Ndërlidhjet

Ismajli: Hapa urgjentë për shtrirjen e autoritetit


Rexhep Ismajli
Rexhep Ismajli

“Institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare duhet të bëjnë hapa urgjentë në shtrirjen e autoritetit të Kosovës në gjithë vendin”, thotë akademik Rexhep Ismajli.






RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ismajli, zyrtarë të misionit EULEX në Kosovë mohojnë të kenë zhvilluar dialog me Beogradin sa i përket vendosjes së këtij misioni në Kosovë. Mirëpo, udhëheqësit e Kosovës thonë se nuk duhet të tolerojnë çfarëdo kushtëzimesh për vendosjen e këtij misioni në tërë territorin e vendit. Çfarë mendoni ju ?

REXHEP ISMAJLI

Misioni i EULEX-it është parashikuar të vendoset në Kosovë, si një njësi të vetme, dhe shumica e vendeve evropiane që e përbëjnë këtë mision, e kanë njohur tashmë Kosovën si shtet të pavarur. Prandaj, as vendosje parciale, as program që do të përfillte në çfarëdo mënyre ndarje të tilla, nuk është i pranueshëm.

Kjo do të ishte stimulim i drejtpërdrejtë i proceseve që nuk janë as në frymën e lëvizjeve kushtetuese që kemi pasur, të njohjes e cila është bërë, të themelimit të shtetit që është bërë edhe me marrëveshje me institucionet ndërkombëtare dhe të Bashkimit Evropian dhe të Kombeve të Bashkuara. Prandaj, këto nuk kanë asnjë kuptim.

Natyrisht, zhurma që po ngritët, flet për diçka që po bëhet prapa perdeve dhe kjo është shqetësuese. Një transparencë elementare duhet të ketë dhe institucionet jo vetëm shtetërore, por edhe të tjerat në Kosovë, duhet të vihen në dijeni për këto rrjedha.

Sigurisht që Bashkimi Evropian i ka relacionet e veta me Beogradin, sikurse edhe me Kosovën, dhe ajo normalisht që do të bëhet me rrugët e veta dhe ne nuk mund të ndërhyjmë aty. Por, problemet janë ato që lidhen me Kosovën dhe qartësia në këtë drejtim duhet të jetë pak më e madhe.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova do të ketë mundësi t’i ofrojë argumentet e saj për ligjshmërinë e pavarësisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Cilat do të duhej të ishin ato argumente?

REXHEP ISMAJLI
Nuk jam as jurist, as historian, as politikan që t’i përmbledh në një mënyrë të shkurtër, sado që kjo mund të bëhet. Argumentet me të cilat Kosova do të duhej të dilte përballë çdo situate, para së gjithash janë ato që kanë rezulutuar me themelimin e shtetit.

Argument më të madh nuk ka, shteti është themeluar për arsye jo të rastit, por për arsye shumë serioze dhe të diskutuara me vite, pas luftërave dhe pas shumë ndërmarrjeve të tjera. Natyrisht që dosja me argumente të tilla është shumë e madhe.

Mund të jetë që me atë rast edhe Serbisë t’i kthehet dosja tjetër, që të kërkohët në këtë gjykatë që të merren përgjegjësitë në një mënyrë më të qartë lidhur me dëmet që i janë bërë Kosovës në këto luftëra, lidhur me askionet e spastrimit etnik, të akteve gjenocidiale e të tjera, që natyrisht do t’i bëjnë organet kompetente të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Komisioni Evropian, në raportin e tij vjetor që pritet të publikohet javën e ardhshme, ka cilësuar si shqetësues korrupsionin, krimin e organizuar dhe zhvillimin e dobët ekonomik në Kosovë. Cili është mendimi juaj në këtë drejtim?

REXHEP ISMAJLI
Për korruspionin po flet jo vetëm Komisioni evropian, po flasin mjetet e informimit në Kosovë, po flasin institucionet në Kosovë. Unë nuk jam në gjendje të di se çka vërtet, por kjo po duket se është diçka që duhet të na shqetësojë të gjithëve.

Edhe po të mos ishin të dhënat konkrete, ne do të duhej të ishim të shqetësuar për mundësitë e tilla, sepse jetojmë në një mjedis, ku të gjitha shtetet përreth e kanë problem kryesor këtë çështje. Nuk ka mundësi që ne të jemi të imunizuar.

Ajo që shqetëson më shumë dhe sigurisht që lidhet edhe me korrupsionin është moszhvillimi, proceset e zhvillimit ekonomik në Kosovë dhe zhvillimet e tjera që janë ngadalësuar. Këto 10 vjet kemi pasur një situatë krejtësisht të pamundshme për zhvillime të tilla.

Tani e kemi shtetin e pavarur, por problemet me Mitrovicën, interferencat, ndërhyrjet e shteteve përreth e të tjera, me njohjen e shtetit nga një numër i madh i shteteve në botë – të gjitha këto po ndikojnë edhe në proceset e zhvillimit dhe këto procese tepër të ngadalësuara të zhvillimit po shkaktojnë probleme edhe në fusha të tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
Autoritetet e Kosovës, edhe më tutje nuk po mund të shtrijnë autoritetin e tyre në gjithë vendin. Ju, si mendoni, çka duhet të bëjnë në një situatë të tillë?

REXHEP ISMAJLI
Unë nuk jam në gjendje të jap mendim për një situatë të tillë, sepse nuk i di të gjithë parametrat ekzistues; di vetëm ata që po sillen në media këtu tek ne. Megjithatë, pushteti, institucionet, dhe kur them pushteti, institucionet, këtu kuptoj të gjitha institucionet pavarësisht se a janë në pozitë apo në opozitë, dhe ato që shprehin vullnetin politik – të gjitha bashkë, duhet shumë seriozisht ta marrin këtë dhe të na propozojnë hapa konkretë.

Ne kemi bazën, kemi Kushtetutën, e cila është kushtetutë jo vetëm e vullnetit tonë, por edhe e vullnetin ndërkombëtar, sepse është miratuar me marrëveshje me institucionet ndërkombëtare, prandaj duhet të ndërmerren hapa urgjentë për të gjetur rrugën për të dalë nga kjo situatë.

Në qoftë se Kushtetuta nuk zbatohet në një pjesë të vendit, ajo dëmton seriozisht tërë procesin dhe prandaj është shumë shqetësuese kjo. Procesi kërkon që seriozisht të trajtohet kjo çështje dhe jo nga deklarata në deklaratë, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare një ndërmarrje dhe një trajtim pak më serioz të të gjithë çështjes.
XS
SM
MD
LG