Ndërlidhjet

Faith mirëpret raportin e KE


Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë Pieter Faith ka mirëpritur Raportin e Progresit për vitin 2008 të Komisionit Evropian.

“Raporti i Progresit i Komisionit Evropian që është publikuar sot është një mjet i rëndësishëm për vlerësimin e progresit të gjithmbarshëm të Kosovës në bërjen e reformave të nevojshme. Ky raport rithekson porosinë se edhe Kosova bën pjesë në perspektivën evropiane të mbarë rajonit", tha Faith për të shtuar se nëpërmjet këtij raporti vihen në pah fushat për të cilat nga autoritetet vendore kërkohet angazhim i rritur dhe i vazhduar, në mënyrë që kjo perspektivë të shndërrohet në realitet.

Faith përmes një deklarate për media, ka thënë se mirëpret propozimin e Komisionit Evropian për të bërë një studim fizibiliteti me të cilin do të vlerësohen mënyrat për të çuar përpara zhvillimin politik dhe socio-ekonomik të Kosovës.

"Ky studim është një lajm i mirë për Kosovën, meqë do të krijojë ide se si Kosova, si pjesë e rajonit, do të mund të ecte më së miri drejt integrimit të saj në BE. Në këtë kuptim, unë i inkurajoj institucionet përkatëse të Kosovës që të ndërmarrin reformat e nevojshme," tha Faith.
XS
SM
MD
LG