Ndërlidhjet

Kosova kundërshton planin gjashtëpikësh


Kryeministri Thaçi dhe presidenti Sejdiu
Kryeministri Thaçi dhe presidenti Sejdiu

Pas bisedimeve të gjata me përfaqësuesit e BE-së dhe ata të SHBA-ve, presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi kanë refuzuar dokumentin gjashtëpikësh si marrëveshje e arritur mes OKB-së, BE-së dhe Beogradit për shtrirjen e EULEX-it.


Prishtina zyrtare ka refuzuar projekt-marrëveshjen e arritur ndërmjet OKB-së, BE-së dhe Beogradit për shtrirjen e EULEX-it në Kosovë.

Ndërsa e kanë cilësuar këtë marrëveshje si cenim të sovranitetit dhe integritetit kushtetues, presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi kërkuan vazhdimin e bisedimeve për të arritur deri te një marrëveshje që do të ishte në harmoni me Kushtetutën e Kosovës dhe pakon e Ahtisaarit.

Pas dy ditëve të negociatave intensive që Sejdiu e Thaçi zhvilluan me përfaqësuesit e vendeve të Quint-it, BE-së dhe ambasadoren amerikane, Tina Kaidanow, në orët e mbrëmjes, liderët kosovarë dolën me qëndrimin unik me të cilin e refuzojnë këtë marrëveshje.

Presidenti Sejdiu tha se elemente të kësaj marrëveshjeje janë të papranueshme, sepse cenojnë kushtetutshmërinë e Kosovës.

“Institucionet e Republikës së Kosovës konsiderojnë se elemente substanciale të dokumentit gjashtëpikësh të prezantuar, nuk janë të pranueshme për Kosovën në formën e tanishme të tyre”.


“Shprehim gatishmërinë për të vazhduar dialogun me bashkësinë ndërkombëtare (Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës), për të siguruar vendosjen sa më të shpejtë të EULEX-it në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke garantuar bashkëpunimin e plotë me to dhe institucionet e tjera ndërkombëtare”, tha presidenti Sejdiu.

Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi tha se besonte që edhe partnerët dhe miqtë ndërkombëtarë të Kosovës do ta kuptojnë vendimin e lidershipit të Prishtinës.

Duke u ndërlidhur me një kërkesë të kryesueses së radhës së BE-së, me të cilën i rekomandohej Prishtinës që ta pranonte dokumentin gjashtëpikësh, Thaçi tha se pala kosovare gjithë procesin e pavarësimit e ka koordinuar me ndërkombëtarët, kurse si rezultat i këtyre koordinimeve ishte miratuar edhe pakoja e Ahtisaarit.

Andaj, ai tha se Kosova nuk mund të quhet bllokuese e procesit të shtrirjes së misionit të EULEX-it dhe shprehu gatishmërinë e Prishtinës që bisedimet të vazhdojnë.

“Nuk kemi të bëjmë me një situatë që mund të prezantohet si bllokadë. Jemi në një proces të thellë të dialogut. Dialogu është i paevitueshëm. Ne duam të kemi marrëveshje edhe me Serbinë për interesat e dy vendeve dhe dy popujve tanë, prandaj Prishtina nuk vë kushte, po merr përgjegjësi të reja në procesin e avancimit të zhvillimeve politike”, u shpreh kryeministri Thaçi.

Presidenti Fatmir Sejdiu tha se pala kosovare e ka dhënë tashmë dëshminë e vet se është e gatshme ta zbatojë pakon e Ahtisaarit, si marrëveshje për statusin.

Me këtë pako parashihet edhe misioni i EULEX-it, për të cilin Beogradi kishte arritur marrëveshje në parim me OKB-në dhe BE-në, që të jetë mision neutral, që do të respektonte dhe zbatonte vetëm Rezolutën 1244 dhe rregulloret e UNMIK-ut, por jo edhe Kushtetutën e Kosovës dhe planin e Ahtisaarit.

Andaj, Sejdiu tha se Kosova do të vazhdojë të bashkëpunojë me ndërkombëtarët në zbatimin e planit të Ahtisaarit.

“Për ne është me rëndësi ai zotim që e kemi dhënë se do të jetë shumë e nevojshme që EULEX-i të shtrihet në gjithë hapësirën e Kosovës, në kompetencat dhe përgjegjësitë e projektuara me pakon e Ahtisaarit”.

“Në këtë kuadër ne jemi zotuar se pikërisht këto provizione që lidhen edhe me projektin Ahtisaari, janë elemente edhe në Kushtetutën e Kosovës dhe ligje të rëndësishme që ka miratuar Kuvendi i Kosovës. Ne do ta bëjmë punën tonë që t’i zbatojmë në praktikë. Prandaj, dëshirojmë dhe e besojmë këtë bashkëpunim”, theksoi Sejdiu.

Marrëveshja për planin gjashtëpikësh ndërmjet OKB-së, BE-së dhe Beogradit ka të bëjë edhe me policinë, gjykatat, doganat, menaxhimin e vijës kufitare, transportin e telekomunikacionin, si dhe me trashëgiminë kulturore e fetare ortodokse.

Kurse, roli i EULEX-it, sipas kësaj marrëveshjeje, do të ishte neutral ndaj statusit, që nënkupton se ky mision nuk do ta zbatonte Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Bazuar në mosarritjen e marrëveshjes, pritjet e Prishtinës tani janë që fillimi i misionit të EULEX-it në Kosovë të shtyhet sërish.

Me refuzimin e marrëveshjes OKB-BE-Beograd, udhëheqësit kosovarë thanë se nuk e konsiderojnë veten fajtorë për shtyrjen eventuale, pasi që EULEX-i ishte paraparë edhe me pakon e Ahtisaarit si një dokument ndërkombëtar, ku nuk ishte kushtëzuar fillimi i këtij misioni me miratimin paraprak nga Beogradi.
XS
SM
MD
LG