtete kalojnë në anën e demokratëve, padyshim që Obama do të fitojë. Nëse jo, atëherë fitorja është e diskutueshme. Në fakt, Kolegji elektoral do të thotë që një kandidat mund të fitojë numrin më të madh të votave të amerikanëve, por sërish t'i humbë zgjedhjet, pasi humb në kolegjin elektoral. Kjo ndodhi në vitin 2000 mes republikanit Bush dhe demokratit Al Gore", thotë Maher.

Kritikët e Kolegjit zgjedhor nuk kanë qenë të suksesshëm në zhbërjen e këtij sistemi. Ata e cilësojnë sistemin aktual si jo demokratik. Por, mbështetësit e Kolegjit zgjedhor thonë se në të kundërt shtetet e vogla do merrnin një rëndësi të pazakontë në proces.

Por, ia vlen të kujtohet se më 4 Nëntor nuk do të votohet vetëm për president, por dhe për 435 vendet në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan. Aktualisht Dhoma kontrollohet nga demokratët.
XS
SM
MD
LG