Ndërlidhjet

Cilat janë përfitimet nga buxheti 2009?


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës miratoi unanimisht projekt-buxhetin e vitit 2009, në shifrën prej 1 miliard e 430 milionë euro. Kryeministri Hashim Thaçi tha se me këtë buxhet Kosova do të shënojë rritje dhe zhvillim ekonomik, si dhe premtoi anëtarësimin e saj në mekanizmat monetarë ndërkombëtarë. Ndërkaq, edhe ekspertët e ekonomisë konsiderojnë se nëse ai buxhet menaxhohet në mënyrë të duhur, mund të ndikojë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në uljen e papunësisë.


Qeveria e Kosovës ka miratuar projekt-buxhetin për vitin 2009, në shumën, siç u tha, prej 1 miliard e 430 milionë eurosh. Buxheti i vitit të ardhshëm u tha se është 15.4 për qind më i lartë, sesa ai i vitit 2008.

Kryeministri Hashim Thaçi tha se miratimi i buxhetit të vitit 2009 paraqet edhe një vendim historik për Kosovën, marrë parasysh se ky është buxheti i parë i projektuar i Kosovës së pavarur.

Thaçi tha se besonte që Kosova do të shënojë rritje dhe zhvillim ekonomik, si dhe do të arrijë që të jetë anëtare e mekanizmave të fuqishëm monetarë ndërkombëtarë.

“Me këtë plan të ri shpenzimesh ne e nisim Kosovën e re, shtetin e ri, me një mision të rritjes dhe zhvillimit. Kishim tre qëllime të ndërlidhura me krijimin e këtij buxheti, përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët e Kosovës, vënien e Kosovës në rrugë të rritjes së qëndrueshme dhe zhvillimit ekonomik, si dhe përshpejtimin e hyrjes së Kosovës në institucionet ndërkombëtare financiare, si FMN-ja dhe Banka Botërore”, tha Thaçi.

Kryeministri kosovar tha se projektimi i buxhetit është bërë në konsultime me ekspertët ndërkombëtarë, si dhe me subjektet politike në Kosovë. Pas aprovimit në qeveri, buxheti i është proceduar Kuvendit të Kosovës për miratimin final.

Thaçi u bëri thirrje ligjvënësve kosovarë që ta mbështesin këtë buxhet, i cili, sipas tij, i sjell Kosovës zhvillim dhe stabilitet ekonomik.

Edhe me buxhetin e vitit 2009, mbështetet sektori energjetik në Kosovë, në përpjekje të ruajtjes së një furnizimi normal me rrymë. Hashim Thaçi tha se kjo është hera e fundit që buxheti i mbështet ndërmarrjet publike dhe paralajmëroi investimet private në këto ndërmarrje, në mënyrë që ato të privatizohen dhe të mos mbeten barrë për buxhetin e Kosovës.

“Infrastruktura jonë e penguar e energjisë, e shkatërruar nga vitet e keqmenxhimit dhe lënies pas dore, kërkon që këtë vit të investojmë më shumë se 100 milionë euro, për të garantuar rrymë të mjaftueshme për familjet tona dhe biznesin në Kosovë. Kjo nuk është e qëndrueshme dhe vitin e ardhshëm do të privatizojmë prodhimin dhe distribuimin e rrymës dhe do të zgjedhim partnerin për të ndërtuar termocentralin Kosova e Re”, theksoi kryeministri Thaçi.

Projekt-buxheti i vitit 2009, sipas ministrit të Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe përmirësimin e mirëqenies sociale të qytetarëve të saj.

Edhe pse buxheti u miratua pa asnjë votë kundër, sidoqoftë, kishte edhe zyrtarë që nuk ishin krejtësisht të kënaqur me ndarjen e mjeteve. Zëvendësministrja e Rinisë, Kulutrës, Sportit dhe Çështjeve Jorezidente, Lirije Kajtazi, tha se ky buxhet nuk premton një zhvillim si parashihet, si dhe nuk mbështet projektet që kanë të bëjnë me rininë kosovare.

