Ndërlidhjet

logo-print

SHBA: Fushatë intensive në 24 orët e fundit

  • RFE /RL

Barack Obama dhe John Mccain

Barack Obama dhe John Mccain

Barack Obama kryeson sipas anketave me 7% të votës popullore dhe ka 278 vota elektorale nga 271 të nevojshmet. Rivali i tij, John McCain, ka vetëm 132 vota elektorale.

Fushata presidenciale amerikane ka hyrë në ditën e fundit. Demokrati Barack Obama dhe republikani John McCain po vazhdojnë fushatën në shtetet që vlerësohen si kyçe.

Në Shtetet e Bashkuara nuk ka heshtje parazgjedhore para fillimit të votimit, kështuqë fushata vazhdon deri në ditën e votimit, më 4 nëntor.

Obama do të vizitojë Floridën, Karolinën e Veriut dhe Virginian, shtete në të cilat në vitin 2004 fitoi presidenti George Bush.

Gjatë një tubimi në Ohajo ku u tubuan rreth 80 mijë njerëz, Obama kërkoi nga mbështetësit që të dilnin të votonin.

"Në dy ditë ju mund të ktheni faqen në politikat që vunë pangopshmërinë dhe papërgjegjësinë përpara punës dhe sakrificave të amerikanëve të thjeshtë. Pas dy ditësh ju mund të zgjidhni politikat që investojnë në klasën e mesme, krijojnë vende të reja pune dhe zhvillojnë ekonominë, në mënyrë që çdokush të ketë mundësi për sukses", tha Obama.

Republikani McCain po e vazhdon fushatën në 24 orët e fundit në shtatë shtete, nga Florida në lindje, në Arizona në perëndim.

Në një tubim në Florida, senatori veteran tha se për dallim nga ai, rivali i tij nuk është testuar në kriza:

"Demokratët në Kongres po flasin për thellimin e shkurtimeve në fushën e mbrojtjes. Ne kemi trupa që po luftojnë në dy luftëra, dhe përgjigja e demokratëve është që t'i shkurtojmë shpenzimet tona të mbrojtjes, dhe ta vëmë në zyrë dikë, të cilin do ta testojnë armiqtë tanë. Unë jam testuar. Unë i kam kaluar ato që senatori Obama nuk i ka kaluar", tha McCain, për të shtuar se të dy kandidatët dallohen për sa i përket politikës ekonomike të presidentit Bush.

Ai mendon se taksat janë të ulta, ndërsa unë mendoj se shpenzimet janë të larta, tha senatori republikan nga Arizona.

Shumica e anketave të opinionit tregojnë se Obama kryeson ndaj McCainit në nivel vendi me 7%. Kandidati demokrat prin edhe me votat elektorale. Dyshja Obama-Biden kryeson me 278 vota elektorale, derisa rivalët republikanë McCain-Palin kanë vetëm 132 vota elektorale. Të pavendosura janë ende 128 vota elektorale.

Në Shtetet e Bashkuara nuk është vota popullore që zgjedh presidentin, por kandidatët duhet të fitojnë 50% plus 1 të votave në Kolegjin elektoral. Kolegji ka 538 vota, që përfaqësojnë të gjitha shtetet amerikane në përputhje me popullsinë.

Mbështetja për kandidatin demokrat Obama i kalon kufijtë amerikanë. Ndonëse pa të drejtë vote, duket se Obama është favoriti për këto zgjedhje në shumë vende.

Anketat e fundit flasin se 70% e australianëve duan që Obama të mundë McCainin në garën e nesërme. Atomosferë e ngjashme haset në pjesë të ndryshme të botës, përfshirë dhe Kenian, vendlindjen e babait të senatorit demokrat, Barack Obama.
XS
SM
MD
LG