Ndërlidhjet

Qytetarët e vlerësojnë pozitive fitoren e Obamës


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë shumë demokratike. Kështu vlerësojnë disa qytetarë të Kosovës, të cilët shprehin optimizëm se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë ta ndihmojnë Kosovën në zhvillimet e mëtutjeshme.

Bahri Hyseni, qytetar nga Prishtina, thotë se amerikanët edhe kësaj radhe kanë qenë një shembull për vendet e tjera të botës, se si nuk duhet të ketë paragjykime për të votuar një kandidat për president.

"Mendoj që janë zgjedhje historike; është treguar edhe një herë se Amerika është shtet me fuqi shumë të madhe demokratike, që nuk shikon ngjyrën, nuk shikon bindjet politike. Prandaj, urojmë SHBA-të që kanë zgjedhur një president dhe kanë treguar se çka është demokracia, u kanë treguar edhe shteteve të tjera", tha Hyseni.

Ndërkaq, Ahmet Sekiraqa thotë se SHBA-të janë vendi i demokracisë botërore dhe kjo u vërtetua edhe kësaj radhe me zgjedhjet presidenciale.

"Amerika është vendi i demokracisë botërore. Obama është zgjidhje e mirë. Dëshmia më e mirë - derisa atje u tha zyrtarisht fituesi, kundërshtari i tij i parë ia uron fitoren", thotë Sekiraqa.

Kurse, Riza Makolli është optimist se SHBA-të edhe më tutje do ta ndihmojnë Kosovën në zgjidhjen e problemeve, e sidomos, siç thotë ai, me Barack Obamën president.

"Ajo është një zgjidhje e mirë. Me siguri që ai do të na ndihmojë, sikur edhe deri tash SHBA-të. Me siguri që Obama do të ndikojë pozitivisht në çështjen e Kosovës, në zgjidhjen e problemeve tona", shprehet Makolli.

Kadrushe Nuhiu është e gëzuar që kandidati demokrat është zgjedhur president.

"Megjithëse nuk i kam përcjellë shumë zgjedhjet në Amerikë, mendoj që kanë qenë zgjedhje demokratike... Më vjen mirë që ka fituar Barack Obama - është njeriu i parë me ngjyrë dhe një përkrahës i pavarësisë së Kosovës", tha Nuhiu.

Zgjedhjet në SHBA kanë qenë historike - konsideron Azem Gashi.

"Historike; ma merr mendja se është një zgjidhje e qëlluar. Ma merr mendja se aftësia e tij, oratoria e tij, e kanë sjellë deri aty", shprehet Gashi.

Teuta Ramadani beson që Barack Obama do ta përkrahë Kosovën në zhvillimet e mëtejme.

"Mendoj se është mirë që ka fituar Barack Obama. Kanë qenë zgjedhje demokratike. Shpresoj që edhe ky president do të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve në Kosovë", thotë Ramadani.

Kurse, Fehmi Baftiu thotë:

"Vetë fakti që demokracia ka filluar dhe po lulëzon në Amerikë, bëri edhe atë që opinioni botëror ta kuptojë që njeriu është qenia më e mirë, pavarësisht ngjyrës, etnitetit, kulturës ose pozitës. Për mua Barack Obama është një njeri, i cili i sjell rinisë një perspektivë në ripërtrirjen e disa vlerave konservative të klanit Bush".


XS
SM
MD
LG