Ndërlidhjet

logo-print

“Amerika zgjedh presidentin e 44-të”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

BOTA SOT
Senatori i Ilinoisit, Barak Obama, kandidati demokrat për president të SHBA-ve, ka prekur qiellin e shtatë, dhe do të jetë presidenti i 44-të i SHBA-ve, ndërsa nënpresident do të jetë miku i shqiptarëve, Xhozef Bajden. Sipas votave të Kolegjit, atyre shtetërore, senatori Obama deri në orën pesë të mëngjesit udhëhiqte me 297 vota të Kolegjit, nga 270 vota të nevojshme për t’u zgjedhur president. Ndërsa, senatori Mekkejn ka fituar 138 vota të Kolegjit, ndërsa me vota popullore humbi nga Obama, më 49 kundrejt 51 për qind që i fitoi. Sipas sondazheve edhe percepcionit botëror, është se fitues i zgjedhjeve do të jetë Barak Obama. Ai prej shumë njerëzve u vlerësua më shumë si një fenomen, sesa si një përcaktim ndërmjet orientimeve politike, të majtë apo të djathtë. Republikanët kanë humbur Ohajon me 20 vota të kolegjit, shtetin pa të cilin kurrë republikanët nuk kanë hyrë në Shtëpinë e Bardhë...

KOSOVA SOT
Qytetarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë shënuar shifra rekorde të daljes në zgjedhje që nga koha kur president i SHBA-së ka qenë Xhon Kenedi. Radhët e gjata dhe gjithçka tjetër kanë shënuar interesim të madh të shtetasve në botë për të vendosur për pasardhësin e presidentit Xhorxh Bush. Qendrat e votimit kanë filluar të mbyllen rreth orës gjashtë të pasditës, sipas kohës lokale në SHBA, 00:00 sipas orës sonë lokale. Deri në orën 2:30, sipas orës sonë lokale, ka arritur që të përfundojë procesi i numërimit të votave në rreth 25 shtete, ndërkaq që ka prirë kandidati demokrat Barak Obama, me 103 vota elektorale. Deri në këtë orë të mëngjesit kandidati republikan, Xhon Mekejn, ka fituar 69 vota elektorale...

LAJM
Amerikanët dolën të martën në vendvotime për të zgjedhur presidentin e ri - demokratin Barack Obama ose republikanin John McCain. Votimet, sipas kohës evropiane, filluan rreth orës 12, ndërsa shumica e anketimeve kanë nxjerrë favorit senatorin Obama. Për t'u zgjedhur president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës duhet siguruar 270 votat elektorale nga 538 sa disponon Kolegji elektoral, që numërohen në 50 shtete federale dhe në distriktin e Washingtonit. Rreth 29 milionë ndërkohë kishin hedhur votën e tyre në votimet e parakohshme. Dy kandidatët presidencialë e mbyllën fushatën të hënën vonë, duke apleuar te qytetarët amerikanë që të dalin në vendvotime. Senatori demokrat, Barack Obama, u tha mbështetësve të tij në Florida se ata duhet të harrojnë anketimet që flasin për epërsi solide të tij dhe të dalin në vendvotime...

EPOKA E RE
Pas mbylljes së fushatës më të shtrenjtë në historinë amerikane, dje në SHBA janë mbajtur zgjedhjet presidenciale ku është votuar për zgjedhjen e shefit të 44-të të Shtëpisë së Bardhë, të liderit jo vetëm të mbi 300 milionë amerikanëve, por edhe i tërë botës, i shtetit më të fuqishëm në aspektin politik, ekonomik dhe ushtarak, që ndryshe quhet edhe djepi i demokracisë. Vendvotimet e para për zgjedhjen ishin hapur të martën në mëngjes, ka bërë të ditur Komisioni Zgjedhor, sipas të cilit zgjedhjet së pari kanë filluar në qytetin Bonington, në shtetin federal Vermont. Në zgjedhjet presidenciale në SHBA të martën janë paraqitur disa probleme para vendvotimeve, ashtu edhe për shkak të funksionimit të dobët të aparateve elektronike. Në disa vendvotime në Nju Xhersi zgjedhësit janë detyruar të votojnë duke i përdorur listat e votimit, meqë kishte problem me aparate elektronike...

EXPRESS
Emri Barack në shqip do të thotë Bekim. Rezultatet e para tregojnë se Barack Obama e ka marrë bekimin e amerikanëve për ta udhëhequr kombin në një momnet jo të lehtë për superfuqinë botërore. Ky është një tregim që mund të ndodhë vetëm në Amerikë. Vetëm në Amerikë. Projeksionet e para të disa prej mediave më të mëdha amerikane, mënjëherë pas mbylljes së kutive të votimit, dhanë sinjale të mira për senatorin McCain. Më pas, Barack Obama u përforcua në rrugën drejt fitores. Sipas sondazheve fillestare, ai ka udhëhequr në shtetet vendimtare. Analistët dhe burimet jozyrtare parashikojnë se zgjedhjet historike do të sjellin për herë të parë një afro-amerikan në Shtëpinë e Bardhë...

KOHA DITORE
Ende pa lindur dielli ditën e martë, në qytetin universitar të Columbias, radhë të gjata të votuesve janë krijuar para pikave të votimit, të cilat janë hapur qysh në orën gjashtë të mëngjesit. Zyrtarë zgjedhorë në Missouri kanë paralajmëruar se deri në orën 7 të mbrëmjes, kur mbyllen ato, do të votojnë 3.2 milionë qytetarë. Në të gjitha shtetet e Amerikës në ditën e zgjedhjeve është raportuar për pjesëmarrje rekord në votime. Me pjesëmarrjen e vlerësuar si më të lartë që nga viti 1960, kur kishin garuar ish-presidenti John F. Kennedy dhe Richard Nixton, historia e këtyre zgjedhjeve pritet të rritet edhe më shumë me numërimin e votave, duke zgjedhur presidentin e 44-të të SHBA-së...

INFOPRESS
Sado që ende nuk ka rezulatate të sakta, në gjithë vendet e botës kanë filluar kalkulimet për presidentin e ri. Vendet e ndryshme të botës kanë bërë tashmë llogaritë se cili nga kandidatët presidencialë është më i përshtatshëm për politikën e tyre. Ndërkaq, ambasadori i SHBA-ve në Beograd, Cameron Munter, ka siguruar popullin e Kosovës teksa ka deklaruar se raportet e Amerikës ndaj Kosovës dhe Serbisë nuk varen nga epilogu i zgjedhjeve të sotme. “Mes kandidatëve për president, John McCain dhe Barack Obama, ekziston konsensusi që të vazhdohet politika e deritashme ndaj Ballkanit Perëndimor", ka thënë Munter...

ZËRI
Demokrati Barak Obama dhe republikani Xhon MekKein u përballën dje me gjykimin e votuesve amerikanë, pas betejës së gjatë dhe të ashpër në Shtëpinë e Bardhë, me Obamën i cili para zgjedhjeve kryesonte në anketat kombëtare. Së paku 130 milionë amerikanë votonin në zgjedhjet për pasardhësin e kryetarit aktual republikan amerikan, Xhorxh Bush, dhe për të përcaktuar kursin e ri për vendin gjatë katër viteve të ardhshme, në lidhje me krizën ekonomike, luftërat në Irak dhe Afganistan, ristrukturimin e kujdesit shëndetësor dhe në lidhje me çështjet e tjera. Qendrat e para të votimit u mbyllën në Indiana dhe Kentaki në orën 18.00, ndërsa votimi në 48 shtetet tjera amerikane përfundoi gjashtë orë më vonë...
XS
SM
MD
LG