Ndërlidhjet

logo-print
Kryeministri dhe Qeveria e Kosovës e vlerësojnë real raportin vjetor të Komisionit Evropian në lidhje me progresin e arritur në Kosovë, të publikuar më 5 nëntor.

Shumë sfida e shqetësime të ngritura në këtë raport, që kanë të bëjnë me korrupsionin, krimin e organizuar, strukturat paralele apo edhe zhvillimin e ultë ekonomik, sipas kryeministrit Hashim Thaçi, janë edhe shqetësimet e tij dhe qeverisë që drejton.

Strukturat paralele dhe mungesa e sundimit të ligjit në pjesën veriore, sipas Thaçit, adresohen me të drejtë në raportin e Komisionit Evropian. Ai tha se oaza e krimit të organizuar është në veri të Kosovës.

“Oaza e krimit të organizuar në Kosovë është në veri të Mitrovicës, ndërsa adresa e luftimit të saj është Qeveria e Kosovës dhe raporti është real. Por, do të jemi të pakompromis në këtë drejtim dhe do të kërkojmë edhe mbështetjen e gjithë faktorit relevant ndërkombëtar, atij lokal dhe profesional”.

“Në këtë drejtim mbetet që të bëjmë shumë, ne si qeveri, si institucione, që të ndërtojmë Kosovë demokratike, me institucione efektive të qeverisjes së mirë e të sundimit të ligjit e tolerancë zero ndaj korrupsionit e krimit të organizuar”, theksoi Thaçi.

Kryeministri Hashim Thaçi është pajtuar edhe me sfidat tjera që përmenden në raportin e Komisionit Evropian, që kanë të bëjnë me korrupsionin në rritje. Ai tha se do të iniciojë reforma në sistemin e drejtësisë, i cili, sipas tij, nuk po funksionon.

“Korrupsioni e krimi i organizuar nuk luftohet duke mos funksionuar organet e drejtësisë. Ju i dini deklarimet, shqetësimet, vendosmërinë time që nga dita e parë e zgjedhjes sime si kryeministër. Unë do të vazhdoj përkushtimin e tillë, që të kemi reforma të thella në sistemin e drejtësisë
”, u shpreh kryeministri Thaçi.

Në anën tjetër, opozita shprehet shumë e pakënaqur me përmbajtjen e raportit dhe fajet për këtë gjendje ia adreson Qeverisë së Kosovës. Ibrahim Makolli, deputet i Aleancës Kosova e Re, thotë se për fat të keq, ky raport paraqet pasqyrën reale për progresin në Kosovë, pasi që, sipas tij, ka ngecje të shumta në zhvillimin e demokracisë, në çështjen e sundimit të ligjit, mangësi në luftimin e korrupsionit si dhe krimit të organizuar.

“Konsideroj se ky raport do të duhej tashmë që t’u shërbejë institucioneve si pikënisje për të ndryshuar qasjen ndaj problematikave të ndryshme që ka Kosova, në veçanti ndaj korrupsionit e krimit të organizuar, që paraqesin një prej problemeve më të mëdha të shoqërisë kosovare”, tha Makolli.

Si pasojë e mospërmbushjes së parimeve të kërkuara për integrimet evropiane, Kosova, thekson Makolli, do të jetë më larg integrimeve dhe njëherësh pasojat do të ndihen edhe mbi supet e qytetarëve të saj.

“Pasojat konsideroj se do të jenë të mëdha, në rend të parë për qytetarët dhe institucionet e Kosovës, të cilat me gjithë brishtësinë që e kanë, nuk po arrijnë në asnjë rast që të jenë kompatibile me interesat e vendit dhe, e dyta, po ashtu që do t’i largojnë synimet e Kosovës që të jetë pjesë e familjes evropiane”, thekson Makolli.

Raporti vjetor i Komisionit Evropian, përveç kritikave dhe anëve negative për progresin në Kosovë, përmban edhe disa vlerësime pozitive që kanë të bëjnë me menaxhimin e situatës së sigurisë gjatë dhe pas shpalljes së pavarësisë, me miratimin e ligjeve të pakos së Ahtisaarit, si dhe me nxjerrjen e Kushtetutës si akt që mbështetet pikërisht në dokumentin gjithëpërfshirës për statusin të presidentit Ahtisaari.

