Ndërlidhjet

Mrekullitë e zgjedhjeve amerikane


Prishtinë
Prishtinë

Analistët politikë në Prishtinë konsiderojnë se zgjedhjet amerikane presidenciale të vitit 2008 do të hyjnë në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si zgjedhjet që karakterizohen me një varg faktesh fascionuese që kanë të bëjnë me kandidatët. Ata thonë se demokracia amerikane mundëson edhe mrekulli.


Në aspektin demokratik, politik dhe atë historik, zgjedhjet, të cilat po mbahen në SHBA, janë një shembull shumë i mirë për të gjitha vendet, por edhe për Kosovën. Këtë konkludim e japin analistët në Prishtinë, të cilët vlerësojnë se qëndrimet e fituesit të garës presidenciale ndërmjet kandidatit demokrat, Barack Obama, dhe atij republikan, John McCain, nuk do të ndikojnë në politkën e jashtme të shtetit amerikan.

Analisti Muhamet Kelmendi jep një pasqyrë të qëndrimeve të presidentëve potencialë, me anë të së cilës dalin në pah ndryshimet që mund të pësojë diplomacia amerikane dhe roli i saj në botë. Sipas Kelmendit, fitorja e Barack Obamës, kandidati i parë me ngjyrë që konkurron për postin e Presidentit në SHBA, do të ndikonte edhe në aspektin e brendshëm, sidomos në çështjet sociale.

"Unë e shoh këtu një ndryshim, në varshmëri nga kandidatët, në atë se kush çka do të fitojë. Nëse e marrim zotin Obama, mendoj që në aspektin e brendshëm do të ketë një ndryshim jashtëzakonisht të theksuar historik, i cili mund të luajë një rol shumë të madh në drejtim të realizimit të disa çështjeve të karakterit social, duke i dhënë SHBA-së një karakter më të theksuar social. Ndërsa, në politikën e jashtme, unë e shoh një vazhdimësi të politikës pavarësisht se cili kandidat do të fitojë", tha Kelmendi.

Analisti tjetër për çështje politike, Ismail Hasani, pohon se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sa i përket kandidaturave presidenciale, gjithmonë kanë sjellë një të re fasionuese për vëzhguesit politikë ndërkombëtarë.

Presidenti i SHBA-së, gjer më tani, ka pasur një moshë mesatare prej 55 vjetësh, ndërsa ai më i riu kur është zgjedhur president, ka patur 43 vjet dhe ishte John F. Kennedy, por më i ri si ky ka qenë Teodor Roosevelt me 42 vjet. Hasani jep një përshkrim të shkurtër për John McCainin, i cili, ndonëse në moshë 72 vjeçare, përpiqet të fitojë besimin e elektoratit amerikan për të udhëhequr Amerikën.

"Mendoj se McCain është reprezantim i një filozofie të veçantë politike, është një figurë brendapërbrenda republikanëve, një konservator i moderuar, një konservator që ka të veçantat e veta", thotë Hasani.

Kandidati nga radhët e Partisë Republikane ka në krahun e tij të djathtë kandidatën për postin e nënpresidentit, Sarah Palin. Pikërisht fakti se Palin do të ishte nënpresidentja e parë e shtetit amerikan, sipas zotit Hasani, përbën një detaj të rëndësishëm historik, i cili karakterizon zgjedhjet e 56-ta me radhë në SHBA.

"Përfshirja e Sara Palin, si gruaja e parë amerikane, e cila mund të jetë nënpresidente, një grua e fuqishme me reputacion - edhe kjo hyn në eveniment në kuadër të mrekullive, të cilat i ofron demokracia amerikane, si alternativa për t'u ofruar votuesve amerikanë për të zgjedhur shefin e Zyrës Ovale", tha Hasani.

Zgjedhësit amerikanë janë duke vendosur se cili do të jetë pasardhësi i presidentit George Bush. Ata do të vendosin se cili do të jetë presidenti i 44-të i superfuqisë botërore - demokrati Barack Obama, i cili do të hynte në histori si presidenti i parë me ngjyrë, apo republikani John McCain, i cili do të ishte presidenti më i moshuar në që ka pasur SHBA-ja gjer më tani.
XS
SM
MD
LG