Ndërlidhjet

Prishtina beson në demokracinë amerikane


Prishtina
Prishtina

Liderët shtetërorë të Kosovës, përfaqësuesit politikë, si dhe analistët, presin që fitorja, sikurse e Barack Obamës ashtu dhe e John McCainit, t'i mundësojë Kosovës vazhdimin e bashkëpunimit me Washingtonin.


Prishtina zyrtare pret vazhdimin e raporteve të mira bilaterale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe vazhdimin e përkrahjes amerikane në shumë fusha. Autoritetet qendrore të Republikës së Kosovës janë falënderues për mbështetjen e deritanishme që ka gëzuar Kosova nga shteti amerikan dhe shprehen optimistë për kontinuitetin e bashkëpunimit ndërmjet Washingtonit dhe Prishtinës zyrtare si dy shtete demokratike.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, mendon se do të ketë vetëm progres në fushën e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pavarësisht se kush do të zgjidhet president i ri.

"Kemi zotime dhe garanci se Shtetet e Bashkuara të Amerikës vetëm sa do ta thellojnë bashkëpunimin me Prishtinën dhe ndihëm tepër krenar që udhëheq një qeveri të një vendi që është populli më pro-amerikan në rajon dhe në Evropë. Relacionet Prishtinë-Washington vetëm se do të shënojnë avancim të mëtutjeshëm tash edhe me bashkëpunimin në të gjitha rrafshet institucionale", thotë kryeministri Thaçi.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nga periudha e pasluftës në Kosovë, por edhe më herët, i kanë ofruar Kosovës ndihmë në fusha të ndryshme. Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ramë Manaj, pret një vazhdimësi të politikës amerikane në raport me Kosovën.

"Kosova pret kontinuitet të plotë të politikës amerikane, të përkrahjes së fuqishme dhe të miqësisë së mirë me Kosovën", konsideron Manaj.

Përfaqësues të skenës politike në Kosovë thonë se nuk do të jetë relevante për Kosovën se kush nga dy kandidatët për postin e presidentit të SHBA-së, demokrati Barack Obama apo republikani John McCain, do të shpallet fitues në këtë garë presidenciale.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, mendon se përkrahja për shtetin e Kosovës nga Washingtoni do të vazhdojë, pa marrë parasysh se kush do inaugurohet Presindet i SHBA-së në janar të 2009-ës.

"Ne besojmë se Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, cilido qoftë ai, Obama apo zoti McCain, do të jetë në përkrahje të shtetit të Kosovës dhe do të udhëheqë me politikën pro Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës", shprehet Isufi.

Edhe analistët në Prishtinë konsiderojnë se politika amerikane në Kosovë do të mbetet ajo që ka qenë deri më tash. Analisti Lulzim Peci sqaron:

"Unë pres që nuk do të ketë ndryshim të politikës amerikanë ndaj Kosovës, sepse që të dy partitë në Shtetet e Bashkuara, qoftë ajo demokratike apo republikane, kanë qëndrim të njëjtë sa i përket kësaj çështjeje", thekson Lulzim Peci.

Zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara po ndiqen me një vëmendje të posaçme në Kosovë, duke u nisur nga fakti se jo vetëm udhëheqësit institucionalë, por edhe qytetarët e rëndomtë, në shumë raste kanë shprehur mirënjohjen e tyre të thellë për rolin që Amerika ka pasur për ta sjellë Kosovën aty ku është sot.
XS
SM
MD
LG