Ndërlidhjet

Obama dhe sfidat

  • Andrew Tully

Presidenti i sapozgjedhur amerikan, Barack Obama, gjatë konferencës për shtyp, 7 nëntor 2008.

Presidenti i sapozgjedhur amerikan, Barack Obama, gjatë konferencës për shtyp, 7 nëntor 2008.

Më 20 janar 2009, kur Barack Obama do bëhet president i SHBA-së, do të përballet me sfida të mëdha, si kriza financiare në rritje dhe luftërat në Irak dhe Afganistan. Pastaj vjen Rusia, presidenti i së cilës, më 5 nëntor, mbajti një fjalim që përkujton Luftën e Ftohtë.

Shumica e analistëve thonë se Obama duhet të veprojë shpejt që të merret me krizën financiare. Disa madje kanë sugjeruar qysh tani ta emërojë sekretarin e Thesarit dhe menjëherë të fillojë punën njeriu, i cili do të zëvendësojë Henry Poalsonin, në mënyrë që të sigurohet një tranzicion i butë.

Por, disa vëzhgues veteranë të politikës amerikane thonë se nuk duhet shpejtuar. Një ndër ta është Leo Ribuffo, profesor i historisë në Universitetin George Washington, specialist për historinë - Amerikën e shekullit XX. Ribuffo i tha Radios Evropa e Lirë se do të ishte më mirë për zotin Obama që të presë pak dhe të zgjedhë njeriun e duhur.

"Ndërsa kjo krizë ka filluar të duket më e keqe se recesioni pas Luftës së Dytë Botërore, megjithatë nuk e dimë se sa do të zgjatë. Ekonomia mund të bjerë shumë në dy vjetët e ardhshëm, prandaj në Kongres, ndoshta me të drejtë, mund të ketë rezistencë të madhe për projektet madhore të tij", thotë Ribuffo.

Të njëjtin mendim e ndan edhe Patrick Basham, themelues i Institutit Demokratik në Uashington. Basham i tha Radios Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara kanë patur fazë të gjatë të tranzicionit, prandaj nuk duhet të veprohet me rrëmbim, qoftë edhe në kohë të vështirë ekonomike.

"Mendoj se shqetësimi nga veprimi i shpejtë i zotit Obama nuk është zbehur. Ndërhyrjet e ashpra në sistem, mendoj se do të ishin një reagim i tepruar, për të cilin do të na vinte keq, sepse pastaj ai bëhet shembull për tranzicionin",
thotë Basham.

Çështje tjetër me të cilën duhet të merret Obama është Iraku. Ribuffo thotë se Obama mund të jetë pak fatlum, nga mënyra se si administrata Bush e menaxhoi luftën në 18 muajt e fundit.

"Do të doja t'i shihja të gjitha trupat amerikane jashtë Irakut, por mendoj se dikush do të duhet të mbetet atje si stërvitës, derisa Qeveria irakiane të mund të sigurojë stabilitetin e duhur", thotë Ribuffo.

Basham thotë se një tërheqje kuptimplote e forcave luftarake nga Iraku jo vetëm që në mënyrë drastike do t'i zvogëlonte shpenzimet, por mund të ndihmonte në rimëkëmbjen e reputacionit të vendit në botë.

Sfidë tjetër e presidentit të ri do të jetë Rusia. Marrëdhëniet ndërmjet Moskës dhe Uashingtonit janë përkeqësuar që nga koha kur Bush u bë president 8 vjet më parë.

Steven Pifer, ish-ambasador amerikan në Ukrainë, dhe njëherësh bashkëpunëtor i Institutit Brookings, thotë se Obama mund të fillojë t'i përmirësojë raportet duke vendosur një regjim të ri për kontrollin e armatimit. Kjo mund të ndihmojë për të diskutuar çështjet tjera, si përfshirjen e ish-vendeve sovjetike në NATO.

Ai thotë se Rusia nuk duhet të ndjehet e rrezikuar nga aleanca e Atlantikut, dhe preferencat diplomatike të zotit Obama mund të ndihmojnë që Moska ta kuptojë këtë më mirë. Por, ajo që shqetëson ambasadorin Pifer është portretizimi i Shteteve të Bashkuara në Rusi, si mënyrë e disa njerëzve në Moskë që të mbeten në pushtet.

"Shtrohet pyetja sa janë të interesuar rusët për të ndryshuar marrëdhëniet? Në Kremlin ka një grup që ndjen se të kesh marrëdhënie të këqija me Shtetet e Bashkuara, është gjë e mirë për politikën e brendshme, sepse kjo u jep atyre mundësinë të thonë: 'Ne kemi shumë probleme, amerikanët e kanë fajin'. Madje, edhe për krizën globale financiare ata fajësojnë Amerikën", thotë Pifer.

Ish-ambasadori amerikan në Kiev thotë se në këtë rast, as Obama nuk mund të bëjë shumë punë.
XS
SM
MD
LG