Ndërlidhjet

WSJ, FT, IHT, Newsweek: "Të jetosh historinë"


“Wall Street Journal”, “The Financial Times”, “International Herald Tribune”, “Newsweek”.

E përditshmja amerikane Wall Street Journal sjell artikullin me titullin "Hulumtimet dëshmojnë se Reganizmi nuk ka vdekur". Autori i shkrimit, Skot Rasmusen, fillimisht pohon se Barack Obama fitoi garën presidenciale në kohën e krizës ekonomike dhe shqetësimeve në planin e politikës së jashtme.

Qasja e tij gjatë fushatës ishte ajo që funksionoi për Ronald Reganin. Kjo dëshmon se votuesit ende i besojnë epokës së Reganit, shkruan WSJ, për të shtuar se edhe në kohën e fushatës së Reganit, papunësia dhe inflacioni ishin në nivele shumë të larta.

Barack Obama bëri fushatë si Ronald Regani, por është çështje e hapur nëse mund të qeverisë në të njëjtën formë, konkludon WSJ.

Gazeta londineze The Finacial Times shkruan se presidenti i zgjedhur, Barack Obama, synon të bëjë reformë domethënëse sociale dhe ekonomike. Autori i shkrimit vë në pah se komentet e fundit të bashkëpunëtorëve të ngushtë të Obamës sugjerojnë se për të realizuar këtë synim, në ekipin e tij do të gjenden disa nga personalitetet e administratës së ish-presidentit Klinton.

Në përpjekjet për të përballuar krizën ekonomike dhe financiare që ka përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe pjesën tjetër të botës, Obama, pos tjerash, synon të zvogëlojë deficitin buxhetor, ashtu siç kishte vepruar Bill Klinton në mandatin e tij, konkludon FT.

Javorja Newsweek sjell artikullin me titullin "Të jetosh historinë", në të cilin pohon se historia do të regjistrojë se më 4 nëntor të vitit 2008, Barack Obama ishte zgjedhur presidenti i parë me ngjyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gati është e pamundur të vlerësohet se çfarë rëndësie ka kjo e dhënë për kombin amerikan.

Për shumë vite të ardhshme do të diskutohet për domethënien specifike të këtij çasti, nëse do të jetë ai substancial apo më shumë simbolik, dhe për atë që nëse të kesh presidentin me ngjyrë, do të bëjë që amerikanët të besojnë se racizmi i takon së kaluarës.

Por, në këtë çast ajo që dihet është kjo – për një kohë shumë të gjatë njerëzit me ngjyrë në shumë pjesë të Shteteve të Bashkuara nuk trajtoheshin me termin "Zotëri" nga pjesëtarët e komunitetit të bardhë dhe thirreshin me emër, pavarësisht se çfarë moshe kishin.

Por, tash njeriu me ngjyrë do të quhet "Zoti President", shkruan javorja Newsweek, për të konkluduar se disa që kujtojnë vrasjen e Martin Luter Kingut, nuk kishin besuar se do të shohin një ditë të tillë.

Ndërkaq, e përditshmja International Herald Tribune në artikullin me titullin "Të menduarit e vjetër në ditën e re", shkruan për qasjen e Rusisë ndaj zgjedhjes së Barack Obamës.

Autori i shkrimit vë në pah se Rusia ndaj zgjedhjes së tij reagoi me një ton të dëgjuar nga koha e Luftës së Ftohtë. Gazeta citon presidenti rus, Dmitri Medvedev, të ketë thënë se "Moska do të vendosë raketat në afërsi të kufirit me Poloninë, nëse lideri i ardhshëm amerikan çon përpara planet e presidentit Bush për ngritjen sistemit anti-raketor në Evropë".

Gazeta vë në pah se Rusia e ka fare të qartë se sistemi anti-raketor nuk paraqet asnjë rrezik për Moskën, por duke luajtur rolin e viktimës para Obamës, synon të shpërqendrojë vëmendjen nga zbehja e demokracisë në Rusi, shkruan IHT.
XS
SM
MD
LG