Ndërlidhjet

Prishtina ende pa qëndrim rreth negociatave për EULEX-in


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Presidenti dhe kryeministri i Kosovës ende nuk janë deklaruar lidhur me marrëveshjen e arritur ndërmjet BE-së, UNMIK-ut e Beogradit për shtrirjen e EULEX-it. Ata po vazhdojnë bisedimet me përfaqësuesit ndërkombëtarë.


Autoritetet udhëheqëse në Prishtinë vazhdojnë të mos e deklarojnë pozicionin e tyre në lidhje me marrëveshjen në parim për gjashtë pikat e planit të Ban Ki Moonit, të arritur ndërmjet UNMIK-ut dhe Beogradit, me të cilën thuhet se do të arrihej miratimi serb për nisjen e misionit të EULEX-it në Kosovë.

Ndonëse gjatë ditës, presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi paralajmëruan se do të dalin me qëndrimin e Prishtinës zyrtare diku në mesditë në lidhje me marrëveshjen për gjashtë pikat e Ban Ki Moonit, ata e kanë shtyrë këtë për orën 18.00 të mbrëmjes, për t’u dhënë rast bisedimeve shtesë me përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë.

Ndërkohë, opozita i bën thirrje presidentit Sejdiu dhe kryeministrit Thaçi që të mos e pranojnë marrëveshjen e ofruar, pasi që ajo, sipas opozitës, cenon rëndë sovranitetin e Kosovës dhe e pamundëson zbatimin e Kushtetutës. Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, thotë se kjo marrëveshje bashkë me propozimin që EULEX-i të jetë neutral ndaj statusit, janë oferta të papranueshme.

“Gjashtë pikat e përcaktuara nga marrëveshja e z.Ban Ki Moon, Bashkimit Evropian dhe Serbisë, e kufizojnë mundësinë e ushtrimit të kushtetutshmërisë në gjithë territorin e Kosovës, prandaj për liderët tanë duhet të jenë të papranueshme. Po ashtu, EULEX-i nuk guxon të ketë rol neutral, për arsye se neutraliteti krijon raporte, të cilat do të ndikojnë në drejtim të shkeljes së Kushtetutës”, tha Isufi.

Ndërkohë, edhe nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Besa Gaxherri, thotë se nuk e beson që lidershipi i Kosovës do të nënshkruante një dokument me të cilin cenohet sovraniteti i Kosovës. Sipas saj, EULEX-i nuk duhet të jetë fare temë diskutimi me Beogradin, pasi që ky mision po shtrihet në Kosovën e pavarur. Në të kundërtën, sipas saj, nëse EULEX-i nuk e zbaton pakon e Ahtisaarit, i humbet vetë kuptimi i këtij misioni.

“Unë shpresoj dhe kërkoj nga përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës që të ngulin këmbë dhe të mos e pranojnë një marrëveshje të tillë. EULEX-i është këtu për të respektuar pakon e Ahtisaarit. Në qoftë se ndodh një gjë e tillë, EULEX-i humb, do të ishte dashur të humbë kompetencën për t’i udhëhequr disa procese ose institucione, pasi që në këtë rast unë mendoj se do të mbetej vetëm një administratë krejt teknike”, thotë Gaxherri.

Sidoqoftë, dje dhe sot, presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi kanë zhvilluar bisedime intensive me përfaqësuesit e vendeve të Quint-it dhe përfaqësuesin special të presidencës së radhës së BE-së, Erik Shevalie. Duke iu referuar deklaratave të mëhershme, udhëheqësit kosovarë patën deklaruar se EULEX-i nuk mund të jetë neutral ndaj statusit dhe qenë zotuar se nuk do të negociojnë me Beogradin çështjet që prekin sovranitetin e shtetit të Kosovës.

Marrëveshja UNMIK- Beograd ka të bëjë edhe me policinë, gjykatat, doganat, menaxhimin e vijës kufitare, transportin e telekomunikacionin, si dhe me trashëgiminë kulturore e fetare ortodokse. Kurse, roli i EULEX-it do të ishte nutral ndaj statusit, që nënkupton se ky mision nuk do ta zbatonte Kushtetutën e Kosvës, por do të funksiononte mbi rregulloret e UNMIK-ut, çka konsiderohet shkelje në çështje të sovranitetit të Kosovës.

Sidoqoftë, një përgjigje e Prishtinës rreth marrëveshjes për EULEX-in, i duhet BE-së dhe Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, pasi që nesër pritet që në Nju Jork të diskutohet pikërisht kjo çështje dhe shtrirja e EULEX-it do të varet shumë nga harmonizimet në rrethin e negociatave që po zhvillohen ndërmjet Nju Jorkut, Brukselit, Beogradit dhe Prishtinës.

Në rast se Prishtina e refuzon këtë marrëveshje, atëherë mund të pritet që misioni i EULEX-it të shtyjë sërish fillimin e punës, që është paraparë për dhjetorin e këtij viti.
XS
SM
MD
LG