* * * * *

Edhe Oda Ekonomike Amerikane, në një tryezë diskutimi, e ka ngritur sot çështjen e korrupsionit.

Një hulumtim, i cili përfshin 550 kompani, 50 prej të cilave janë biznese të komunitetit serb, tregon se mbi 60 për qind e të anketuarëve janë përgjigjur se në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë dhënë mito në të kaluarën. Nga studimi po ashtu del se pranimi i korrupsionit varet edhe nga madhësia e biznesve.

Të dhënat që kanë dalë nga hulumtimi tregojnë se përfshirja në korrupsion është situatë fitimprurëse për të dyja palët, si për komunitetin e biznesit, po ashtu edhe për zyrtarët e korruptuar.

Mimoza Kusari-Lila, drejtoreshë ekzekutive në Odën Ekonomike Amerikane, thotë se nëse nuk bëhet diçka urgjentisht, korrupsioni mund të bëhet normë e pranueshme etike e të bërit biznes në Kosovë.

“Afërsisht, gjysma e bizneseve të anketuara besojnë se vetëm duke u dhënë mito zyrtarëve, është mënyra e vetme për të ruajtur efikasitetin biznesor. Të dhënat e dala nga ky hulumtim flasin qartë se dimensioni i korrupsionit si problem është mjaft i madh, pasi që më shumë se 66 për qind janë përgjigjur në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi se kanë ofruar mito në të kalurën”,
tha Kusari-Lila.

Korrupsioni në Kosovë ka qenë i pranishëm që nga viti 1999, por rezultatet që dalin nga hulumtimi i bërë tregojnë se fenomeni i korrupsionit në masë të madhe apo 20 për qind e praktikave korruptuese kanë ndodhur gjatë vitit 2008, pra pas shpalljes së pavarësisë, kur institucionet e Kosovës i kanë marrë kompetecant e plota.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se prioritet i qeverisë është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai njëherësh ka thënë se ekzekutivi po bën përpjekje të vazhdueshme që të krijojë ambinet të përshtatshëm për komunitetin e biznesit.

“Për Qeverinë e Republikës së Kosovës është prioritet mbi prioritetet lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të gjitha dukurive të tjera. Por, këtë aktivitet për luftimin e korrupsionit nuk mund ta bëjë si një gjë të vetëm, por duhet të kemi faktorë të tjerë”, shprehet Kuçi.

Por, në pyetjen se a besoni që korrupsioni luftohet sistematikisht në Kosovë, mbi 40 për qind e pronarëve të bizneseve shqiptare dhe mbi 50 për qind e pronarëve serbë, përgjigjen se korrupsioni luftohet pjesërisht, përderisa 22 për qind e të gjithë pronarëve deklarojnë se korrupsioni nuk luftohet.

Në hulumtim po ashtu thuhet se bizneset nuk kanë besim në asnjë institucion kosovar që ka për detyrë për ta luftuar korrupsionin. Në Kosovë, ndërkaq, ekziston Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit. Hasan Preteni, udhëheqës i kësaj agjencie, thotë se fenomeni i korrupsionit në Kosovë ka marrë përmasa shqetësuese.

“Fakti është edhe më shqetësues, sepse paraja publike po keqpërdoret, po drejtohet në xhepat privatë të grupeve dhe individëve të ndryshëm, veprimet e të cilëve janë të dukshme, sepse ata po pasurohen brenda natës”.

“Kosova i ka institucionet e veta, Kosova i ka institucionet që kanë për mision luftën kundër korrupsionit. Ndërsa, kuadri i nevojshëm ligjor është në përfundim e sipër. Por, zyrtarë të institucioneve nuk po demonstrojnë gatishmërinë e duhur për të respektuar ligjin dhe vullnetin e mirë, për ta luftuar këtë të keqe, për ta luftuar korrupsionin”, thotë Preteni.

Një nga hallkat kryesore të pushtetit që mendohet se duhet të luftojë korrupsionin, është edhe sistemi gjyqësor. Por, rezultatet e hulumtimit tregojnë se shumica e të anketuarve të komunitetit të biznesit nuk i beson këtij sistemi.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG