Ndërlidhjet

“Serbia të kushtëzohet me pranimin e EULEX-it”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
EXPRESS
Bashkimi Evropian duhet ta kushtëzojë afrimin e mëtejshëm të Serbisë në familjen evropiane me pranimin e misionit të EULEX–it në Kosovë, konsideron raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Joost Lagendijk. "Përparimi i Serbisë në procesin e integrimeve evropiane dhe përmirësimi i bashkëpunimit me Tribunalin e Hagës, janë për t'u lavdëruar, mirëpo Beogradi nuk guxon të mendojë se qëndrimi i tij ndaj Kosovës dhe afrimi me BE-në janë dy çështje të ndara", ka thënë Lagendijk, pas publikimit të raportit të Komisionit Evropian për Ballkanin. Deputeti holandez është shprehur se dokumenti i KE-së në mënyrë të butë i bën thirrje Serbisë të ketë qasje konstruktive ndaj Kosovës, derisa qëndrimi i BE-së duhet të jetë i qartë. "Obstruksioni ndaj misioneve në Kosovë, nuk do të tolerohet". Lagendijk ka theksuar se Beogradi po vazhdon të pengojë shtrirjen e EULEX-it në veri të Kosovës, prandaj BE-ja nuk guxon t'i lejojë Serbisë të bëjë hapa të mëtejmë drejt anëtarësimit, derisa e pengon këtë mision...

LAJM
Sekratari i jashtëm britanik, David Miliband, ftoi Prishtinën zyrtare që të vazhdojë bisedimet me Beogradin për çështje me interes të të dyja palëve. Ftesa e tij për dialog përmbante edhe këshillën që kosovarët të mos negociojnë për çështje që konsiderohen të panegociueshme për ta, thjesht të mos e tejkalojnë “vijën ë kuqe“. Miliband nuk tha se cila është “vija e kuqe” që nuk duhet tejkaluar, por u shpreh qartë se sovraniteti i Republikës së Kosovës është i Qeverisë së Kosovës dhe i askujt tjetër. Por, për gjashtë pikat e parapara nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, liderët kosovarë nuk janë të gatshëm të bisedojnë me Beogradin. “Vija e kuqe”, sipas zëvendëskryeministrit Ramë Manaj, nënkupton se Kosova kurrë nuk do të bisedojë me Serbinë për sovranitetin politik dhe territorial të saj, për integritetin dhe tërësinë territoriale, për zgjidhjen e çështjes së statusit, për ndarjen e Kosovës, për zgjidhjet tjera që tentojnë tejkalimin e planit të Ahtisaarit...

ZËRI
Sa më shumë po kalon koha që prej se Kosova, më 17 shkurt të këtij viti, u bë shtet i pavarur, i cili në ndërkohë është njohur prej 52 shteteve anëtare të OKB-së, po forcohet një koncepcion, i cili realisht është rreziku më i madh për funksionimin e shtetit të Kosovës, për jetësimin e propozimit gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari dhe për kalimin në fazën e fitimit të sovranitetit të plotë të Kosovës (e cila në pakon e Ahtisaarit do të duhej të ndodhë së paku dy vjet pas fillimit të implementimit të saj). Ky koncepcion, madje, është kontestim dhe kërcënim më i madh i pavarësisë së Kosovës, sesa procesi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ), në të cilën do të ofrohet një vlerësim për pavarësimin e Kosovës. Ky proces, sipas informatave të fundit, do të mund të zgjatë goxha një kohë, ndoshta dy deri në tre vjet, ndërsa, siç dihet tashmë, konkludimi i ICJ-së nuk është obligativ për palët në këtë kontest si dhe për shtetet që kanë pranuar pavarësinë. Koncepcioni për të cilin bëhet fjalë është ai i "neutralitetit ndaj statusit të Kosovës"...

KOHA DITORE
Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian ka bërë të enjtën debatin e parë për propozim-rezolutën për Kosovën, që e ka paraqitur raportuesi holandez, Joost Langedijsk. Në këtë debat të parë ka pasur disa dallime të qarta rreth mundësisë së vendosjes së EULEX-it në Kosovë dhe rreth definimit që disa deputetë kanë kërkuar që ky mision të jetë "neutral ndaj statusit". Në tekstin e Rezolutës së re të propozuar të Parlamentit Evropian për Kosovën shprehet edhe shqetësim për ndikimin negativ që në ekonominë e Kosovës kanë dinamika e ngadalshme e reformave, korrupsioni dhe krimi i organizuar. Këto dukuri më parë i kishte kritikuar edhe Komisioni Evropian në Raportin vjetor për Kosovën. Rezoluta e propozuar që duhet të kalojë disa lexime dhe të marrë parasysh edhe disa amandamente, pritet të japë disa udhëzime për angazhimet e BE-së në Kosovë dhe për zhvillimin e Kosovës...