“Me këtë buxhet nuk ka politika nacionale për rininë dhe besoj se edhe në Parlament do të ketë shumë folës që e përmednin rininë, ndërsa pjesa e buxhetit mungon”, tha Kajtazi.

Të hyrat në buxhetin e vitit 2009 planifikohen të jenë 956 milionë euro, kurse shpenzimet kapitale llogariten në vlerën prej 413 milionë eurosh. Duke pasur parasysh edhe krizën globale, qeveria sivjet ka shtuar nga 50 në 200 milionë euro rezervat shtetërore, të cilat mund të përdoren në rast të krizave apo fatkeqësive elementare.

* * * * *

Ndërkaq, ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se buxheti për vitin 2009, që kalon shifrën 1.4 miliard euro, mund të ndikojë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në uljen e papunësisë.

Eksperti i çështjeve ekonomike në Institutin "Riinvest", Muhamet Sadiku, pohon se një mundësi për zhvillim më të madh të vendit duhet bërë me këtë buxhet.

"Buxheti i një shteti është një instrument shumë i rëndësishëm për të stimuluar zhvillimin ekonomik të atij vendi. Konsideroj që edhe Kosoeva ka bërë përparime të dukshme në ngritjen e buxhetit, në të hyrat buxhetore dhe të shpenzimeve”.

“Unë mendoj se Kosova duhet të përqendrohet në ngritjen e kapaciteteve të menaxhimit buxhetor, sepse mbetet mjaft për të dëshiruar lidhur me menaxhimin e financave publike në Kosovë, sepse gjithmonë në fund të vitit Kosova tregon një suficit buxhetor dhe kjo nuk do të ishte shenjë e mirë për ambiciet zhvillimore të Kosovës në periudhën e ardhshme”, tha Sadiku.

Po ashtu, ai thotë se është me rëndësi që Qeveria e Kosovës ka arritur të rrisë buxhetin për vitin 2009, por, sipas tij, është e rëndësishme gjithashtu që ai buxhet të menaxhohet në mënyrën e duhur.

"Ne dëshirojmë prova se Qeveria e Kosovës di ta menaxhojë buxhetin, di ta orientojë në bazë të prioriteteve, të cilat janë përcaktuar më parë", theksoi Sadiku.

Edhe Mimoza Kusari-Lila, drejtoreshë e Odës Ekonomike Amerikane, konsideron se me rritjen e buxhetit, Kosova mund të shkojë drejt një zhvillimi më të madh ekonomik.

"Unë përshëndes faktin që buxheti i Kosovës ka shënuar një rritje, që tregon se ka të hyra shtesë. Me siguri që refleksionet e kësaj janë edhe mjetet e premtuara nga Konferenca e Donatorëve, por besoj se me një menaxhim të mirë, më transparent, me siguri se do të ketë mundësi që buxheti i Kosovës të shkojë në shërbim të zhvillimit ekonomik", tha Kusari-Lila.

Ajo vlerëson se nëse Kosova arrin të krijojë një ekonomi të qëndrueshme me të gjitha parakushtet e krijuara, atëherë edhe buxheti do të jetë më i madh dhe do të ulet papunësia.

"Derisa ka zhvillim ekonomik, do të ketë edhe më shumë mjete edhe për rritje substanciale të pagave të shëndetësisë, të policisë, të të gjithë sektorëve që varen drejtpërdrejt nga buxheti i konsoliduar i Kosoves”.

“Megjithatë, një gjë e cila është esenciale, është që të merren parasysh prioriteti, parakushtet për një zhvillim të qëndrueshëm. Të krijohet infrastruktura për një zhvillim ekonomik, që do t’i mundësonte sektorit privat të krijonte vende të punës dhe të kontribuojë në buxhetin e konsoliduar të Kosovës", tha Kusari-Lila.

Sidoqoftë, miratimin final të buxhetit të propozuar e bën Kuvendi i Kosovës pas shqyrtimit në Komisionin për Buxhet dhe Financa.
XS
SM
MD
LG