Ndërlidhjet

Liderët kosovarë urojnë Obamën


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Liderët politikë të Kosovës i kanë drejtuar telegrame urimi presidentit të ri amerikan, Barack Obama. Udhëheqësit kosovarë shprehen të bindur se kursi i politikës amerikane ndaj Kosovës nuk do të ndryshojë. Ata njëherësh e vlerësojnë shumë lart garën zgjedhore dhe ditën e zgjedhjeve, duke e cilësuar atë si një dëshmi për shkallën e lartë të demokracisë në SHBA.

Udhëheqësit kosovarë kanë uruar senatorin Barack Obama pas fitores në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lidershipi i Kosovës vlerëson se zgjedhjet presidenciale në SHBA ishin edhe një dëshmi për shkallën e lartë të demokracisë në këtë vend. Presidenti Fatmir Sejdiu ka përgëzuar Obamën, duke vlerësuar se zgjedhjet presidenciale në SHBA ishin një garë dinjitoze, demokratike dhe historike. Sejdiu tha se pret që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë me përkrahjen e tyre tashmë të dëshmuar për Kosovën.

“Ne çmojmë jashtëzakonisht shumë rolin që SHBA-të kanë pasur, kanë dhe do të kenë për Kosovën . Për ne është me rëndësi që të gjitha administratat e deritanishme dhe këto në vazhdim, kanë pasur përkushtim të thellë që Kosovën ta ndihmojnë, në radhë të parë lirinë njerëzore dhe lirinë e popullit të saj, dhe natyrisht në proceset tjera që i kemi përpara”,
u shpreh Sejdiu.

Edhe kryeministri Hashim Thaçi i ka drejtuar urimin e tij përmes një telegrami, presidentit të ri amerikan, Barack Obama.

“Republika e Kosovës është mik dhe partner i madh i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne vlerësojmë lart mbështetjen e madhe që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë popullit të Kosovës në rrugën tonë drejt shtetit të pavarur dhe demokratik”, u shpreh Thaçi.

Ai rikujtoi 17 shkurtin e këtij viti, kur Kosova, në koordinim me Uashingtonin, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, mori vendimin historik për shpalljen e pavarësisë.

“Ne jemi të sigurt se politika e jashtme amerikane karshi Kosovës do të vazhdojë të mbetet konsistente dhe besojmë fuqishëm në thellimin e bashkëpunimit mes dy qeverive tona, mes dy popujve tanë”, tha Thaçi.

Ndërkohë, edhe nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, thotë se fitorja e Obamës ishte e pritur. Edhe Isufi nuk pret ndryshime në politikën amerikane ndaj Kosovës, por beson në kontinuitet.

“Politika amerikane gjithmonë ka qenë konstante sa i përket qëndrimit ndaj Kosovës dhe përkrahjes që i është dhënë. Prandaj, konsiderojmë se do të ndiqet një politikë e njëjtë, andaj edhe zoti Obama, edhe nënkryetari Biden, i angazhuar rreth Kosovës, do të kenë një qasje shumë pozitive ndaj proceseve që udhëhiqen ndaj Kosovës”, tha Isufi.

Në anën tjetër, serbët e Kosovës nuk presin ndryshimin e kursit të politikës amerikane ndaj rajonit, por, sipas tyre, fitorja e demokratit Obama mund të sjellë disa risi. Dragan Veliq thotë se Obama paraqet një shpresë më të madhe se ai do të angazhohet që zgjidhjet e problemeve në Ballkan të jenë të pranueshme për të gjithë.

“Kosova dhe politika ndaj saj fiton një mundësi më të madhe që të kërkohen zgjidhje, të cilat do të ishin të pranueshme si për serbët, ashtu edhe për shqiptarët”,
thotë Veliq.

Ndërkaq, udhëheqësit kosovarë i kanë shprehur mirënjohje edhe senatorit republikan, John McCain, si dhe kanë çmuar lart kontributin e administratës së presidentit George Bush për Kosovën. Presidenti Fatmir Sejdiu rikujtoi kontributin e madh që demokratët dhe republikanët kanë dhënë për Kosovën, si tash, ashtu edhe në të kaluarën.

“Demokratët kanë qenë po ashtu në proces të mbështetjes për Kosovën. Por, dua të them se SHBA-të kanë qenë dhe janë në mbështetje të Kosovës. Pra, ka qenë një kurs konstant në mbështetje të Kosovës. Juve ju kutjohen vërejtjet e Kërshëndellave të 92-shit të presidentit Bush plakut. Ju kujtohet edhe intervenimi i thellë i SHBA-ve bashkë me aleatët e NATO-s në vitin ‘99 dhe tash, së fundi, kjo që bëri presidenti Bush”, tha Sejdiu.

Ndryshe, lidershipi i Kosovës beson se kursi i politikës amerikane ndaj Kosovës nuk do të ndryshojë, duke shpresuar se Uashingtoni ishte dhe mbetet aleati dhe partneri më i fuqishëm i Republikës së Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG