Ndërlidhjet

Policia zotohet të luftojë krimin e kontrabandën


SHPK
SHPK

Policia e Kosovës paralajmëron veprime në veri të Mitrovicës për të goditur krimin e kontrabandën, por, njëherësh, tërhiqet vërejtja se në këtë pjesë të Kosovës, për shkak të gjendjes politike, nevojiten masa të kujdesshme dhe të koordinuara mirë. Policia e pranon se ka probleme serioze në relacionet mes policisë, prokurorisë dhe gjykatave.

Krimi i organizuar në pjesën veriore të Kosovës nuk mund të luftohet vetëm nga policia, por kërkon edhe vendime politike dhe koordinim me praninë ndërkombëtare, është thënë në një konferencë të Policisë së Kosovës.

Aty janë prezantuar disa rezultate në luftimin e krimit e kontrabandës, por për një luftë të mirëfilltë të këtyre dukurive, u tha se do të duhej që të funksiononin edhe pikat doganore që lidhin Kosovën e Serbinë në veri, si dhe do të nevojitet një luftë e krimit edhe nga ana e shtetit serb.

Koloneli Rifat Marmullaku, udhëheqës i Grupit Punues për parandalimin dhe luftimin e kontrabandës në rajonin e Mitrovicës, tha se policia po merret më shumë me kapjen dhe ndjekjen e dilerëve në pjesën jugore të Mitrovicës, që janë pjesë e grupeve kontrabanduese me naftë dhe gjësende tjera, por ende nuk ka arritur që të kapë kreun e këtyre grupeve kriminale.

Marmullaku tha se në Mitrovicë, veprimet e policisë janë më të kujdesshme, marrë parasysh gjendjen e atjeshme.

“Ju i dini rrethanat në Mitrovicë, është një situatë komplekse dhe një sfidë shumë e madhe për ne. Mirëpo, ky operacion, apo ky plan nuk është njëditor; është plan që do të zgjatë derisa të arrijmë qëllimin kryesor. Me siguri se kemi plane edhe për veprim në pjesën veriore, por duhet të jenë të matshme dhe duhet të jenë të koordinuara mirë me të gjithë partnerët dhe të jenë veprime ligjore”, tha Marmullaku.

Koloneli Marmullaku tha se kohët e fundit edhe shteti serb ka paralajmëruar masa kundër rrjetit kriminal që merret me kontrabandë, por, sipas tij, ende nuk vërehet se ka aksione konkrete.

“Edhe Serbia në këtë drejtim ka ndërmarrë disa masa, edhe pse nuk kanë filluar të implementohen. Presim që edhe Serbia të ndërmarrë diçka në këtë drejtim, sepse besoj që edhe ata kanë humbje dhe jo vetëm Kosova”, thekson koloneli Marmullaku.

Kryeministri pati thënë se oaza e krimit të organizar është në veri të Mitrovicës. Ndërkohë që policia thotë se po ballafaqohet me shumë rrjete e grupe kriminale edhe në pjesët tjera. Dje, në lindje të Kosovës, në afërsi të Gjilanit, është zbuluar dhe një organizatë me emrin “Lëvizja Serbe Çlirimtare Anti-terroriste, gjithmonë para të gjithëve” (SOAP).

Ndonëse ka një person të arrestuar, policia nuk e konfirmon nëse ai ka të bëjë me këtë organizatë. Te ky grup i dyshuar për aktivitete kriminale, polcia thotë se është gjetur dhe armatim e municion. Koloneli Marmullaku thotë se një organizatë e tillë ka qenë e njohur vetëm përmes internetit që nga viti 2005, por nuk ka të dhëna nëse është përfshirë ndonjëherë në ndonjë akt kriminal.

Kemi njohuri për këtë grup, e kemi fjalën për rastin e Gjilanit, ku është konfiskuar një sasi armatimi dhe janë gjetur disa veshje me mbishkrime kinse të një organizate çlirimtare. Ne kemi të dhëna për organizatën ‘SOAP’, e cila konsiderohet si organizatë fantome e prononcuar përmes internetit dhe disa shkrimeve në mediat serbe, por deri më tash nuk është regjistruar asnjë veprim konkret i inkriminuar i pjesëtarëve të kësaj organizate”, deklaroi Marmullaku.

Ndërkohë, nënkoloneli Fatos Haziri, udhëheqës i Departamentit kundër krimit të organizuar, thotë se ka ende probleme dhe boshllëk ligjor edhe në relacionet mes policisë, prokurorisë dhe gjykatave.

Si pasojë e këtij boshllëku ka ndodhur që policia të kapë akterë të ndryshëm të dyshuar për vepra kriminale, por të cilët nuk janë gjykuar apo dënuar. Nënkoloneli Haziri pret që ky boshllëk të plotësohet me ligje të reja, që Kuvendi i Kosovës duhet t’i miratojë.

“Ka probleme serioze në komunikimet polici, prokurori, gjykatë, pa përjashtuar edhe agjenci të tjera të zbatimit të ligjit. Se a do të ketë probleme Kosova me krimin e organizuar, besoj që është shumë e rëndësishme që policia ka ndërmarrë veprime të mëdha dhe ne shumë shpejt do të prijmë në rajon për profesionalizëm”, theksoi Haziri.

Në raportin e fundit të Komisionit Evropian për progresin në Kosovë tërhiqet vërejtja për shkallën në rritje të krimit të organizuar e korrupsionit. Kryeministri Thaçi e ka pranuar një vlerësim të tillë, duke e fajësuar për këtë gjendje sistemin e drejtësisë në Kosovë si jo funksional dhe ka paralajmëruar reforma të thella në këtë fushë.

XS
SM
MD
LG