Ndërlidhjet

Rruga e gjatë, ngjitja e drejtë


Përkrahësit e presidentit të ri.
Përkrahësit e presidentit të ri.

Një njeri me ngjyrë jo vetëm që ka fituar presidencën, por edhe ka thyer rekord në pjesëmarrjen e votuesve. Dhe, kjo e bën edhe më të vërtetë frazën kaq shumë të dëgjuar, këto ditë, në Amerikë: Rosa u ul që Martini të marshojë, Baracku të garojë dhe ne të fluturojmë.

Miliona afrikano-amerikanë as nuk kanë ëndrruar se një njeri me ngjyrë do ta zë zyrën më të lartë në SHBA.

Kur, lideri i të drejtave civile, Martin Luther King, mbajti fjalimin e famshëm "Unë kam një ëndërr", në vitin 1963, ëndrra kishte të bënte vetëm me barazinë mes racës dhe shtetit, ku fëmijët do të rriteshin jo duke u gjykuar nga ngjyra e lëkurës së tyre, por nga karakteret e tyre.

Në atë kohë, kjo ishte një nga synimet e larta për një segment të amerikanëve, që për 300 vjet duruan poshtërimin dhe brutalitetin e popullatës shumicë të bardhë - nga skllavëria, segregacioni, linçimi e deri te diskriminimi i legalizuar.

Më 1954, zezakët patën fitoren e parë legale, kur Gjykata Supreme deklaroi ilegal segregacionin në shkolla. Vendimi nxiti prishjen e diskriminimit legal kombëtar.

Më 1955, një zezake e quajtur Rosa Parks në Montgomery, në Alabamë, refuzoi kërkesën e shoferit të autobusit, që t'i lëshonte ulësen një pasagjeri të bardhë. Rezistenca e saj nxiti Lëvizjen për të Drejtat Civile - një përpjekje 13 vjeçare e afrikano-amerikanëve dhe përkrahësve të tyre për t'i dhënë fund të gjitha formave të diskriminimt racor.

Lëvizja kulmoi me marshin e vitit 1963 në Uashington, i cili mblodhi një çerek milioni të aktivistëve për të drejtat civile dhe ku u mbajt fjalimi historik i Martin Luther Kingut.

Brenda dy vjetësh, presidenti John Kennedy dhe presidenti Lindon Johnson nënshkruan Aktin e të Drejtave Civile, që ndalonte diskriminimin në shtëpi, punë dhe sindikata, si dhe Aktin për të Drejtën e Votimit, që shfuqizoi ligjet diskriminuese të votimit.

Më 1968, këto fjalë të Kingut ofruan një mesazh për shpresë, për përparim të mëtejmë për njerezit me ngjyrë në Amerikë.

"E kam parë tokën e premtuar. Ndoshta nuk do të mund të mbërrij atje me ju. Por, dua që ju ta dini sonte se ne si njerëz do të arrijmë në tokën e premtuar", pati thënë King.

Në fjalimin e fitores, Obama nderoi liderin e ndjerë të të drejtave civile, duke i dhënë jehonë mesazhit të tij:

"Rruga përpara do të jetë e gjatë, ngjitja jonë do të jetë e drejtë. Ndoshta nuk do të gjendemi atje për një vit, apo një mandat. Por, Amerikë, nuk kam qenë kurrë më me shpresë sesa sonte, se do të mbërrijmë atje. Ju premtoj se si njerëz ne do të arrijmë atje", ka thënë Obama.

Për afikano-amerikanët, këta dy njerëz përfaqësojnë idealin e gdhendur në Deklaratën e pavarësisë së SHBA-së, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë. King e predikoi, Obama e dëshmoi.

Tani komentatorët dhe kolumnistët kanë deklaruar një epokë të re në raport me racën në SHBA. Michael Dawson është drejtor në Qendrën për Studime të Racës, Politikës dhe Kulturës në Universitetin e Chicagos.

"Kjo tregon me të vërtetë ndryshimin që ndodhi në Amerikë dhe mundësitë për të lëvizur përpara, që ka rëndësi të thellë, është fitore për amerikanët", thotë Dawson, për të shtuar se, megjithatë, zgjedhjet nuk nënkuptojnë se racizmi i përket së kaluarës.

"Ka ende disa pjesë në vend, kreysisht në jugun rural, ku ende në një shkallë luftohet lufta civile. Atje pati shumë përkrahës dhe kundërshtarë të Obamës dhe është një grup i amerikanëve që nuk është i bindur në dëshirën për të pasur një president me ngjyrë", thotë Dawson.

Fitorja e Obamës do të analizohet për muaj apo vite të tëra, por disa gjëra tashmë dihen: Për Obamën votuan më shumë të bardhë, sesa që kanë votuar ndonjëherë për kandidatët presidencialë demokratë që nga viti 1976; pjesëmarrja e afrikano-amerikanëve dhe e të rinjve në votime theu rekord dhe Obama duket të ketë fituar votat e përgjithshme më shumë se cilido president në histori.

Shumë është shkruar nga 4 nëntori, nëse këto ishin zgjedhjet e para post-racore, një kontest ku ngjyra e lëkurës së kandidatit nuk përbën dallim.

Por, Dawson mendon se kjo është vetëm një e vërtetë e pjesshshme.

Ndërsa, Peniel Josephn, një profesor afrikano-amerikan në Universitetin Brandeis, vlerëson se edhe më tej më shumë se 25 milionë zezakë jetojnë në kushte shumë të vështira jetese, të ndarë në baza racore nga komunitetet.

Sido që të jetë, Joseph pranon se ky është një moment sureal për afrikano-amerikanët. Një njeri me ngjyrë të zezë jo vetëm që fitoi presidencën, por edhe theu rekord në pjesëmarrjen e votuesve. Dhe, kjo e bën edhe më të vërtetë frazën kaq shumë të dëgjuar këto ditë në Amerikë: Rosa u ul që Martini të marshojë, Baracku të garojë dhe ne të fluturojmë.

XS
SM
MD
LG