Ndërlidhjet

NYT, FT, WSJ: “Agjenda e zotit Obama”


“New York Times”, “Financial Times”, “Wall Street Journal”.

Katër Nëntori i vitit 2008 shënon një datë që do të mbahet në mend përgjithmonë, por a shënon kjo datë edhe një pikë kthese në substancën e politikës amerikane? Po. Kështu nis shkrimi në të përditshmen amerikane New York Times.

Aktualisht, shkruan gazeta, ka shumë të tillë që thonë se Amerika është ende një vend konzervativ dhe se votuesit do të mund t'i dënonin demokratët nëse ata lëvizin nga e majta. Të tjerët thonë se kriza ekonomike dhe ajo financiare nuk krijon hapësirë për veprim në sistemin e shëndetësisë për shembull.

Të shpresojmë, shkruan NYT, se zoti Obama do t'i injorojë këto këshilla. Mbajeni në mend gjithashtu se zgjedhjet e sivjeme presidenciale ishin një referendum i qartë mbi filozofitë politike dhe filozofia përparimtare ishte ajo që fitoi, shkruan NYT.

E përditshmja tjetër, Financial Times, shkruan se në vitet e fundit, kundërshtarët më të mëdhenj të Amerikës nuk ishin Al Qaeda, Korea e Veriut apo Irani. Kërcënimi strategjik ndaj fuqisë amerikane ka ardhur nga anti-amerikanizmi në rritje dhe zgjedhja e Barack Obamës e ka çarmatosur këtë ndjenjë.

Bota nuk ka mundur të votojë në zgjedhjet amerikane, por ajo e ka kuptuar rëndësinë thlebësore të rezultateve, shkruan gazeta. Këtu edhe mund të thuhet se qëndron gjenialiteti i zotit Obama: sikurse jashtë, ashtu edhe brenda Shteteve të Bashkuara - ai ka dëshmuar se është një politikan i rrallë që fton të tjerët të zbulojnë në të prioritetet dhe preokupimet e tyre.

Zotimet e presidentit të ri për angazhim dhe bashkëpunim flasin për një mirëkuptim se Amerika ka nevojë të grumbullojë sa më shumë miq për të mposhtur armqitë dhe se rregullat e një sistemi ndërkombëtar mund të imponohen edhe tek vendet më të brishta nëse ato vëzhgohen dhe respektohen nga më të fuqishmit, shkruan FT.

Në këtë kuadër, të përditshmet ndërkombëtare i kanë kushtuar një vëmendje të posaçme edhe sfidave përballë zotit Obama në raport me Moskën.

E përditshmja Wall Street Journal shkruan se presidenti i sapozgjedhur duhet ta bëjë të qartë se një Amerikë e udhëhequr nga ai, nuk do të lejojë të keqtrajtohet nga shpërthimet kërcënuese të liderëve rusë dhe se do të jetë një partner i qëndrueshëm për aleatët e Shteteve të Bashkuara në Evropë.

Çdo shenjë dyshimi nga administrata e ardhshme në këtë pikë mund të nxisë drithërima tek aleatët e NATO-s dhe të trimërojë edhe më shumë sjellje të këqija nga Rusia dhe të tjerët.

Kremlini, madje, shkruan gazeta, është duke i bërë nder zotit Obama, duke e testuar aq herët.

Dhe, pavarësisht se kush është në Shtëpinë e Bardhë, Shtetet e Bashkuara nuk do të mund të kenë marrëdhënie të mira me Rusinë, e cila ngulfat lirinë politike dhe kërcënon demokracitë fqinje.

Fatmirësisht, Amerika ka ndërtuar aleanca të fuqishme me vendet e lira evropiane, të cilat tani janë të gatshme të mbrojnë Amerikën dhe Evropën nga kërcënimet e pabesa me raketa. Do të ishte mirë që presidenti i ardhshëm ta thoshte se qëndron prapa këtyre aleancave, shkruan në fund WSJ.

XS
SM
MD
LG