Ndërlidhjet

“Edhe pas zgjedhjeve, SHBA dhe Evropa bashkë në Kosovë”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
ZËRI
Në qarqet relevante diplomatike perëndimore në Prishtinë, ka hezitim të madh madje edhe për të bërë spekulime se cilat janë gjasat që këtë të premte, më 7 nëntor, në Nju-Jork, në selinë e OKB-së, Këshilli i Sigurimit i OKB-së ta miratojë një Deklaratë Presidenciale (për të duhet pëlqimi i të gjitha shteteve anëtare të kësaj instance më të lartë politike të sigurisë ndërkombëtare), e cila do t'ia hapte portat EULEX-it për vendosjen në të gjithë territorin e Kosovës, me një mandat më të përgjithësuar që del nga Rezoluta 1244 (1999). Në dy javët e fundit, ka pasur aq shumë zhvillime dhe ngjarje kundërthënëse, saqë pakkush në Prishtinë dhe në Bruksel do të vinte bast se çka do të bëhet në fund të kësaj jave pune në Ist River; nëse në ndërkohë, nuk do të ketë farë befasie të pakëndshme, e cila do të vinte në trajtë të lajmit që mbledhja e OKB-së është shtyrë për disa ditë. Fillimi i këtyre zhvillimeve lidhet me një propozim tej mase problematik të ndërmjetësuesit të OKB-së, Ledlit, të dërguar në Kosovë dhe në Beograd, prej Dejvid Harlandit, shefit të DPKO-së...

KOSOVA SOT
Misioni i BE-së për drejtësi, EULEX, po vazhdon përgatitjet teknike, megjithëse politikisht vazhdon të jetë i sfiduar. Kur i kanë mbetur jo më shumë se një muaj, nga dita kur duhet të funksionalizohet, EULEX-i ka arritur numrin e stafit në 882; sipas zëdhënëses së Departamentit të drejtësisë në EULEX, Kristina Herodes, ky numër po shtohet me zbarikimin e pjesëtarëve të rinj që po vijnë në Koosvë. "Numri aktual i të punësuarve në EULEX është 882. Prej tyre janë 610 ndërkombëtarë dhe 272 vendas", thotë Herodes. Sipas planit për funksionalizmin e misionit, qëllimi final është që misioni të ketë rreth të paktën 3000 pjesëtarë. Prej tyre 2000 ndërkombëtarë dhe 1000 vendës. Sipas kësaj, i bie që EULEX-i nuk ka arritur që të zbarkohet as për 50%...

EPOKA E RE
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka nisur vizitën e parë zyrtare në Tiranë, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të këtij viti, me ftesë të presidentit shqiptar, Bamir Topi . Fillimisht, ai është pritur në një ceremoni zyrtare në Pallatin e Brigadave nga presidenti Topi, i cili ia dorëzoi Urdhërin “ Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Presidenti i Republikës se Shqipërisë, Bamir Topi, ka vlerësuar të hënën rolin e lidershipit institucional dhe politik në Kosovë, ku po projektohet një shtet me parametrat e demokracisë...

EXPRESS
Ndërmjetësi i OKB-së, Andrew Landley, dhe shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, kanë bërë edhe një përpjekje në kërkim të opsioneve të pranueshme për Prishtinën dhe Beogradin rreth funksionimit të policisë, drejtësisë dhe doganave në enklavat serbe, ku nuk pranohet zbatimi i Kushtetutës së Kosovës. Dy zyrtarët ndërkombëtarë kanë qëndruar të hënën në Beograd, ku me përfaqësues të Qeverisë së Serbisë kanë diskutuar rreth zgjidhjeve për gjashtë pikat e caktuara nga Sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki Moon, kanë thënë për Express zyrtarë të UNMIK-ut. Nuk është bërë e ditur nëse Beogradi ka lëvizur në momentin e fundit nga qëndrimet e veta, të cilat gjatë dhjetë vjetëve të kaluar janë kundërshtuar jo vetëm nga Prishtina, por edhe nga përfaqësues të shteteve anëtare të Quint-it. Pas kthimit nga kryeqyteti serb, Zannier dhe Ladley, si zakonisht është dashur të konsultohen me liderët kosovarë dhe me diplomatë perëndimorë. Me këtë raund takimesh duhet të përmbyllen bisedimet intensive dyjavëshe të ndërmjetësuara nga Andrw Ladley, ose takimi i Këshillit të Sigurimit për Kosovën, i paraparë të mbahet këtë të premte, do të shtyhet...

