Ndërlidhjet

Maqedonia beson në mbështetjen e SHBA-ve


Pamje në Shkup

Pamje në Shkup

Politika amerikane ndaj Maqedonisë dhe rajonit nuk do të ndryshojë. SHBA-të edhe më tej do të mbeten partneri më i mirë i Maqedonisë. Kështu ka deklaruar ambasadori amerikan në Shkup, Filip Riker, disa çaste pas shpallejs së fituesit të zgjedhjeve në Shetet e Bashkuara të Amerikës.

“Që nga ardhja ime në Maqedoni, kam thënë se cilido që të jetë rezultati, besoj se do të ketë kontinuitet në politikën e jashtme amerikane, në veçanti në kuptimin e raporteve tona me Maqedoninë. Ashtu siç kam thënë shumë herë deri më tani, ne kemi lidhje të forta dhe Maqedonia nuk ka mik më të mirë se SHBA-të dhe pres që kjo të vazhdojë edhe në javët, muajt dhe dekadat në vazhdim”,
tha ambasadori Riker.

Ndërkohë, me vlerësime janë paraqitur edhe drejtuesit e institucioneve dhe të partive politike, të cilët deri në orët e para të mëngjesit kanë pritur rezultatet e zgjedhjeve në një aktivitet të organizuar nga Ambasada amerikane.

Nuk do të ketë kurrfarë ndryshimi të kursit të politikës amerikane ndaj Ballkanit dhe në veçanti ndaj Maqedonisë”, tha kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski.

Ndërkaq, nënkryetari i Kuvendit dhe nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, Rafis Haliti, tha se zgjedhjet në SHBA janë një mesazh shumë i fuqishëm për mbarë botën.

“Populli amerikan dërgoi një porosi shumë të qartë se atje janë kapërcyer të gjitha ato dallimet racore dhe kështu me rradhë; porosia është shumë e madhe deri tek bota demokratike", tha Haliti.

Edhe nënkryetari i PDSH-së, Imer Aliu, nuk pret që të ketë ndryshime në politkën amerikane pas fitores së Barack Obamës.

"Mendoj se veç është vërtetuar se politika e jashtme amerikane nuk varet nga ndryshimi i administratës në SHBA. Kështu që vlerësoj se ky rajon është tepër i rëndësishëm dhe politika e administratës amerikane është konsistente ndaj këtij rajoni", tha Aliu.

Edhe partitë politike maqedonase nuk presin që Maqedonia të humbë mbështetjen pas fitores së kandidatit demokrat, Obama.

“Politika e SHBA-ve ndaj rajonit do të mbetet e njëjtë. Shumë kanë investuar për stabilitetin dhe sigurinë në rajon, përfshirë edhe Maqedoninë, dhe besoj se kjo politikë do të vazhdojë edhe më tej”, tha koordinatorja e Grupit Parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Silvana Boneva.
XS
SM
MD
LG