Ndërlidhjet

Sa pushtet do të ketë Obama?


Presidenti i sapozgjedhur amerikan, Barack Obama, 4 nëntor 2008.
Presidenti i sapozgjedhur amerikan, Barack Obama, 4 nëntor 2008.

Të martën, Barack Obama nuk e fitoi vetëm presidencën amerikane. Partia Demokratike e tij fitoi shumicën në Kongres. Në shumë shtete, një fitore e tillë e dyfishtë do t'i jepte presidentit pushtet të pamasë. A është kështu edhe në SHBA?



"Sonte, për shkak të asaj që bëmë në këtë ditë, në këto zgjedhje, në këtë moment vendimtar, në Amerikë ka ardhur ndryshimi".


Kështu tha Barack Obama, duke shpallur fitoren në zgjedhjet e së martës, para një turme prej 100 mijë njerëzish në Çikago.

Kjo fitore i vë kapakun luftës mes dy partive politike amerikane për Shtëpinë e Bardhë. Por, nuk është luftuar vetëm për Shtëpinë e Bardhë në këto zgjedhje. Të martën, amerikanët po ashtu votuan kandidatët për ulëset në Kongres. Ata votuan edhe për 35 ulëse në Senat.

Zgjedhjet, shtet më shtet, përcaktojnë se cila parti kontrollon legjislativin. Ky pasion shpesh derdhet në luftën e profilit të lartë mes dy kandidatëve presidencialë.

Në disa raste, senatori republikan, John McCain, u ka kërkuar votuesve që ta zgjedhin atë si president, duke thënë se zgjedhja e Obamës mund të krijojë një pushtet të pakontrolluar demokrat në Uashington.

Por, në fund, Partia Demokratike e Obamës fitoi edhe presidencën, edhe shumicën në legjislativ.

Në Kongres, sipas rezultateve të deritashme, demokratët kanë fituar 20 ulëse shtesë. Ata do ta kenë shumicën prej të paktën 256 ulseve në dhomën 435 anëtarëshe.

Në Senat, demokratët fituan 6 vende shtesë. Kjo u jep atyre shumicën prej 56 ulseve në dhomën 100 anëtarëshe.

Pas zgjedhjeve, McCain u kërkoi përkrahësve të tij që ta lënë pas rivalitetin e hidhët.

"U bëj thirrje gjithë amerikanëve që më mbështetën, të më bashkohen jo vetëm në urimin ndaj tij, por edhe t'i ofrojmë presidentit tonë të ardhshëm vullnetin tonë të mirë për t'i gjetur kompromiset e nevojshme dhe për të kapërcyer dallimet, në mënyrë që ta rivendosim prosperitetin, ta mbrojmë sigurinë tonë në këtë botë të rrezikshme, që t'u lëmë fëmijëve dhe nipërve tanë një vend më të mirë dhe më të fortë, sesa e trashëguam",
tha McCain.

Por, disa nga shqetësimet e fushatës mbesin ende, veçanërisht rreth asaj nëse partia fituese zotëron pushtet të pakontrolluar.

Në shumë shtete, kjo është normë. Disa shembuj që vijnë në mend përfshijnë Rusinë, por edhe fqinjët e saj, dikur vende të ish-Bashkimit Sovjetik.

Por, në demokracitë perëndimore, liderët nuk fitojnë kontroll të pakufizuar në shtetet e tyre, madje edhe kur partitë e tyre dominojnë legjislativin.

Në SHBA, mbrojtja nga ky pushtet sigurohet nga ndarja në tri degë të qeverisë: dega ekzekutive, ajo legjislative dhe gjyqësore. Arsyeja për këtë ndarje është evitimi i pushtetit me grusht të hekurt.

Kështu, edhe kur partia në pushtet ka presidencën dhe më shumë se shumicën e thjeshtë në dy dhomat e legjislativit, pushteti i saj kontrollohet nga gjyqësori. Kontrollimi nga gjyqësori përfshin pushtetin për të shpallur ndonjë ligj, ose akt ekzekutiv që është në kundërshtim me Kushtetutën.

Për më tepër, amendamentimi i Kushtetutës në SHBA përfshin një proces të lodhshëm, që përfshin legjislativin e të gjitha shteteve - duke bërë kështu jashtëzakonisht të vështirë instalimin e ndonjë lloj dikatature.

E tërë kjo ofron një rrjet të sigurt kundër abuzimit të pushtetit presidencial dhe legjislativ. Por, zakonisht, janë të rralla rastet kur partia në pushtet kontrollohet në këtë mënyrë.

Në të shumtën e rasteve, partia në pushtet konsideron se është në interes të saj që të punojë me partnerët opozitarë të Kongresit, për të arritur përkrahjen dypartiake në shumë iniciativa.

Një nga arsyet për këtë është kjo - derisa disa ligje kalojnë në Kongres me shumicën e thjeshtë, ato të rëndësishmet kërkojnë dy të tretat e votave. Për të marrë përkrahjen e duhur për këto, partia në pushtet duhet të ketë një lloj raporti bashkëpunues me opozitën.

Në sistemet parlamentare të Evropës Perëndimore, mungesa e bashkëpunimit politik mund të çojë në bllokim të Parlamentit, gjë që çon në zgjedhje të parakohshme. Kjo ofron një kontrollim tjetër të partive dominuese.

Megjithatë, jo gjithnjë duhet këso kontrolle. Në mandatin e parë të presidentit në largim, George Bush, demokratët turfullonin, meqë republikanët mbanin shumicën në Kongres. Disa nga ndasitë ishin mbi luftën në Irak, procedurat në Guantanamo - të cilat iu nënshtruan një rishikimi gjyqësor - dhe politikat financiare.

Por, minoriteti demokrat kishte mjaft ndikim për të luftuar me shumicën republikane në shumë projektligje. Dhe, në zgjedhjet e 2006-ës ata fituan kontrollin në të dy dhomat e Kongresit.

Tash, është radha e republikanëve të kalojnë në opozitë. Pritet që edhe ata të mbrojnë pozicionet e partisë së tyre, sikur që bënë demokratët. Dhe, ata po ashtu do ta bëjnë këtë, duke e ditur se e tërë Dhoma e Përfaqësuesve rizgjidhet çdo dy vjet - bilanci i pushtetit mund të lëvizë sërish në të ardhmen.
XS
SM
MD
LG