INFOPRESS
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka falënderuar administratat e deritashme të SHBA-ve për ndihmën dhe përkrahjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Kosovës dhe popullit të saj. Thaçi ka thënë se ndihet krenar që është kryeministër i popullit më pro-amerikan në rajon dhe Evropë. I pyetur nëse ndërrimi i administratave në SHBA do të ndërrojë qasjen e politikës së SHBA-ve ndaj Kosovës, kryeministri Thaçi ka thënë se SHBA-të gjithmonë kanë qenë në mbështetje të Kosovës dhe kjo mbështetje, sipas tij, nuk ka qenë asnjëherë e ndërlidhur me emra presidentësh...

LAJM
Qeveria e Kosovës ka miratuar buxhetin e Kosovës për vitin 2009, i cili peshon hiç më pak se 1 miliard e 430 milionë euro, apo 15, 4% më shumë sesa buxheti i këtij viti. Në bazë të ligjit, menjëherë pas miratimit nga ana e Qeverisë, kreyministri Hashim Thaçi atë ia ka dërguar Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe më pas për miratim. Gjatë mbledhjes së Qeverisë, kryeministri buxhetin e vitit që vjen e konsideroi si tejet historik, pasi, sipas tij, ky është buxheti i parë i Kosovës së pavarur. Ai tha se Kosova për herë të parë po harton buxhetin e vet kombëtar në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kryeministri Thaçi tha se buxheti i vitit që vjen ka për qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës, qëndrueshmërisë ekonomike dhe përshpejtimin për hyrje në institucionet financiare ndërkombëtare...

BOTA SOT
Edhe dita e hënë ka qenë shumë e tensionuar në paralagjen e qytetit në Suhodoll dhe lagjen "Kroi i Vitakut" të Mitrovicës, ku forca të shtuara të policisë speciale polake të UNMIK-ut dhe të policisë së Kosovës, por që këta të fundit asnjëhërë nuk u duken në plan të parë, për të mos lejuar Ali Kadriun për të vazhduar punimet për meremetimin e shtëpisë se tij, ndërsa që përreth tyre ishin tubuar qindra banorë shqiptarë të frustruar të lagjeve të lartëpërmendura e më gjerë, që kishin ardhur për ta mbështetur moralisht dhe në çfarëdo mënyre tjetër që do të kërkohej, Aliun. Por, mjerisht, Ali Kadriu dhe punëtorët e kontraktuar, as të hënën nuk ishte lejuar që të hyjë në shtëpinë e tij për t'i vazhduar punimet aty ku i kishte ndërprerë. Ai më forcë ishte penguar nga forca të mëdha të policisë speciale të UNMIK-ut, të cilët kishin kërkuar nga ai që të mos drejtohet për në shtëpi, edhe pse ishte larg saj vetëm 10 metra...

KOHA DITORE
Ethet e zgjedhjeve amerikane e kanë kapluar edhe Evropën, ndërsa nuk i kanë kursyer as diplomatët në BE dhe NATO. Në selinë e këtyre dy organizatave me padurim presin të zgjidhet shefi i ri i Shtëpisë së Bardhë dhe të shohin se cilat prioritete në politikën e jashtme do t'i parashtrojë presidenti i ri amerikan. "Është e natyrshme që për ne rëndësi të veçantë të kenë prioritetet e politikës së jashtme të presidentit të ri, sepse kjo në masë të madhe do të determinojë edhe punën e ardhme të Aleancës", thotë për "Kohën Ditore" një zyrtar i NATO-s. Në anën tjetër, edhe zyrtarë në BE pohojnë se presin nga adminstrata e re amerikane që të bashkëpunojë më Bashkimin Evropian në zgjidhjen e krizave të ndryshme nëpër botë, sepse, siç dëshirojnë të besojnë në Bruksel, "kur Evropa dhe Amerikla veprojnë së bashku, atëherë edhe suksesi arrihet më lehtë"...
XS
SM
MD
LG