Ndërlidhjet

logo-print

Rusia e tërhequr ndaj fitores së Obamës

  • RFE /RL

Presidenti rus, Dmitry Medvedev, duke mbajtur fjalim në Kremlin, 5 nëntor 2008.

Presidenti rus, Dmitry Medvedev, duke mbajtur fjalim në Kremlin, 5 nëntor 2008.

Presidenca e George Bushit filloi me atë shikim në sytë e homologut të tij rus Putin dhe shpresën për raporte të mira, por po mbyllet me marrëdhëniet ruso-amerikane në nivelin më të ultë që nga koha e Luftës së Ftohtë.

Rusia është pasuruar dhe paratë e naftës dhe gazit e kanë bërë më agresive.

SHBA-ja dhe Rusia kanë mosmarrëveshje të hapura në shumë çështje, nga zgjerimi i NATO-s tek lufta në Gjeorgji. Dhe, duket se atmosfera në marrëdhëniet mes dy vendeve nuk ka ndryshuar edhe pas zgjedhjeve të 4 Nëntorit në SHBA.

Presidenti rus, Dimitry Medvedev, i cili të parin fjalim para kombit, që nga ardhja në Kremlin e mbajti një ditë pas zgjedhjeve amerikane, lëshoi një morri akuzash ndaj Shteteve të Bashkuara si përgjegjëse për krizën globale financiare dhe për një politikë raketore agresive në Evropë.

"Ne nuk kemi probleme me popullin amerikan. Shpresojmë që partnerët tanë në administratën e re amerikane të bëjnë zgjedhjet e tyre në favor të marrëdhënieve të mira me Rusinë", tha Medvedev.

Ky i fundit do të udhëtojë drejt Uashingtonit më 15 nëntor, por nuk dihet nëse do të takohet me presidentin e sapozgjedhur.

Presidenti i sapozgjedhur amerikan, Barack Obama.
Përmirësimi i raporteve me Rusinë do të jetë një nga detyrat më të vështira për Obamën pasi të marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë në janar të 2009-ës.

Sergei Rogov, drejtor i Institutit për studime amerikane e kanadeze me qendër në Moskë, beson se fitorja e Obamës shënon një periudhë të re në historinë amerikane dhe fundin e asaj që Rusia e ka parë si një-polarizim nga ana e Uashingtonit.

"Dy luftërat e kanë lodhur tej mase ushtrinë dhe buxhetin amerikan. Veprimet e njëanshme të ndërmarra nga administrata Bush, nuk janë më të mundura. Në këtë kontekst duhet të arrihen marrëveshje me Evropën, Kinën dhe Rusinë për një mori problemesh. Ka mosmarrëveshje serioze rreth futjes së Gjeorgjisë dhe Ukrainës në NATO. Obama ndoshta merr hapa të rëndësishëm drejt zvogëlimit të arsenalit bërthamor dhe për të luftuar shumimin e armëve të shkatërrimit në masë", thotë Rogov.

Obama shihet nga Rusia si më pak luftarak se rivali i tij John McCain, i cili kërkoi largimin e Rusisë nga G8.

Disa zyrtarë rusë e shohin zgjedhjen e Obamës si diçka pozitive për Moskën.

"Rusia nuk duhet të kërkojë konsensione të menjëhershme nga presidenti i ri amerikan", thotë Konstandin Kosaçijov, kreu i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë në Dumën ruse.

Por, Rogov nuk pret ndonjë ndryshim të madh në raportet mes dy vendeve. Më së shumti, sipas tij, dialogu do të jetë më pak agresiv.

"Retorika është ashpërsuar shumë gjatë viteve të fundit, nën presidencën e Bushit, e në veçanti nga fillimi i luftës ruso-gjeorgjiane. Nuk mendoj se retorika do të zbutet ndjeshëm, por nuk besoj se gjërat do të përkeqësohen. Idetë për të deklaruar një luftë të re të ftohtë apo për përjashtimin e Rusisë, ishin të McCainit. Obama e ka treguar veten më të matur", thotë Rogov.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG