Ndërlidhjet

WP: “Obama dhe politika e jashtme”


“Washington Post”

Fitorja e Barack Obamas ka nxitur një vërshim reagimesh dashamirëse nga e mbarë bota, por, njëkohësisht, edhe shenjat e para mbi sfidat, të cilat i ka parashikuar bashkëgaruesi i tij, Joseph Biden.

Nuk është e befasishme që regjimi i zotit Medvedev dhe patronit të tij, Vladimir Putin, do të jetë i pari që do të përpiqet të provokojë presidentin e sapozgjedhur, edhe pse shpejtësia me të cilën është bërë një deklaratë, mund ta ketë befasuar edhe vetë zotin Biden.

Synimet parësore të politikës së jashtme të zotit Putin kanë të bëjnë me rivendosjen e dominimit të llojit sovjetik tek fqinjët e Rusisë, në Gjeorgji dhe Ukrainë, për të dëshmuar kësisoj se Moska ende mund të veprojë si fuqi e barabartë në raport me Shtetet e Bashkuara.

Çështja e vendosjes së raketave të reja në enklavën baltike ruse të Kaliningradit, ashtu siç ka pohuar edhe zoti Medvedev, është një përpjekje për të shtyrë administratën e re amerikane apo aleatët e saj në NATO, që të heqin dorë nga plani për vendosjen e sistemit anti-raketor në Poloni dhe në Republikën Çeke.

Mbase, zoti Obama do të jetë mjaft i mençur që të mos hyjë në këtë kurth. Ai tashmë e ka bërë të qartë se do të jetë kundër agresionit të Rusisë në Evropë.

Po ashtu, janë disa çështje që presidenti i ri amerikan do të mund t'i përmbushë në rrafshin e politikës së jashtme në 12 muajt e parë.

Gjatë periudhës së tranzicionit në Shtëpinë e Bardhë, zoti Obama nuk do të përzihet në vendimet e administratës së zotit Bush, e posaçërisht jo në çështjet globale.

Ai synon të bëjë një përpjekje të hershme për t'i dhënë një shtytje procesit paqësor izraelito-palestinez, përkundër trazirave politike në Izrael. Duke vëzhguar nga afër presidentët Clinton dhe Bush, ai e ka të qartë se nuk ke llogari të presësh deri në çastin e fundit për të qenë një ndërmjetës aktiv.

Në Iran, zoti Obama synon të hapë derën për një proces angazhimi dhe dialogu, me gjithë dyshimet se nuk do të ketë sukses, ndërkaq, në Irak dhe Afganistan, ai mbase do të dëgjojë këshillat e zyrtarëve të lartë ushtarakë para se të marrë ndonjë vendim.

Dhe, së fundi, këshilltarët e presidentit të ri janë duke menduar si ta shfrytëzojnë moshën e tij të re, karizmën dhe trashëgiminë afrikano-amerikane, për ta transformuar imazhin amerikan në botë.
XS
SM
MD
LG