INFOPRESS
Vizita e kryediplomatit britanik, David Miliband, në Prishtinë, ishte një inkurajim i ri në përpjekjet e institucioneve tona shtet-formuese, demokratike dhe integruese. Këto komente i ka bërë të enjten në Prishtinë kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, në hapje të mbledhjes së rregullt të kabinetit qeveritar. “Ne, të gjithë bartësit e institucioneve të Kosovës, në takimin e përbashkët që kishim, kemi shprehur zotimin tonë për vazhdimin e implementimit të kritereve demokratike në vend, për ndërtimin e Kosovës demokratike dhe shoqërisë multietnike, në ndërtimin e fiqnjësisë së plotë me të gjitha vendet e rajonit, për paqen dhe stabilitetin dhe për aspiratën tonë evropiane", tha kryeministri para anëtarëve të kabinetit qeveritar...

BOTA SOT
Qeveria e Kosovës e ka pranuar si vlerësim real raportin e progresit për Kosovën, të prezantuar nga ana e Komisionit Evropian, ndërkohë që është zotuar se rekomandimet do të jenë udhërrëfyese dhe të implementueshme për nga institucionet e Kosovës. Raporti në fjalë, i publikuar dje nga ana e KE-së, i ka kritikuar institucionet e Kosovës për mosangazhim të duhur në kryerjen e obligimeve të tyre. Kreu i qeverisë, Hashim Thaçi, ka mirëpritur këtë raport, duke e konsideruar si mundësi për ta vlerësuar rrugën e integrimit të Kosovës në BE dhe mundësi që institucionet e Kosovës të ndërmarrin veprime në përputhje me kriteret për anëtarësim. "Është synim i Kosovës që të jetë shtet funksional, demokratik dhe i ndërtuar mbi bazën e kritereve të anëtarësimit në BE dhe të jemi shtet konkurrues dhe meritor për t’u anëtarësuar", tha Thaçi...

KOSOVA SOT
Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, nën masa të rrepta sigurie, janë sjellë nga qendrat e paraburgimit të dënuarit siapas aktgjykimit të shkallës së parë për veprat penale të pjesëmarrjes në një organizatë kriminale për posedim dhe shpërndarje narkotikësh dhe për pastrim parash. I akuzuari Qamil Shabani është në paraburgim që nga 29 marsi i vitit 2004 dhe është dënuar nga gjyqtarët ndërkombëtarë me 18 vjet heqje lirie, si dhe dënimi me gjobë prej 100 mijë eurosh. I akuzuari Rexhep Selmani nga Gjilani (1972), i cili po mbahet në paraburgim që nga 29 marsi i vitit 2004, po ashtu është i dënuar me 12 vjet burg si dhe 10 mijë euro gjobë. Sherif Kqiku nga Gjilani (1974) në paraburgim nga 29 marsi i vitit 2004 është i dënuar me 10 vjet burg si dhe me gjobën prej 5 mijë eurosh. Sedat Pajaziti (1961)nga Gjilani, gjithashtu në paraburgim, është dënuar me 8 vjet heqje lirie dhe me dënim me gjobë në vlerë prej 5 mijë euro...

EPOKA E RE
Qeveria e Kosovës ka miratuar të enjten Projekt-kodin Doganor dhe të Akcizave të Kosovës, ka ndryshuar tri nene të Ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, ndërkohë që nuk ka shqyrtuar fare Projektligjin për Reformimin Lokal. Në prezantimin e projekt-kodit doganor dhe akcizave të Kosovës, në mbledhjen e qeverisë, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, ka thënë se projekt-ligji ka kaluar të gjitha fazat e diskutimit dhe ka arritur fazën e pjekurisë që të paraqitet si projekt për t’u proceduar në Parlament. Ndërkohë që ekzekutivi kosovar pas shqyrtimit, ka marrë vendim që ta ndryshojë ligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës nr 03/1-046 të datës 15. 06 .2008 dhe nr. 03/1-045 të po kësaj datë. Ministri Fehmi Mujota ka thënë se ky projektligj po rishqyrtohet në kuadër të harmonizimit të përgjithshëm të ministrit me Zyrën e kryeministrit dhe Zyrën e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar...
XS
SM
MD
LG